Kulturë

Arkivat e Shqipërisë, në pritje të studiuesve nga trojet shqiptare dhe rajoni

Arkivat e Shqipërisë

Me synimin për të dhënë një kontribut në historiografinë shqiptare, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave pret studiuesit nga trojet shqiptare dhe të rajonit që të trajtojnë tematika që përkojnë me përvjetorët e ndodhive historike dhe me jubiletë e emrave më të angazhuar në veprimtarinë publike

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë ka ftuar studiuesit, ekspertët e arkivave të trojeve shqiptare dhe të mbarë rajonit, si edhe çdo të interesuar të bashkësisë shkencore, për të marrë pjesë në botimet e vitit 2026.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido ka thënë në konferencë për medie se “për vitin e katërt radhazi, DPA-ja, e rikthyer në funksionin e botueses periodike, publikon studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit”. Po ashtu, pjesë e publikimeve të përvitshme janë edhe udhëzuesit mbi metodologjinë arkivore në hapësirën kombëtare.

“Me synimin për të dhënë një kontribut në historiografinë shqiptare, DPA-ja propozon tematika që përkojnë me përvjetorët e ndodhive historike, me lindjen dhe me vdekjen e disa prej emrave më të angazhuar në veprimtarinë publike. Mes tematikave të dedikuara botimeve të këtij viti, sugjerojmë të trajtohen jubilarë të rëndësishëm”, ka thënë ai. 

Diplomacia shqiptare gjatë periudhës së Republikës (1925-1929), 130-vjetori i lindjes së Mujo Ulqinakut, 110-vjetori i themelimit të Komisisë Letrare të Shkodrës, 110-vjetori i vdekjes së Isa Boletinit, 100-vjetori i vdekjes së Aqif Pashë Elbasanit, 80-vjetori i vdekjes së Lef Nosit, janë disa prej figurave e jubileve për të cilat DPA-ja pret studimet e ekspertëve. 

Sipas tij, risia e këtij viti është publikimi i një udhërrëfyesi arkivor, që do të ketë për qëllim orientimin e studiuesve në procesin e kërkimit online, në platformën e Sallës së Studimit apo në Këndet Arkivore të çelura në dhjetëra qytete në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Greqi dhe në jug të Italisë.

Për secilën prej këtyre gjinive të botimeve, të interesuarit duhet t’i drejtohen adresës botime.arkiva.gov.al për të depozituar kërkesën e tyre për pjesëmarrje dhe abstraktet e punimeve të propozuara.

“Po ashtu, në materialet të mundshme për botim përfshihen përmbledhjet e dokumenteve për një periudhë, çështje apo personalitete historik, punimet monografike të lidhura me historikun e arkivave, sfidat dhe problematikat e tyre në Shqipëri e më gjerë, botimet e dokumenteve në gjuhë të rralla (osmanisht, greqisht, latinisht etj.); botimet e akteve ligjore dhe nënligjore për punën me dokumentet arkivore; inventarët, katalogët dhe treguesit e punës kërkimore në arkiva”, ka theksuar Bido për thirrjen e cila do të qëndrojë e hapur deri më 5 prill.