Sa herë që flet për projektin më ikonik të tijin e të Kosovës po ashtu, ka diçka të pathënë. Jubileu i 80-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare e ka rikthyer në Prishtinë arkitektin kroat, Andrija Mutanjkoviq, aty ku më 1982 u jetësua projekti që mban vulën e tij. Nëpërmjet tij zbërthehet e gjithë filozofia arkitekturore e akademikut. “Arkitekturën ia kam kthyer natyrës”, ka thënë ai në ngjarjen ku arkitekti shqiptar Rilind Çoçaj, që ka doktoruar në arkitekturën e Mutnjakoviqit, ka zbërthyer veprën e maestros
Kur në prag të moshës 95-vjeçare Andrija Mutnjakoviq merr përsipër ta vizitojë një projekt të tij e të flasë goxha gjatë për të, tregon qartë se s’është që ka për qëllim veç të tregojë se si e ka projektuar. Me atë tregon më shumë për frymën a konceptin e arkitekturës që i beson dhe atë do ta lërë si mesazh. Se vendi që po e viziton ka nevojë për mesazhe sa i përket arkitekturës, tregohet duke hedhur sytë përreth ndërtesës që bart vulën e tij – Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Jo larg saj gjendet një tjetër ndërtesë publike e pasluftës së fundit, që veç me ndonjë koncept të arkitekturës s’ka të bëjë.
Pak pas orës nëntë të mëngjesit, të martën akademiku kroat i lindur në Osijek është futur në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës. Pak para se të mbërrijë ai, hapësirës i është dhënë fshesa e fundit dhe është bërë gati me një improvizim që nikoqirët nuk i ikin kurrë. Është frymë e një vendi të varfër në krejt format dhe s’largohet lehtë. Mutnjakoviq që në ditën e 29-të të këtij muaji mbush 95 vjet, kësaj radhe është në Kosovë në 80-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare të shtetit më të ri në Evropë. Prej vitit 1982, institucioni vepron në ndërtesën e projektuar prej tij e që u desh një dekadë për ta finalizuar. Shoqërohet nga arkitekti Rilind Çoçaj. Ai i ka studiuar projektet e konceptet arkitekturore të Mutnjakoviqit dhe ka doktoruar në Venecia pikërisht duke zbërthyer filozofinë e kroatit mbi arkitekturën.
Mutnjakoviq ka zgjedhur që Çoçaj të flasë për projektet e tij e t’i elaborojë ato, kurse ai vetë të ndërhyjë kohë pas kohe. Për Mutnjakoviqin ndërtimi i Hagia Sophias në Kostandinopojën e dikurshme në vitin 537 është pika kur arkitektura mori tjetër frymë. Çoçaj ka treguar se Mutnjakoviq, që ka studiuar për arkitekturë në Universitetin e Zagrebit, gjithmonë arkitekturën e ka mendur në shërbim sa më praktik të njerëzve e në harmoni të plotë me natyrën e kontekstin shoqëror.

Shtëpitë në formë petalesh
Krejt projektet e tij, qoftë ndërtesat apo ato urbanistike, kanë këtë frymë. Skicat e projektet e tij janë hartuar për Osijekun, pjesën e re të Zagrebit e deri te Tel-Avivi. Në ndërlidhje me natyrën, ai kishte studiuar petalet në vitet ’60 duke hartuar skica se si shtëpitë do të mund të ndërtoheshin në formë petalesh.
“Dhe tash ta zëmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndërtime në këtë frymë, gjëra që Mutnjakoviq i ka projektuar në vitet ‘60”, ka thënë Çoçaj në prezantimin e titulluar “Biblioteka Kombëtare e Kosovës – Katalizatorët arkitektonikë dhe identiteti”.
Në botëkuptimin e Mutnjakoviqit për arkitekturën, konteksti historik duhet të jetë baza. Por produktit që ka bazën në këtë kontekst duhet shtuar ajo që njihet si “art informel”, term ky francez që përshkruan thyerjen e traditave të veprave natyraliste, figurative dhe gjeometrike për t’iu dhënë frymë formave antikompozicionale, spontanitet dhe irracionalitet.
Te rasti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Mutnjakoviq do të ftohej nga miku i tij, arkitekti me nam, Bashkim Fehmiu. Skicat e Mutnjokoviqit për një konkurs që nuk ia kishte dalë për Bibliotekë në Sarajevë, do ta bënin Fehmiun që të bindte autoritet e atëhershme të Kosovës të fillimviteve ’70 që për projektimin e Bibliotekës t’i besonin arkitektit relativisht të ri.
“Kemi historinë e Ballkanit. Historia arkitekturore e Ballkanit është arkitekturë romake, bizantine e osmane. Pikënisje është Hagia Sophia, pastaj kishat romake katolike në Dalmaci, arkitektura ortodokse në Manastirin e Graçanicës e Hamami i Prizrenit. Bazuar në strukturalizmin bizantin dhe ‘artin informel’ ka ardhur te kubet”, ka thënë Çoçaj derisa ka folur për projektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Ka shpjeguar se në vizatime ka gjeometri ekzakte, forma primitive, por janë të vendosura në mënyrë joorganike dhe aty shihet “arti informel”. “Elementet nuk janë të shpërndara paralelisht”, ka thënë ai. Ka treguar se Bashkim Fehmiu i ka treguar Mutnjakoviqit më 1970 masterplanin iniciues për kampusin universitar me Bibliotekën në qendër dhe ndërtesat e tjera përreth. Aty kishte pasur dorë edhe arkitekti i njohur serb, dikur kryetar i Beogradit, Bogdan Bogdanoviq.
“Brenda Bibliotekës nuk shohim atë që është jashtë saj. Kemi një hyrje me stil baroku. Vetëm administrata ka ndarje tamam, pjesët e tjera kanë mure ndarëse që mund të lëvizin. Pra, është një koncept i planit të hapur dhe fleksibil. Nga jashtë duket formë ekzakte”, ka thënë Çoçaj. Sipas tij, ndërtesa ndërthuret me natyrën dhe respekton konceptin që i beson Mutnjakoviqi.
“Krejt elementet duhej të ndërlidheshin. Fasada ndërlidh forma gjeometrike dhe lulet. Në këtë rast nuk bëhet fjalë veç për një ndërtesë, por duket edhe si një lloj fotografie. Ka përdorur teknologjinë më të avancuar të kohës në ndërtim. Format gjeometrike të aluminit janë më të mëdha në mes dhe pastaj zvogëlohen”, ka treguar ai. Ngritjen e ndërtesës në një platformë goxha të lartë e ka shpjeguar duke thënë se ajo është një tempull.
Objekti tempull midis Prishtinës
“Nëse e kërkoni ndonjë qytet të Evropës në internet ju shfaqen imazhet e katedraleve, kurse në rastin e Prishtinës shfaqet Biblioteka, kjo është katedralja jonë”, ka thënë Çoçaj përballë profesorëve e studentëve të arkitekturës.
Akademiku Mutnjakoviq në këtë rast ka thënë se krejt projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun. Për Bibliotekën ka thënë se nuk ishte vizion aksidental.
“Evropa është e vogël dhe ka identitetin e vet arkitekturor. Pjesa jonë e Evropës ka për bazë arkitekturën bizantine. Ka një traditë të gjatë të formave bizantine. Drita natyrore është menduar të jetë e gjithanshme. Aspekt tjetër është në lidhje të gjithmonshme me natyrën”, ka thënë akademik Mutnjakoviq, derisa ka folur për Bibliotekën.
Si sukses të karrierës e konsideron atë se arkitekturën ia ka kthyer natyrës dhe se njerëzit identifikohen me veprat e tij.
Por ka pasur edhe një konstatim të prerë.
“Njeriu ka ndërtuar qytetet më të bukura në botë: prej Prizrenit deri te Dubrovniku e Venecia... I ndërtuan njerëzit qytetet më të bukura të botës, e ne tash presim krejt prej arkitektit. E, arkitektët na bëjnë objekte standarde në krejt botën. Kjo në të vërtetë është një betejë kundër arkitektëve që t’ua mundësojmë njerëzve sërish që vetë ta ndërtojnë shtëpinë e vet”, ka thënë ai.

Kur ka folur për Kosovën e ka konsideruar veten me fat që ka takuar shumë intelektualë dhe ia kanë mundësuar realizmin e projektit. Më meritorin e ka përshkruar arkitektin Bashkim Fehmiu. Krejt në fund ka thënë se pas krejt projekteve të prezantuara, sigurisht që të pranishmit janë kureshtarë të dinë se si e ka projektuar shtëpinë e tij. Dhe ka shfaqur fotografinë e saj. Është thjeshtë një kasolle prej druri e rrethuar me lule. Mutnjakoviq beson se natyra duhet të ruhet shumë dhe se njeriu për megalomaninë e tij nuk duhet ta dëmtojë atë me turli ndërtese. Në botëkuptimet e tij hapësirat duhet të ruhen edhe për gjeneratat që vijnë në mënyrë që të shkrijnë kreativiteti e tyre. Konceptet e tij tejet idealiste i ka treguar para përgjegjësve për edukimin në arkitekturë të të rinjve të një shoqërie që veç ndërgjegje për arkitekturën e natyrën s’ka. Mutnjakoviq përballë ka pasur disa prej akterëve aktualë e atyre të ardhshëm që kanë ose do të kenë hise për të mirë a për të keq në projektim ndërtesash e planesh urbanistike. Asnjë s’është kujtuar që ta nderojë akademikun me të paktën një tufë lulesh pas prezantimit. Deri tash koncepti i tij për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës si projekt e si realizim është i patejkalueshëm në shtetin më të ri të Evropës. Pikën e kthimit prapa në planifikim, Biblioteka e ka ndërtesën me panele të kaltra nja 200 metra në jug të saj. E, se kur do të ketë ndonjë pikë të përafërt përreth, mbetet të shihet.