Kulturë

Arkeologjia e Kosovës në kapitull të ri falë teknologjisë gjermane

Parku Arkeologjik i Ulpianës (Foto: Arben Llapashtica)

Parku Arkeologjik i Ulpianës (Foto: Arben Llapashtica)

Ndihmesa për arkeologët në krijimin e modeleve të lokaliteteve arkeologjike, analiza e shpërndarjes së artefakteve dhe ajo hapësinore për të kuptuar lidhjet midis vendeve, periudhave historike dhe kulturave të ndryshme, janë disa prej mundësive që ofron teknologjia e cila i vihet në dispozicion Kosovës falë marrëveshjes pesëvjeçare me Gjermaninë. Bashkëpunimet për hulumtime gjeofizike me teknologjitë “LIDAR” dhe “GIS”, janë kryefjalë e marrëveshjes dhe një hap si ky mundëson në zbërthimin e vendndodhjeve të moçme dhe sigurimin e informacione të rëndësishme për shfaqjen dhe zhvillimin e qytetërimeve të kaluara

Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe ai i Gjermanisë në pesë vjetët e ardhshëm do të bashkëpunojnë në disa drejtime. Hulumtimet me aparatet dhe metodat më të reja është kryefjala e këtij bashkëpunimi që ndihmon arkeologët e IAK-së që të kenë njohuri të avancuara për lokalitete arkeologjike, pa i gërmuar ato fare. Marrëveshja e nënshkruar midis Institutit Arkeologjik të Gjermanisë dhe Ministrisë së Kulturës do të shërbejë po ashtu për shkëmbime të përvojave midis dy palëve.

Arkeologu i IAK-së që është marrë me këtë proces në mënyrë aktive, Elvis Shala ka dhënë detaje prej marrëveshjes së nënshkruar në fillimjavë. Ka thënë se kryesisht do të ketë bashkëpunime për hulumtime gjeofizike me teknologjitë “LIDAR” dhe “GIS”. Ka sqaruar se “LIDAR” si “Light Detection and Ranging” është një teknologji që përdor drita laser për të krijuar hartat 3D të sipërfaqeve. Sipas tij, kjo teknologji në arkeologji përdoret për të skanuar dhe analizuar terrenet, duke zbuluar struktura dhe objekte që mund të jenë të fshehura nga mbulimi i dendësuar i bimësisë ose i dheut.

Ka shpjeguar se kjo metodë ka ndihmuar në zbërthimin e vendndodhjeve të moçme dhe ka ofruar informacione të rëndësishme për shfaqjen dhe zhvillimin e qytetërimeve të kaluara.

Kurse sa i përket teknologjisë “GIS” ose “Geographic Information System”, ka thënë se në arkeologji është një mjet që përdor teknologjinë e hartografisë dhe analizës gjeohapësinore për të mbledhur, ruajtur, analizuar dhe vizualizuar të dhënat e lidhura me vendndodhjet arkeologjike. Sipas informacioneve të hapura për këtë sistem, “GIS” ndihmon arkeologët të krijojnë modele të lokaliteteve arkeologjike, të analizojnë shpërndarjen e artefakteve, dhe të bëjnë analiza hapësinore për të kuptuar lidhjet midis vendeve, periudhave historike dhe kulturave të ndryshme. Ky sistem përshkruhet të jetë shumë i rëndësishëm për dokumentimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore, duke mundësuar një qasje më të saktë dhe efektive për kërkimet dhe konservimin e saj.

Shala ka thënë se ende nuk kanë përcaktuar saktë se cilat lokalitete do t’i hulumtojnë së bashku.

“Por synimi është që të dokumentohet një pjesë e madhe e Kosovës sidomos me ‘LIDAR’ edhe pastaj krijimin e sistemit ‘GIS’ që të kemi saktë të paraqitura hartat e lokaliteteve. Kjo ndihmon edhe në zhvillimet moderne si infrastrukturore, plane zhvillimore të komunave, ndërtimin e zonave industriale e të tjera”, ka thënë Shala. Sipas tij, nëpërmjet këtyre sistemeve do të dihet saktë se cila është shtrirja e lokaliteteve.

“Por çka është më e rëndësishme është se gjatë bashkëpunimit do të sigurojmë këto pajisje dhe ne si Institut edhe do të trajnohemi për këtë teknologji”, ka thënë ai në një bisedë për KOHËN.

Sipas Shalës, shkëmbimi i përvojave e ngritja e kapaciteteve është po ashtu pjesë pozitive e marrëveshjes së nënshkruar tashmë.

Marrëveshja është nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bislim Bislimi dhe zëvendësdrejtori i Institutit Arkeologjik të Gjermanisë, Lukas Werther.

Instituti Arkeologjik i Gjermanisë tash e 150 vjet është një institucion kërkimor me veprimtari ndërkombëtare në kuadër të Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë. Përveç kërkimeve arkeologjike në mbarë botën dhe angazhimit për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, Instituti përbën një pjesë të rëndësishme të politikave kulturore dhe arsimore të Gjermanisë. Me gjithsej 11 degë dhe departamente si ato në Athinë, Stamboll, Kajro, Madrid dhe Romë, Instituti është aktiv si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Institucionet e trashëgimisë kulturore të Kosovës, kanë disa marrëveshje me institute e institucione të huaja. Njëri prej shteteve me të cilat ka marrëveshje të tilla është edhe Franca. Bashkëpunimi nisi dy dekada më parë. Gërmimet e para të përbashkëta në Ulpianë nisën qysh më 2006.

Në vitin 2017, nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet École Normale Supérieure në Paris (ENS), Ambasadës së Francës në Kosovë, Universitetit të Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës (IAK) ripërtëriu bashkëpunimin franko-kosovar në Ulpianë. Më pas u krijua MAFKO (Misioni Arkeologjik Franko-Kosovar). Ky bashkëpunim përfshin tre komponentë plotësues: shkencor, edukativ dhe muzeografik.

Në këtë kontekst, misioni i parë u mbajt në verën e vitit 2017. Më pas

misioni arkeologjik franko-kosovar i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Christophe J. Goddard (ENS/AOROC), Arben Hajdari nga  Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, ka nxjerrë rezultate në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, teksa hartografon duke përdorur metodën ARP të matjes së rezistencës elektrike. Kjo teknologji jo-invazive, e zhvilluar nga kompania franceze “Geocarta”, bën të mundur zbulimin e strukturave deri në dy metra të thella dhe hartografimin e një zone nëntokësore prej disa hektarësh. Falë skanimeve dhe kërkimeve të kryera më parë, arkeologët kishin zbuluar tashmë gjurmët e një bazilike romake më shumë se 50 metra të gjatë ende pjesërisht nën tokë, si dhe një ndërtesë me përmasa dyzet metra si dhe rrugët e afërta. Skanimet e kryera u mundësojnë arkeologëve të kuptojnë më saktë mjedisin urban të periudhës rreth bazilikës romake. Një hartë nëntokësore e zonës, sipas arkeologëve, është thelbësore për të kuptuar thellësisht lokalitetin arkeologjik.