Kulturë

Arkeologët në Luksemburg zbulojnë monedhat e veçanta 1700-vjeçare

Monedhat e perandorit Eugenius janë të rëndësishme për shkak se janë të rralla

Monedhat e perandorit Eugenius janë të rëndësishme për shkak se janë të rralla

Arkeologët në Luksemburg kanë zbuluar një thesar prej 141 monedhash ari të periudhës romake, të njohura si “solidi”, që datojnë në fund të shekullit të 4-t të erës sonë në fshatin Holzthum në Luksemburgun verior. Monedhat mendohet të datojnë midis viteve 364 dhe 408 të erës sonë dhe përmbajnë portretet e tetë perandorëve, duke përfshirë perandorin Eugenius, i cili mbretëroi vetëm për dy vjet, prej vitit 392 deri më 394.

Zbulimi konsiderohet i rëndësishëm për shkak se është i rrallë si depozitë parash. Monedhat janë në gjendje të shkëlqyer dhe u vlerësuan afërsisht me vlerë rreth 308 mijë e 600 euro.

Thesari u zbulua për herë të parë në vitin 2019 kur dy arkeologë amatorë gjetën një monedhë ari në një fushë aty pranë. Duke njohur rëndësinë e gjetjes së tyre, ata kontaktuan menjëherë autoritetet. Zbulimi u mbajt i fshehtë për gati katër vjet, gjatë të cilëve arkeologët gërmuan hapësirën.

Gërmimi u krye nga Instituti Kombëtar për Kërkime Arkeologjike nga viti 2020 deri në vitin 2024. Shërbimi i Veprimit ndaj Minave të Ushtrisë së Luksemburgut dhe Shërbimi i Asgjësimit të Bombave ndihmuan me gërmim për shkak të kushteve të rrezikshme të krijuara nga shumë eksplozivë dhe municione të Luftës së Dytë Botërore që janë në atë zonë.

Monedhat u gjetën pranë shtyllave të një kulle të fortifikuar romake, e cila përdorej për vëzhgim ushtarak. Gërmimet zbuluan gjithashtu disa varre që rrethojnë kullën, duke ofruar njohuri të mëtejshme në historinë e vendit.

Monedhat e perandorit Eugenius janë të rëndësishme për shkak se janë të rralla. Eugenius erdhi në pushtet me mbështetjen e gjeneralit Arbogast. Mbretërimi i tij u shënua nga paqëndrueshmëria politike dhe konflikti me Perandorinë Lindore duke çuar në Betejën e Frigidus më 394. Eugenius u mund dhe u vra në betejë.

Monedhat shërbejnë si një dëshmi e ndryshimeve gjeopolitike dhe kulturore në Perandorinë Romake.
“Do të duhet ende kohë për të përpunuar gërmimet dhe gjetjet, por pa dyshim që do të zgjerojë njohuritë dhe kuptimin tonë për atë shekull të Perandorisë Romake”, ka thënë ministri i Kulturës i Luksemburgut Eric Till.

Studiuesit planifikojnë të kryejnë analiza të mëtejshme dhe përfundimisht të publikojnë rezultatet në një vëllim kërkimor. Gjetjet pritet të zgjerojnë njohuritë për mbrojtjen kufitare të Perandorisë Romake. Diskutimet se ku duhet të ekspozohet thesari janë ende duke u zhvilluar.

Vlera e thesarit iu kompensua pronarit të tokës në përputhje me ligjet e trashëgimisë kulturore të Luksemburgut. Monedhat mbetën relativisht të qëndrueshme gjatë shekujve dhe u përhapën në të gjithë rajonin e Mesdheut, duke shërbyer si monedhë e qëndrueshme, e prezantuar në shekullin e 4-t./Arkeonews