Analiza e katedrales “Notre Dame” ndihmoi jo vetëm për ta dokumentuar atë që është, por edhe për të vërtetuar më tej artefaktet mesjetare. Ekipeve të arkeologëve fillimisht iu dhanë vetëm pesë javë për të gërmuar nën dyshemenë prej guri të katedrales “Notre Dame”. Ekspertët gjetën 1035 fragmente të veprave të artit, si dhe nja njëqind varre. Shumë arkivole, së bashku me kockat e shpërndara, mbeten të paidentifikuara. Ikona tetëshekullore e Parisit – që u dogj në prillin e vitit 2019 – do të rihapet sot (e shtunë) me një ceremoni solemne ku marrin pjesë liderë të botës
(ArtNews) – Pas zjarrit i cili gati sa nuk e shkatërroi plotësisht katedralen “Notre Dame” të Parisit, arkeologët patën mundësi të rrallë që të gërmojnë nën strukturat e monumentit gjatë restaurimit e rikonstruimit pesëvjeçar. Kanë gjetur me këtë rast më shumë se një mijë fragmente veprash artistike.
Arkeologët e patën këtë mundësi falë ligjit francez për arkeologjinë preventive, i cili mund të përdoret “për të zbuluar dhe ndërmarrë studimin shkencor të mbetjeve arkeologjike (në tokë dhe nën ujë) që përndryshe mund të shkatërroheshin nga punimet”.
Procesi nisi në shkurt të vitit 2022, tre vjet pas zjarrit në prillin e 2019-s. Katedralja e restauruar do të rihapet sot (e shtunë) me ceremoni solemne ku marrin pjesë liderë botërorë.
Ekipeve nga Instituti Kombëtar për Kërkimet Arkeologjike Parandaluese, duke përfshirë edhe atë të udhëhequr nga Christophe Besnier, të cilëve fillimisht iu dhanë vetëm pesë javë për të gërmuar nën dyshemenë prej guri të katedrales “Notre Dame”, u lejua të gërmojnë vetëm 40 centimetra nën dysheme në të njëjtën thellësi në të cilën është themeli i skelës.
“Rezultoi se gjetjet ishin shumë më të pasura sesa pritej”, ka thënë Besnier për “National Geographic”.
Ekspertët gjetën një mijë e 35 fragmente të veprave të artit, si dhe nja njëqind varre. Shumë arkivole, së bashku me kockat e shpërndara, mbeten të paidentifikuara.
Një sarkofag plumbi, që supozohet se i përket poetit Joachim du Bellay, është një nga arkivolet më domethënëse. U zbuluan gjithashtu edhe kokat dhe torzotë e shtatoreve prej guri gëlqeror në madhësi reale, duke përfshirë edhe atë që portretizon Jezu Krishtin.
Në mesin e gjetjeve më të rëndësishme arkitekturore është paravani i shekullit të 13-të që më parë ndante korin dhe altarin nga publiku.
Studiuesit gjithashtu zgjeruan të dhënat se si katedralja “Notre Dame” u ndërtua fillimisht nga artizanët në Mesjetë.
Marangozët mesjetarë përdorën drurë lisi afërsisht 100-vjeçarë të gjatë gati 45 metra, të cilët i formësuan me sëpatë. Mbajtësit e litarit të gjetur në dru u përdorën për transport nëpërmjet lumit të Senës.
Analiza e katedrales “Notre Dame” ndihmoi jo vetëm për ta dokumentuar atë që ekzistonte, por edhe për të konfirmuar më tej autenticitetin e artefakteve mesjetare si dritaret e mëdha me trëndafila.
Javën e kaluar, ishte presidenti francez Emmanuel Macron, i cili i shoqëruar nga kamerat televizive, vizitoi katedralen dhe dha lajmin për rihapjen e saj.
Pesë vjet e gjysmë pasi u dëmtua nga një zjarr i madh, kjo perlë e arkitekturës gotike u restaurua, u rinovua dhe u zbukurua, kështu që vizitorëve në të ardhmen do t’u ofrojë pamje që lënë pa frymë. Pasi iu prezantuan punimet, të cilat kushtuan rreth 700 milionë euro, që përfshinin zëvendësimin e trarëve të mëdhenj të çatisë mesjetare që u shkatërruan nga zjarri, Macron falënderoi ata që punuan për rindërtimin, si dhe zjarrfikësit që e shpëtuan nga shkatërrimi i plotë.
Rreth dy mijë gra e burra punuan ditë e natë dhe u përfshinë në historinë 800-vjeçare të Katedrales.
Më 15 prill të vitit 2019, “Notre Dame” mori flakë dhe shikuesit në mbarë botën e përcollën prej ekraneve televizive në lidhje direkte e kulmi ishte shembja e kullës së shekullit të 19-të.
Në atë kohë po rinovohej pjesa e jashtme e objektit. Gjendja ishte brengosëse edhe para zjarrit.
Ka pasur disa teori se çfarë e shkaktoi zjarrin – disa besojnë se cigarja e njërit prej punëtorëve e shkaktoi krejt këtë, të tjerë thonë se ka pasur një problem me instalimet elektrike.
Rreth 600 zjarrfikës u përfshinë në shuarjen e zjarrit për 15 orë kur jo pak frikësoheshin se tetë kambana të mëdha do të binin nga kulla veriore e “Notre Dame-it”, gjë që mund të shkaktonte edhe shembjen e vetë kullës.
Kulla mbijetoi, pirgu prej druri u shkatërrua tok me trarët në çati dhe qemeri prej guri mbi altarin qendror, por ende shumë gjëra mbijetuan.
Pas zjarrit, Macroni premtoi se Katedralja do të rihapej pas pesë vjetësh. Të shumtë ishin ata që menduan se kjo ishte tepër ambicioze.
U krijua një organ për të menaxhuar rindërtimin dhe fondet e kërkuara u ndanë menjëherë. U grumbulluan gjithsej 846 milionë euro, kryesisht nga donatorë të mëdhenj, por edhe qindra mijëra dhurues shumash më të vogla.
Rreth dy mijë muratorë, mjeshtër çatish, marangozë, restaurues, ekspertë arti, skulptorë dhe inxhinierë, punuan për realizimin e këtij projekti.
Marrë nga “ArtNews” dhe “BBC”. Përgatiti: KOHA