Kulturë

Anulohet festivali “Moisiu”, Ministria e “dëshpëruar thellë”, grevistët kërkojnë shtyrje

Këshilli Grevist i Shoqatës Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (Foto: Driton Paçarada”

Këshilli Grevist i Shoqatës Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Pos bllokimit të punës së institucionit më të lartë teatror në vend, edicioni i tretë i Festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu” është anuluar. Përderisa organizatorët e kanë dhënë këtë lajm, Ministria e Kulturës i ka fajësuar aktorët se s’kanë pasur mirëkuptim. E vetë aktorët grevistë të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë reaguar, duke thënë se Festivali duhet të shtyhet dhe se për anulim s’vendosin ministrat e as menaxhmentet

Hyrja në grevë e aktorëve të Teatrit Kombëtar e Kosovës ka nisur t’i japë pasojat. Pos bllokimit të punës së institucionit më të lartë teatror në vend, edicioni i tretë i Festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu” është anuluar. Përderisa organizatorët e kanë dhënë këtë lajm, Ministria e Kulturës i ka fajësuar aktorët se s’kanë pasur mirëkuptim. E vetë aktorët kanë reaguar duke thënë se Festivali duhet të shtyhet dhe se për anulim s’vendosin ministrat e as menaxhmentet. 

E hëna e ka gjetur Këshillin Grevist të Shoqatës Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës në vendin e punës. Kanë qëndruar në sallë e edhe në bufe. Kanë diskutuar për ide se pos grevës çfarë mund të bëjnë tjetër për të ngritur zërin për kërkesat që kanë. Ministria e Kulturës ka vazhduar të heshtë. Është aktivizuar duke i bërë grevistët fajtorë për anulimin e Festivalit. Prej ditës së 20-të të këtij muaji, Teatri Kombëtar i Kosovës do të ishte nikoqir i festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu” pas edicionit të Shkupit e atij të Tiranës. Por prej të premtes kur praktikisht ka nisur greva, qenë anuluar edhe provat e shfaqjes “Emira” me të cilën do të hapej Festivali ku planifikohej të jepeshin 14 shfaqje. 
Organizatorët e Festivalit, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Shqiptar i Maqedonisë nëpërmjet rrjeteve sociale kanë bërë të ditur anulimin e ngjarjes. 

“Duke pasur parasysh rëndësinë e festivalit të teatrit shqiptar ‘Moisiu’ si një platformë për krijimin e rrethanave për bashkim dhe bashkëpunim të artistëve teatror shqiptar nga të tri shtetet, por njëkohësisht duke parë edhe pamundësinë e organizimit të denjë dhe festiv të edicionit të tretë të këtij festivali në Prishtinë nga 20-27 nëntor 2024, pas futjes në grevë të përgjithshme të Shoqatës Sindikale të Artistëve të TKK-së, marrin vendim që: Edicioni i 3-të i Festivalit “Moisiu” në Prishtinë anulohet dhe nuk do të mbahet siç ishte paralajmëruar”, shkruhet në njoftim. Aty bëhet e ditur se mbeten të dedikuar edhe më shumë që këtë iniciativë të nisur nga tri institucionet ta vazhdojnë me po të njëjtin qëllim dhe dashuri që të shërbejë si platformë feste, bashkimi dhe bashkëpunimi në mes të artistëve teatrorë shqiptarë të cilët për kohë të gjatë ishin të ndarë.

Azhur këtij njoftimi i ka qëndruar Ministria e Kulturës. E ka shpërndarë atë me “dëshpërim të thellë”. 

“Me dëshpërim të thellë ju njoftojmë që festivali i teatrit shqiptar ‘Moisiu’, i paraparë të mbahej nga 20 deri më 27 nëntor, do të anulohet për shkak të grevës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, ka shkruar stafi i MKRS-së në rrjete sociale. Ky institucion ka thënë se respekton plotësisht të drejtën e organizimit sindikal. Por fajin ua ka ngarkuar aktorëve të TKK-së. 

“Nga Shoqata Sindikale e Aktorëve kemi kërkuar që ta kursejnë Festivalin Moisiu, pasi ai paraqet interes kombëtar dhe përfshin tri shtete. Nuk e kemi gjetur këtë mirëkuptim nga sindikata. Andaj, në konsultim me Tiranën e Shkupin, përkundër përfundimit të të gjitha përgatitjeve programore dhe logjistike, jemi të detyruar të anulojmë festivalin për të cilin u bënë shumë sakrifica që të arrinte në edicionin e tretë”, shkruhet në njoftim. 

Menjëherë pas këtyre njoftimeve ka reaguar edhe Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së. Kanë thënë se vendimi i ka “pikëlluar pa masë”. Kanë shkruar se ky vendim i gjen në muajin e dytë të veprimeve sindikale, të nisura nga data 9 shtator dhe të përshkallëzuar në grevë të përgjithshme nga 15 nëntori.  

“Pa vullnetin tonë, por si rezultat i mosveprimit dhe heshtjes karshi kërkesave tona. Konsiderojmë se indiferenca e këtillë është tregues i mungesës së njohjes dhe ndjeshmërisë së përfaqësuesve institucionalë për punën e artistëve e artisteve të teatrit, e cila është reflektuar edhe në mosveprimet e tyre karshi përpjekjeve tona për të gjetur zgjidhje e ofruar ndihmën tonë për përmirësimin e gabimeve në ligjin e pagave tash e më shumë se një vit dhe tash e më shumë se dy muaj, pra nga 9 shtatori i këtij viti kur njëlloj si opinionin publik e komunitetin artistik, i kemi njoftuar edhe Ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës për veprimet tona sindikale, kohështrirjen e tyre dhe nivelet e përshkallëzimit të tyre”, shkruhet në reagim. Aty sqarohet se më 28 tetor, në një takim të SHSATKK me përfaqësues të kabinetit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesve të SHSATKK-së tërthorazi “u është drejtuar një kërkesë paradoksale, që festivali të mbahet edhe pa praninë e aktorëve dhe shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës”. 

“Kjo kërkesë ka qenë tregues i qartë se të gjitha premtimet që është duke u punuar fort për përmirësimin e gabimeve në ligjin e pagave dhe për miratimin e rregullores për ekuivalentimin e pagave, kanë qenë thjesht mashtrim ndaj komunitetit”, shkruhet në reagim. 

Këtë kërkesë, ata kanë thënë ta kenë parë si zhvleftësim të dyfishtë të artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, “duke na përçuar mesazhin se për këtë ministri, më me rëndësi është të shënjohet një edicion i festivalit ad-hoc e pa praninë e artistëve dhe shfaqjeve të TKK-së, sesa të punohet drejt sigurimit të mirëqenies për ata, gjë e cila do të siguronte edhe mbarëvajtjen e festivalit si rezultat afatshkurtër edhe vazhdimësinë e punës në TKK si rezultat afatgjatë e obligim që Ministria e ka jo vetëm ndaj artistëve të TKK-së, por edhe ndaj publikut”.  I janë drejtuar publikut duke thënë se festivali “Moisiu” është themeluar nga artistët në vitet e ‘90 dhe ka vazhduar falë artistëve në këto dy edicionet e fundit e me artistët do të vazhdojë edhe në të ardhmen. 

“Festivalet si ‘Moisiu’ nuk kanë kuptim pa artistët, sidomos kur ato organizohen nga Teatri Kombëtar i Kosovës, që është shtëpi e jona. Për t’i shtruar gjërat për së mbari, përfaqësuesit institucionalë që thirren në rëndësinë kombëtare të këtij festivali, duhej të ishin këndellur me kohë dhe të vepronin në mënyrë konstruktive, për të plotësuar kërkesat e atyre pa të cilët festivali nuk ka kuptim”, shkruhet në reagim. Sipas tyre, “Moisiu” mund të shtyhet, por jo të anulohet. 

“Këtë nuk e vendosin as ministritë e as ministrat; as menaxherët e as menaxhmentet, sepse festivali është ngritur me mundin e artistëve dhe nga artistët do të mbahet. Ne, artistët, jemi festivali. ‘Moisiu’ është i yni. Ne jemi ‘Moisiu”, shkruhet në reagim. 

Aktorët e TKK-së të dielën kishin bërë të ditur vendimin për grevë të përgjithshme, arsyet e ndërmarrjes së këtij hapi dhe kërkesat e tyre. Përgatitja për këtë ka nisur qysh në shtator. Mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës, sipas aktorëve, e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij Ligji para 19 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. 

Aktori Adrian Morina në cilësinë e anëtarit të Këshillit Grevist kishte shpjeguar kronologjinë e arritjes deri në grevë. Ka përmendur Rregulloren për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore të miratuar më 2011, e më pas edhe versionin e vitit  2018. Ka thënë se me Ligjin për pagat në sektorin publik janë degraduar aktorët e TKK-së. Me versionin e Rregullores së vitit 2018 të kualifikuarit si “Të parët e teatrit” kishin pagë 800 euro, kurse udhëheqësi artistik i këtij institucioni kishte pagë prej 868 euro. Me Ligjin e pagave aktorët kanë koeficient 8, kurse udhëheqësi artistik 13. 

Të pyetur se për çfarë arsye kanë hyrë në grevë në këtë kohë kur rrezikohet të dështojë festivali “Moisiu”, aktorët kishin thënë se greva nuk korrespondon me asnjë aktivitet të veçantë. Madje kishin shprehur edhe njëfarë irritimi. Në takimin që kanë pasur me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë thënë të mos kenë arritur që të marrin një zotim me shkrim për mënyrën dhe kohën rregullimit të çështjes së koeficienteve. KOHA ka marrë vesh se ministri i Kulturës, Hajrulla  Çeku, ka tentuar të ndikojë që aktorët të mos hyjnë në grevë duke dërguar ndërmjetësues një figurë të njohur të komunitetit artistik, e njëkohësisht person në marrëdhënie bashkëshortore me një prej anëtarëve të kryesisë së Shoqatës Sindikale. 

Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur sa i përket shpalljes së grevës. Të mërkurën e kaluar gjatë një konference për medie pas mbledhjes së Qeverisë, KOHA e kishte pyetur ministrin Çeku për paralajmërimet për grevë. Ai kishte folur për investimet e Qeverisë e kishte bërë thirrje për reflektim pozitiv. 

“I ftoj edhe njëherë (aktorët v.j.) që të reflektojnë pozitivisht dhe të mos ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për të parë shfaqje të mira në Teatër”, kishte thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.