I pakufishëm është rrëfimi me ekspozitën “Antropomorph” të Artan Balajt, kuruar nga Arta Agani, e hapur në galerinë “Open Art” në Prishtinë. Një planet i largët imagjinar duket se frymon nëpërmjet veprave të tij. Krijesat janë përzierje e organikes dhe mekanikes, ndërthurje në një harmoni të çuditshme dhe futuriste. Gjithçka nisi nga një skicë për tatuazh
Galeria, e mbushur me rreth 80 vepra të detajuara, paraqet një univers imagjinar që sfidon perceptimet e rëndomta për humanitetin dhe teknologjinë. Çdo vizatim i Artan Balajt duket si një portret i një qenieje hibride – një ndërthurje antropomorfe me elemente të një “cyborg”-u, sikur të ishin ardhacakë nga një planet i largët dhe misterioz.
Strukturat vizuale të këtyre krijesave janë përzierje e organikes dhe mekanikes, ndërthurje në një harmoni të çuditshme dhe futuriste, duke bartur një lloj dualiteti filozofik. I pakufishëm është rrëfimi me ekspozitën “Antropomorph” të Balajt, kuruar nga Arta Agani, e hapur të enjten mbrëma në galerinë “Open Art” në Prishtinë.
Secila vepër përpiqet të përçojë histori unike, ndoshta rrëfime të një shoqërie që ka kaluar kufijtë e biologjisë dhe të teknologjisë. Këto sfonde duken si subjekte të shkëputura nga çdo kontekst tokësor. Një planet i largët imagjinar duket se frymon përmes tyre, ku natyra është rikompozuar në formate të paprecedentë.
Dy piktura, dy botë shumë të ngjashme me pak nuanca që dallojnë njëra nga tjetra, përçojnë mesazhin e dy botëve që u takojnë dy universeve paralele të ndryshme, për të cilat edhe vetë autori identifikohet në shumë punime të tij.

E njëjta po ashtu vlen edhe për instalacionin ku paraqiten në formë galaktikash ose universesh, pikturat në xhamat e instalacioneve, të cilat prapë shpien te bota fantashkencore e autorit që luan me llojllojshmërinë dhe multidimensionalitetin e tij për mesazhet e qarta të një universi multiuniversal.
Në pikturat e ekspozuara, autori ka përdorur ngjyrën e kuqe në mënyrë që të ngacmojë perceptimet dhe emocionet e shikuesit. Është ngjyra, e cila ngjan me venat e gjakut dhe krijon ndjesi organike të lidhur me jetën e brendshme të qenies njerëzore. Forma dhe tekstura e përdorur nga autori i japin kuptim të shumëfishtë, lloj strukturash aliene dhe sikur i përkasin një universi tjetër.
Kontrasti mes natyrës njerëzore dhe elementeve të panjohura sikur hap një dialog midis tokësores dhe jashtëtokësores, ku shikuesi eksploron botëkuptime të reja dhe reflekton mbi marrëdhënien e tyre me të njohurën dhe të panjohurën. Ngjyra e kuqe bëhet element i fuqishëm simbolik, që bart nënkuptime të shumta – nga jeta dhe pasioni deri te misteri dhe frika nga e panjohura.
Një vizitë e Arta Aganit në një bienale të artit digjital në Francë do ta inspironte atë të organizojë dhe formojë konceptin e kësaj ekspozite, duke gjetur atë lloj ekuacioni te veprat më të reja të Balajt.
Falë bashkëpunimit që ka pasur me artistin dhe duke e njohur atë dhe punën e tij, përzgjedhja e punimeve nuk ka qenë fare e vështirë.
Sipas artistit, e gjithë ideja ka filluar prej një punimi ose një vizatimi si dizajn për një dizajn një tatuazh, e prej saj ka evoluuar e tërë ekspozita.
“Kjo është një pjesë e vogël e gjitha atyre punimeve që i kam, e këto janë të zgjedhura vetëm për këtë ekspozitë. Ka edhe shumë punime të tjera që janë adekuate, por nuk i përshtaten këtij koncepti dhe seleksionimi i këtyre punimeve bëhet ne bazë të grupacioneve dhe në këtë rast ia kam besuar kuratores që të bëjë përzgjedhjen dhe konceptin e komplet ekspozitës. Kjo është hera e parë që dikujt i kam thënë: ‘Je e lirë dhe mund të bësh çfarë të duash.’ E kjo nganjëherë shkakton dhimbje, sepse t’i heq një pjesë të punimeve, të cilat unë nuk do të kisha mundur t’i heq. Kurse Arta ka bërë seleksionimin e këtyre veprave, të cilat po i shihni këtu në këtë ekspozitë. E çfarë do të bëjmë më vonë, akoma nuk e dimë”, ka thënë Balaj në vernisazhin e ekspozitës.
Ka treguar se si ka kaluar nga muzika në art dhe se kjo është vetëm një vazhdimësi e muzikës death-metal, aty është baza e antropomorfit dhe mënyrës morbide të paraqitjes dhe e gjitha rrjedh nga muzika.
Muzika dhe arti vizual, sipas tij, janë një pjesë, janë art. Dallon vetëm mënyra e realizimit.
“Njëra është me sound, njëra është më vizatim, njëra pikturë, për mua është një koncept, dallon vetëm mediumi dhe teknika është tjetër. Sa i përket ekspozitës së radhës, një herë dua të pushoj, por jo edhe aq gjatë. Me shumë gjasë, në fund të javës tjetër mund të filloj të mendoj për një ekspozitë tjetër”, ka thënë Balaj.
Ekspozita, sipas kuratores Agani, është një kapitull idesh të reja të artistit Balaj.
“Ka dalë pak prej asaj komfort-zonës së vet, mirëpo prapë ka mbetur te temat, të cilat janë më pak gjithëpërfshirëse, paksa universale dhe gjithmonë trajtojnë një botë të brendshme dhe një botë të panjohur, kështu që ajo ka qenë pjesa, e cila më ka interesuar në këto vizatimet që janë të paraqitura, të cilat kanë filluar të vizatohen prej një vizatimi të vetëm dhe i cili ka qenë vizatim për tatuazh”, ka thënë Agani.
Ajo ka theksuar se qëllim ka pasur ta theksojë multidimensionalitetin e artistit sot. Kjo sepse, sipas saj, sot artisti nuk është aq i rëndësishëm sa është vepra, ndërsa vepra është derivat i rrethanave, të cilat i krijon artisti. Sipas Aganit, meqë mediumi më nuk është i rëndësishëm, edhe artisti është paksa i detyruar që ta gjejë veten jo vetëm në pikturë a në vizatim, por edhe në mbretërinë digjitale, në botën digjitale.

“Prandaj, mendoj se autori i ekspozitës e ka përballuar këtë ndryshim shumë mjeshtërisht. Në këto vizatime e mban nënshkrimin e vet, natyrën e vet, e që është definimi i detajshëm i formave, të cilat janë paksa të çuditshme, ku shihet një ndikim i heavy – metalit. E dimë se Artani një kohë ka performuar edhe në atë zhanër muzikor, pastaj ka ndikim të historisë së elementeve të runave kelte, pastaj materialeve që janë metalike të errëta. Të gjitha ato janë transformuar në disa që unë i quaj organizma, të cilat në disa vizatime janë njëqelizore, ndërsa të tjerat janë shumëqelizore”, ka thënë ajo.
Përveç vizatimeve që janë të ekspozuara, ka edhe punime të tjera që janë paraqitur në pikturë si pëlhura. Të shpërndara në njëfarë lloji universi paralel dhe për atë arsye janë quajtur antropomorf. Mund të shihen se kanë elemente që kujtojnë njerëzoren, por prapë mungojnë, janë forma të panjohura, janë organizma apo specie të reja, të zbuluara nga artisti. Kuratorja ka thënë se në skenën artistike vendore ende nuk vlerësohen disa gjëra e nuk thyhen disa standarde.

“Te ne akoma artistët hezitojnë ta përdorin teknologjinë për të krijuar art, sepse u duket si përulëse, sikur ua ofendon botën kreative. Gjatë tërë historisë së artit, ata i kanë përdorur mjetet që i kanë pasur në dispozicion. Ndoshta edhe Rubens sikur të kishte pasur një kamerë, e kishte përdorur për të bërë një video-art. Edhe sot, artistët përdorin teknologjinë maksimalisht dhe nuk kanë më kufij për realizimin e ideve të tyre. Nëse do të mund ta definoja me një fjali këtë punë, kisha për të thënë një detajist në një kaos të përgjithshëm. Kaos i përbërë prej detajeve që janë zhvilluar me një proces interaktiv që është tërë kohën duke u perfeksionuar”, ka thënë Agani.
Në fillet e karrierës, tjetër kishte Artan Balaj, i lindur më 1977 në Prishtinë ku kreu studimet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Siç shkruhet edhe në tekstin kuratorial, nisi me piktura monumentale ekspresive, por që ka vazhduar të hulumtojë në medie të tjera, siç është mënyra e shprehjes përmes fotografisë minimale abstrakte.
“Pas zhvendosjes në Antwerpen të Belgjikës, krijimtarinë e vazhdon me teknika të reja, të cilat oscilojnë për nga stili mes një lloj pointilizmi abstrakt dhe teksturave futuristike me elemente astrofizike dhe të fantashkencës”, shkruhet aty. E, “ajo që shihet në ekspozitën ‘Antropomorf’ është një studim i detajuar interaktiv, i cili kronologjikisht paraqet matriksat dhe kopjet, klonet e shumëfishuara, të cilat transformohen duke u bashkuar në struktura të reja më komplekse”.
“Derisa vizatimet paralajmërojnë, instalacioni përfaqëson vetë transformimin, ndërkaq pikturat në një formë e paraqesin të ardhmen e universit, tani të përfshira nga antropomorfet”, shkruhet aty. Bota e Artan Balajt tashmë është hapur në “Open Art”.