“Jam ndalur jo pak në antropologjinë ekonomike, një gjë që disi edhe i mungon sferës sonë për faktin që nuk kemi një analizë mbi jetën ekonomike, por meqë jemi në kohën e njeriut ekonomik, neve na mungon kjo ndalesë. Ne nuk e kemi shtrirë këtë kapacitet, këtë dije antropologjike pikërisht te njohja dhe interpretimi ekonomik”, ka thënë antropologu nga Tirana në përurimin e librit të tij “Antropologjia mbi veten dhe tjetrin” i cilësuar si një kapitull i ri në studimet antropologjike shqiptare
“Antropologjia mbi veten dhe tjetrin” vjen si botim i veçantë në Prishtinë, ndalet tek ajo që quhet antropologji ekonomike dhe për këtë çmohet, përderisa është vetëm një kapitull i një kolane të tërë. Me autor antropologun Nebi Bardhoshi, vepra reflekton mbi rëndësinë, historinë dhe të ardhmen e hulumtimit në lëmin e antropologjisë sociale dhe kulturore të Shqipërisë.
“Antropologjia...” u promovua të enjten pasdite në librarinë “Dukagjini” në prani të studiuesve e studentëve. Aty është bërë e ditur se në këtë botim trajtohet antropologjia shqiptare e zhvilluar nga studiues vendës, ndonëse është konsideruar se qëllimi kryesor është diskutimi mbi qendrat kryesore se ku duhet të zhvillohet dija antropologjike në Shqipëri.
Ky botim sapo ka dalë nga shtypi nga botimet “Cuneus” në gjuhën shqipe dhe në atë angleze është përkthyer nga Carrie Ann Morgan.
Autori Bardhoshi ka thënë se kjo është hera e parë që boton në Kosovë dhe se për këtë ndihet i privilegjuar.
“Jam ndalur jo pak në antropologjinë ekonomike, një gjë që disi edhe i mungon sferës sonë për faktin që nuk kemi një analizë mbi jetën ekonomike, por meqë jemi në kohën e njeriut ekonomik, neve na mungon kjo ndalesë. Ne nuk e kemi shtrirë këtë kapacitet, këtë dije antropologjike pikërisht te njohja dhe interpretimi ekonomik”, ka thënë ai para të pranishmëve.

Ka bërë të ditur se ky botim është bazuar në ligjëratën e mbajtur më 14 tetor të 2021-tës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në ngjarjen që ishte në kuadër të Akademisë së të Rinjve.
“Përveç një vëzhgimi historik që i kam bërë se si u panë shqiptarët, jam ndalur shumë te prodhimi i dijes etnografike dhe përcaktimi i statusit të shqiptarit si vetja dhe si tjetri, parë nga studiuesit e huaj. Kam marrë disa shembuj konkretë, për shembull termin ‘tepri’ që është përdorur shumë në vitet ’20 e ’30 edhe në arkeologji e etnografi. Ka qenë pjesë e diskursit për të treguar diçka që ka ekzistuar, arkaike, që është e pafunksion dhe si u shndërrua termi ‘mbeturinë’ gjatë socializmit”, ka thënë Bardhoshi derisa ka folur për kolanën.
Bardhoshi është ligjërues, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit në Tiranë. Ka botuar monografitë “Gurtë e Kufinit: kanuni, pronësia, strukturimi social” në vitin 2011, “Antropologji e Kanunit” në vitin 2015 e 2016 dhe “Etnografi në diktaturë: dija, shteti dhe ‘Holokausti Ynë’ së bashku me studiuesin Olsi Lelaj në vitin 2018.
Në kapitullin e parë të monografisë “Antropologjia mbi veten dhe tjetrin” trajtohet etnologjia, antropologjia dhe shoqëria post-socialiste. Kapitulli i dytë përfshin tri fushat në kohën e sotme si dhe tjetri kapitull atë që autori e quan “Kthesat dhe kthinat antropologjike”. Kapitulli i fundit është “Shoqëria, kultura, natyra: ose tre Të tjerë”.
“‘Antropologjia mbi veten dhe tjetrin’ është një paraqitje e trajektoreve të studimeve antropologjike shqiptare në dekadat e fundit (një brezni e re, një antropologji plurale), dhe një skicë për katër temëza si ftesa për thellime të mëtejshme, që mundësojnë shtegtime antropologjike mbi shoqin, politikën, ekonominë dhe natyrën”, shkruhet në pjesën e pasme të librit, si përmbledhje e shpjegim i shkurtër për të.
Antropologu e ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Arsim Canolli, ka thënë se ngjarja vjen në kuadër të këtij muaji për të cilin ka thënë se e kanë vetëshpallur si “Muaj të antropologjisë”.
“Është gëzim pasi është një kolanë e re, mendoj se është unike për faktin se vjen në një formë që nuk e kemi pasur deri më tani, pra monografi të shkurtra, të cilat dalin nga një punë e gjatë dhe e ngeshme etnografike. Është monografia e parë antropologjike mbi veten dhe tjetrin në gjuhën shqipe dhe e përkthyer në gjuhën shqipe. Po ashtu është një kolanë që sjell edhe katër monografi të tjera, të cilat kanë tema specifike. Njëra për luginën e Valbonës. Autori pa reshtur ka bërë monografi, jo vetën në Shqipëri, dhe këto monografi që do të na vijnë si kolanë, janë pasqyrim i gjithë kësaj pune vite me radhë, gjashtë apo shtatë vjet”, ka thënë Canolli.
Sipas tij, monografia dhe të tjerat që priten të botohen nga Bardhoshi janë interpretime të thukëta për atë se çfarë ka ndodhur së fundi në Shqipëri.
“Përndjell kërshërinë e të gjithë neve për arsye se antropologjia gjithmonë është marrë me tjetrin. Kur ka nisur si përpjekje për të atlasëzuar kulturën, diversitetin kulturor, të nxjerrë në pah fise, popuj të vegjël, por edhe popuj të mëdhenj. Në antropologjinë shqiptare, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, ne gjithmonë jemi marrë me veten. Por ne jemi marrë me tjetërzimin që kemi pasur brenda, me mënyrën si e kemi shpallur tjetër shqiptarin e Shqipërisë, mënyrën se si është kolektivizuar dhe dekolektivizuar toka në bordin e kufirit, me njeriun e Kanunit, mënyrën se si mund të bëhet një lloj njeriu i mirë si dhe antropologjinë e Kanunit”, ka thënë Canolli.
Këto ditë u promovuan edhe librat e tjerë në fushën e antropologjisë - “Religjioni dhe politikat e identitetit në Kosovë” i Ger Duijzings dhe “E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës” nga Janet Reineck.