Kulturë

“Antologjia e fotografisë shqiptare” për dokumentimin e historisë së imazhit

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Qendra e Studimit të Arteve e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e historisë së fotografisë shqiptare

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Qendra e Studimit të Arteve e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë janë bashkuar për përpilimin e një antologjie të parë retrospektivë të fotografisë shqiptare

Tri institucione të Shqipërisë janë marrë vesh për të punuar në projektin e përbashkët “Antologjia e fotografisë shqiptare”. Është Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Qendra e Studimit të Arteve e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e historisë së fotografisë shqiptare.

Marrëveshja është nënshkruar në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë të mërkurën nga drejtori i “Marubit”, Luçjan Bedeni, drejtoresha e ATA-s, Valbona Zhupa dhe anëtari i asocuar i Akademisë së Shkencave, Stefan Çapaliku, i cili udhëheq edhe Qendrën e Studimit të Arteve. 

Sipas Çapalikut, fotografia nuk ka qenë në fokus të studimeve ashtu siç e meriton.

“Jemi shumë të lumtur që pritëm iniciativën nga dr. Bedeni për të pasur një bashkëpunim në përpilimin e një antologjie të parë retrospektivë të fotografisë shqiptare. Arkivi më i madh i fotografisë shqiptare gjendet në muzeun ‘Marubi’ në Shkodër, por një arkiv mjaft i pasur i fotografisë gjendet pranë ATSH-së. Me këto dy burime dhe të tjera të ndërsjella që do të vijnë nga kërkimet tona si Qendër e Studimit të Arteve, do mund t’i dalim që brenda një kohe dyvjeçare të kemi këtë vepër shumë të rëndësishme të fotografisë”, ka thënë ai pas nënshkrimit të marrëveshjes. 

Drejtori i “Marubit”, Luçjan Bedeni, ka thënë se pas arkivit të Muzeut është arkivi i ATSH-së, që dokumenton kryesisht historinë e realizmit socialist shqiptar prej vitit 1953 deri më 1990 dhe vitet e mëtejshme. 

“Nëse do të fillonim të punonim për një histori të artit të fotografisë do të ishte me rëndësi të vendosnim disa pika mbi ‘i’ që i kanë munguar edhe vetë ‘Marubit’. Kur ka munguar informacioni bazë për të, imagjinoni se çfarë ka ndodhur me shumë autorë të tjerë të cilët nuk janë hulumtuar”, citohet të ketë thënë Bedeni.

Sipas raportimit të ATSH-së, drejtoresha e kësaj agjencie Valbona Zhupa ka thënë se ndonëse kjo antologji është e vonuar, do të risjellë në kujtesë emrat e fotografëve si dhe dëshminë e punës së tyre të çmuar.

“Agjencia Telegrafike Shqiptare është agjencia e vetme zyrtare në vend, që daton nga viti 1912. Arkivi i saj është jashtëzakonisht i pasur, me mbi 260 mijë foto dhe negativë të cilat aktualisht janë në proces digjitalizimi. Kjo do të ndihmojë jashtëzakonisht studiuesit, historianët, por pse jo edhe turistët që të njihen me këtë periudhë të realizmit socialist”, citohet të ketë thënë Zhupa. Sipas saj, antologjia do të risjellë në kujtesë emrat e fotografëve, disa prej të cilëve nuk janë në jetë, por që puna e tyre është në arkiv.

ATSH do të ketë një rol të rëndësishëm në promovimin e studimit të fotografisë, por edhe për të treguar një narrativë të plotë dhe autentike për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë”, citohet të ketë thënë Zhupa.

Siç bën të ditur ATSH-ja, në kuadër të realizimit të projektit shkencor “Antologjia e fotografisë shqiptare”, do të organizohen vizita dhe takime në institucionet të cilat disponojnë arkiva fotografike, me qëllim hulumtimin e imazheve të përshtatshme për botimin. Po ashtu do të organizohen takime të përbashkëta për të diskutuar strukturën që do të ketë botimi dhe përmbajtjen e tij, si edhe do të organizojnë bashkërisht, biseda të hapura për publikun me qëllim njohjen dhe promovimin e botimit.