Kulturë

Ansambli Kombëtar i Shqipërisë bashkon trevat me këngë e valle në Gjakovë

Ansambli Kombëtar i Shqipërisë

Grupi i valltarëve e kanë nisur koncertin me vallen “Ditë feste në Tiranë”. Është një valle me lëvizje më të ngadalta e muzika më popullore. Shpesh krejt publiku në sallë është bashkuar në ritmin e muzikës me duartrokitje (Foto: Shkëlzen Rexha)

Kurdo që shfaqet koreografia e vallëzimit tradicional e jehon kënga shqipe, ruajtja e trashëgimisë shpirtërore vjen si mesazh që bartet te brezat e rinj. E tillë ka qenë paraqitja e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë në Gjakovë. Në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” janë shpalosur perlat e trashëgimisë shpirtërore të të gjitha trevave shqiptare në kuadër të Festivalit të kulturës shqiptare “Ditët e nëntorit”. 

Publiku i Gjakovës nuk mungon. Si në shfaqje teatrale, në koncerte e çka jo tjetër e mbush hapësirën. Salla, të paktën për nga kapaciteti i ulëseve, është më e madhja në vend, është thuajse përherë plot. Kështu ka ngjarë edhe në koncertin e së shtunës mbrëma kur ka performuar institucioni shtetëror shqiptar i këngëve dhe valleve. 

Grupi i valltarëve e kanë nisur koncertin me vallen “Ditë feste në Tiranë”. Është një valle me lëvizje më të ngadalta e muzika më popullore. Shpesh krejt publiku në sallë është bashkuar në ritmin e muzikës me duartrokitje. 

Ansambli i valltarëve gjithashtu ka sjellë vallen “Te burimi - Valle Çame” dhe vallen e njohur “Festë e madhe”.  Në këto paraqitje, përtej koreografisë unike ku tradita vjen e përpunuar dhe e hijeshuar edhe më shumë, veshjet janë tjetër rrëfim. Ansambli në këtë formë i ruan e i promovon ato. Këngëtarët, instrumentistët e valltarët sjellin mozaikun e veshjeve të krejt trojeve shqiptare. 

Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, Sokol Marsi, e ka konsideruar koncertin në Gjakovë si mbrëmje të veçantë. Ka thënë se kanë prezantuar traditën e të gjitha trevave shqiptare. 

“Jemi shumë të kënaqur pasi Gjakova gjithmonë e ka mirëpritur Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, kjo është një skenë shumë e bukur, e mbushur plot me dashuri, me një publik të mrekullueshëm dhe për këtë jemi shumë të kënaqur. Sigurisht se ne interpretuam një program nga të tri trevat e Shqipërisë, duke përfshirë jugun, Shqipërinë e mesme, veriun. Domethënë, nga Tropoja dhe Malësia e Shqipërisë, nga Gjakova e deri në Çamëri”, ka thënë Marsi. 

Grupi koral ka sjellë “Kolazh shkodran” që interpretojnë me zëra lirikë këngë si “Lule bore”, “Si dukat i vogël je” e “Mora mandolinën”. Në kor janë sjellë edhe këngët “Çorapet me vija” e këngë iso-polifonike. 

Iris Bega ka kënduar këngët “Dy lule pas malit” dhe “Jam bandill” ndërsa Adela Bezhani këngën “Më ka zën maraku”. Asaj i është bashkuar Aranit Hoxha në këngën “Një lule” që është sjellë si duet. 

Hoxha ka interpretuar solo këngët “Më ka shku mendja me fejue” dhe “Bishtalecat palë-palë”. Publiku e ka duartrokitur e brohoritur fort performancën e tij gjë që e ka emocionuar atë në skenë. 

“Sot jam emocionuar shumë. Në gjithë karrierën time artistike është hera e parë që kam qarë në skenë, jam mbushur me lot, sepse e patë pritjen e publikut, çfarë ndjesie e mrekullueshme që artisti rrallëherë merr në këtë kohë që jemi sot”, ka thënë ai. 

Publiku i ka kërkuar edhe një këngë tjetër, e Hoxha e ka përfillur kërkesën e tyre. 

“Sot kam interpretuar disa materiale, por kulminante, ajo me të cilën më ktheu publiku me duartrokitje ishte ‘O bylbyl, o i bukuri i shpenve’ që ishte shumë bukur”, ka thënë Hoxha. 

Këngën “Hajredin Pasha” e ka kënduar Lek Pecnikaj me përcjellje nga grupi vokal e pas kësaj pike, një trio e këngëtarëve kanë sjellë këngë qytetare vlonjate. Pikat solistike janë mbyllur me “Bilbili këndon në prill - Kolazh” nga Denisa Gjezo. 

Koncerti kulmon kur këngëtarët, orkestra e valltarët kompletohen si formacion në interpretimin e valles ““Festë e madhe”. Drejtori Marsi e ka vlerësuar programin me shumë ngjyra. 

“Programi ishte në të tre elementet, në këngë kishim grupin vokal i cili performoi korale, pati këngë polifonike, po gjithashtu edhe valle shumë të bukura siç është vallja me motive çame apo valle me motive të Shqipërisë së mesme dhe sigurisht vallja emblemë e ansamblit dhe e gjithë Shqiptarisë, vallja ‘Festë e madhe’. Po kështu patëm një instrumental nga trevat e veriut me bilbil. Kështu që ishte një program i larmishëm dhe me shumë ngjyra”, ka thënë Marsi, duke bërë të ditur se planifikojnë që në Gjakovë të kthehen shpejt për shkak të “mikpritjes së jashtëzakonshme”.

Orkestra e Ansamblit dëshmon profesionalizmin dhe përfaqëson ritmet e pastra të muzikës shqipe me një pikë instrumentale. Kanë interpretuar “Kaba instrumentale” ku loja e fyellit solo është veçuar.

Lahuta si instrument autokton është pjesë e këtij formacioni. Lahutisti Ermal Sela ka thënë se koncertet e tyre janë promovim i muzikës tradicionale e folklorike te brezat e rinj. 

“Ansambli luan muzikë nga të gjitha trevat shqiptare, e sjell të përpunuar dhe në mënyrë skenike. Kjo bën të mundur sjelljen në skenë të trashëgimisë që brezi i ri të njoftohet me to”, ka thënë Sela, derisa e ka vlerësuar pritjen nga publiku i Gjakovës. 

“Një pritje e jashtëzakonshme. Ansambli i Këngëve dhe Valleve ruan traditën muzikore tradicionale shqiptare, por jo vetëm. Sigurisht e sjell të përpunuar për publikun në formë skenike. Pritja ishte e jashtëzakonshme. Ne gjithmonë në Gjakovë kemi kaluar mirë, por sa herë që vijmë, ngelemi akoma më të kënaqur”, ka thënë ai. 

Derisa ka folur për instrumentin të cilin e zotëron, ka thënë se kohëve të fundit, nuk ka interesim për lahutën, sikurse edhe për instrumentet tradicionale në përgjithësi. 

“Kohët e fundit ka një zbehje dhe mosinteresim për instrumentet tradicionale folklorike shqiptare, siç është edhe lahuta. Bartësit janë disa, jo shumë, nuk mund të themi se nuk ka, por gjithmonë numri është në zbehje edhe për shkak të zhvillimit të teknologjisë. Por unë ndihem krenar që jam pjesë e ansamblit dhe mundem që këtë instrument ta transmetoj te brezi më i ri”, ka thënë lahutisti Ermal Sela. 

Koncerti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë ka qenë i dyti me radhë në programin e festivalit “Ditët e nëntorit”. Ngjarja nisi me 19 nëntor kur u dha opera “Goca e Kaçanikut” e akademik Rauf Dhomit. Programi vazhdon me grupin “Saz’Iso” më 28 nëntor e një ditë më pas, do të mbahet gala-koncerti me këngë lirike. Festivali mbyll programin më 30 nëntor me një fjalim motivues e festë me muzikë e ushqime shqiptare. 

Ndërkohë në kuadër të ngjarjes zhvillohen edhe panele diskutimi e  promovime librash. 

Ermal Hasimja, anëtar i organizatës “Fondacioni për Gjakovën” që e organizon festivalin, ka thënë se nëpërmjet artit e kulturës, synojnë ta gjallërojnë Gjakovën. 

“Nëntori është muaj i rëndësishëm, kryesisht për shkak të festës së Pavarësisë, por gjithsesi është në kuadër të aktiviteteve që janë menduar të organizohen nga ‘Fondacioni për Gjakovën’. E filluam me ‘Ditët e shqiptarit’ në verë, do të ketë të tjera edhe në pranverë e në verë. Do të jetë një cikël i përhershëm aktivitetesh kulturore, sepse qëllimi i punës së fondacionit është pikërisht që Gjakova në një mënyrë të kthehet në kryeqytet kulturor të shqiptarëve pasi është qytet që ka gjithë pasurinë e vlerat, ka çfarë të tregojë”, ka thënë ai

Hasimja ka thënë se me hartimin e programit kanë synuar që të bëjnë bashkë të gjithë publikun me aktivitete të ndryshme që shfaqin kulturën shqiptare. 

“Janë katër evente të mëdha. Opera ‘Goca e Kaçanikut’ ishte e para, sonte ishte Ansambli i Këngëve dhe Valleve nga Shqipëria që është një ansambël që gjatë gjithë kohës jep shfaqje, ka qenë në 50 vende të botës, janë profesionistë të kësaj fushe dhe që na krijon një mozaik të gjithë kulturës së shqiptarëve në përgjithësi. Kemi grupin ‘Saz’iso’ që është grupin e mrekullueshëm që janë shumë më aktivë në skenën ndërkombëtare, e që jemi shumë të lumtur që do t’i sjellim në Gjakovë pikërisht më datë 28 dhe pastaj një gala-koncert me muzikë lirike, me këngëtarët më të mirë të muzikës lirike”, ka thënë Hasimja. 

“Ditët e nëntorit” është organizuar për të parën herë dhe synon të jetë ngjarje tradicionale.