Me përvojë të jashtëzakonshme pune në “Cartoon Network”, “Disney” dhe “Warner Bros”, animatorja Brooke Keesling javën e ardhshme do të vijë në Kosovë. Me edicionin e sivjetmë të “Anibarit” si sebep, amerikania 52-vjeçare është njëra nga pesë krijuesit që do të mbajnë prezantime në ngjarjen e këndshme që zë vend në qytetin e Pejës. “Më pëlqen që po vij në Kosovë për të folur mbi karrierën dhe animacionin, si dhe për atë se çka iu duhet për të punuar në animacion”, ka thënë Keesling përmes një videoje drejtuar dashamirëve të “Anibarit”
Dy ditë para se “Anibari” të hapë siparin, trenit të mysafirëve i është bashkuar edhe një emër i veçantë nga bota e animacionit. Kreatorja, animatorja dhe regjisorja amerikane, Brooke Keesling do të jetë pjesë e ngjarjes së shënuar kulturore në Pejë.
Lajmi është bërë i ditur pasditen e së mërkurës nga ekipi për media i festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”.
Kështu, artistja nga Los Angeles, e cila është e përfshirë edhe në filma të njohur që ishin fitues të çmimeve “Oscar” e “Emmy”, si “Inception”, “The Dark Knight” dhe “Pirates of the Caribbean”, bëhet pjesë e edicionit të 12-të nëpërmjet shpalimit të përvojës së saj profesionale në botën e animacionit. “Izolimi” është tema e sivjetme e “Anibarit”, që vjen si kontrapunkt i situatës me pandeminë. Keesling pritet ta mbajë ligjëratën e saj të enjten e javës që vjen.
Përmes një videoje drejtuar dashamirëve të festivalit, Keesling është shprehur e lumtur që do të vijë javën e ardhshme në Kosovë.
“Më pëlqen që po vij në Kosovë për të folur mbi karrierën dhe animacionin, si dhe për atë se çka iu duhet për të punuar në animacion”, ka thënë Keesling, e cila është drejtuese e “Animation Talent Development” në Bento Box Entertainment.
Animatorja 52-vjeçare ka shtuar se në Kosovë mund të ketë rregulla të tjera nga Shtetet e Bashkuara sa i përket këtij arti, por, siç ka thënë ajo, “jam e lumtur të flas për gjithçka rreth kësaj”.
Për dekada me radhë, Brooke Keesling ka punuar si artiste në animacion dhe industrinë VFX, në produksion, edukim, si dhe zhvillimin e talenteve.
Para se të bëhej pjesë e “Bento Box Entertainment”, ajo ka rekrutuar talente të animacionit për Cartoon Network, Disney dhe Warner Bros. Sipas biografisë së saj të afishuar në faqe të ndryshme, Keesling ka fituar gradën e masterit në arte të bukura në CalArts, aty ku prodhoi filmin “Boobie Girl”, që fitoi në “Student Academy Awards” (SAA) në qershor të vitit 2001.
Filmi i saj 5-minutësh është një perspektivë komike mbi një subjekt jo të shpeshtë: zhgënjimi nga të pasurit gjinj tepër të mëdhenj.
Është një lloj tregimi i copëzuar mbi një vogëlushe që ka qejf të ketë gjinj të mëdhenj kur të rritet – një ëndërr kjo që i bëhet realitet, por pastaj ajo i urren ata dhe i heq. Si një version fiksional i vetë rrëfimit të Keeslingut, “Boobie Girl” kishte qenë një nga filmat më të pëlqyer të audiencës në Beverly Hills.
Është zëvendëspresidente e “ASIFA Hollywood”, anëtare e “Women in Animation”, në bordin këshillues të GLAS Animation Festival, kurse tani ligjëron në departamentin e animacionit të karaktereve në CalArts.
E caktuar vitin e kaluar në “Bento Box”, Keesling është përgjegjëse për zhvillimin dhe rritjen e talenteve artistike, si dhe marrëdhëniet e brendshme me artistë.
Si fituese e çmimit SAA, Keesling është vënë në gjurmë të talenteve të ndryshme në tubime arti e animacioni, festivale, si dhe ngjarje të tjera të industrisë.
Filmi i saj i formatit “stop-motion” i quajtur “Meatclown” ishte në një prej kulteve klasike në Atomfilms.com.
Deri në diplomimin e saj në CalArts, Brooke ka punuar në efekte pamore praktike e minaturiale në filma të tillë si “Inception” (fitues i katër çmimeve në “Oscar” më 2011 dhe një nominim për “Emmy” po të njëjtin vit), “Hugo” (fitues i pesë çmimeve në “Oscar” më 2012 dhe një nominim për “Emmy”), “The Dark Knight” (fitues i pesë çmimeve në “Oscar” më 2009 dhe një “Emmy” po atë vit) dhe “The Aviator” (fitues i pesë çmimeve në “Oscar” më 2005).
Ndryshe nga e premtja, deri në fund të muajit ditët e “Anibarit” do të përshkohen nga shfaqja e rreth 300 filmave të animuar që janë përzgjedhur nga 1 mijë e 413 sa ishin dërguar nga e gjithë bota. Ata janë pjesë e nëntë kategorive, gjashtë prej të cilave janë me karakter garues: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut.
Për këtë edicion “Anibar” do të ketë premierat botërore si “Raft” nga Marko Mestroviq, si pjesë e Garës Ballkanike e “Error” nga Lucie Vostárková në Garën Studentore. Po në këtë të fundit është edhe “Red Shoes” nga Anna Paděrová, që vjen në Kosovë pas premierës në Festivalin e Filmit në Cannes.
Programi i këtij viti përfshin filma që janë shfaqur, nominuar e që kanë fituar çmime në “Annecy International Animation Film Festival”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Sundance Film Festival” dhe shumë të tjerë.
Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar, “Anibar” shtrihet në pesë kinema, tri prej të cilave në ambient të hapur: kinema “Liqeni”, kinema “Kubat”, që gjendet në parkun e qytetit dhe kinemaja “Urban”.
Javën e kaluar, ekipi i “Anibarit” ka njoftuar se edicionin do ta nisë me pesë prezantime të veçanta, ku, përveç Keeslingut, do të jenë pjesë edhe Jurgen Halger, Lori Malépart, Frédéric Schuld dhe Mauro Carraro.
Po ashtu, ky edicion do të sjellë edhe katër programe speciale, si: “Brazen”, “Variations of Isolation”, “YOU ANIMAL” dhe “Experimental”, të cilat, sipas organizatorëve, do t’i japin audiencës së festivalit një përvojë të shkëlqyer artistike të animacionit.