Kulturë

Animacioni s’i shemb dot dallimet gjinore as në ekran të madh

Anibar

“Të papaguara dhe të padukshme” ka qenë tema e debatit të parë në “Anibar” i mbajtur të mërkurën, në Galerinë e Arteve në Pejë

Gratë në një anë, burrat në tjetrën, kanë një hendek në mes. S’e gjejnë dot gjuhën e përbashkët as në një film të animuar. Më keq është në debat. Përgjegjës kryesor për gjendjen e grave janë bërë burrat edhe në një ngjarje si “Anibari”, që sivjet thërret “Shembe patriarkatin!”. Prej thirrjes për refuzim të punëve të padukshme deri te kritikat ndaj shtetit kanë qenë kryefjalë e diskutimit, por pa dhënë një propozim se si të dilet prej kësaj gjendjeje. Pikërisht njashtu sikurse në animacionin “Drijft”, ku burrë e grua mbesin në det të hapur. Në ditën e tretë personazh kryesor ka qenë edhe producenti i njohur francez Oliver Catherin

Thirrja është e drejtpërdrejtë, sikurse ajo e temës së ngjarjes, ku zë vend paneli. “Mos i bëni punët e shtëpisë”, u është bërë thirrje sidomos vajzave. Kjo ka ardhur nga aktivistë që bëjnë thirrje për barazi.

Të mbledhura në një panel të titulluar “Të papaguara dhe të papara”, tri paneliste e një moderatore nëpërmjet Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar u janë drejtuar grave e vajzave. Kanë qenë 100 për qind në sinkron me temën e sivjetme të “Anibarit”: “Shembe patriarkatin!”. Galeria e Artit në Pejë zor të ketë qenë ndonjëherë hapësirë më agresive në raport me avokimin për të drejtat e grave.

Ndaj burrave është bërë me gisht gjatë gjithë kohës si përgjegjësit kryesorë për gjendjen e grave. Të pasigurt e të brishtë burrat janë paraqitur edhe në një program të festivalit gjatë ditës së mërkurë, në ditën e tretë të ngjarjes.

“Të papaguara dhe të padukshme” gjashtë orë në ditë

Moderatorja e panelit të parë të këtij edicioni, Mirishahe Syla, e ka hapur diskutimin duke shpalosur të dhëna që, sipas saj, tregojnë se katër deri në nëntë orë në ditë shkojnë për përkujdesje te të gjithë njerëzit. Sipas saj, te gratë mesatarja është gjashtë. Këto punë janë të papaguara e të padukshme. Për këtë janë pajtuar në kuartet bashkë. Fajin për këtë ekonomi, dihet, burrat. Bile “as Adam Smith, kur ka bërë teoritë me nam në ekonomi, nuk e ka llogaritur se gjatë asaj kohe nëna ia përgatiste darkën”.  
Si aktiviste për të drejtat e njeriut e avokuese e madhe për të drejtat e grave, Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se është shumë mirë që ky diskutim po bëhet me të rinjtë. 

“Puna e papaguar, e kujdesit, e padukshme, janë punë. Shteti ynë nuk ka një politikë të qartë për punën e papaguar, të padukshme e atë të lindjes së fëmijëve. Diskursi si aktiviste nuk më pëlqen”, ka thënë ajo. Sipas Demollit, matjet që janë bërë nuk janë të sakta. Ka thënë se nuk mund t’i pyesësh gratë për punën e papaguar pa ua shpjeguar konceptin. 

“Në Kosovë gratë janë të punësuara diku 14 për qind. Gratë shumica në Kosovë janë mësuese, infermiere e shitëse, që i bie se janë në punë, që janë zgjatime të punëve të shtëpisë”, ka thënë ajo. Më pas ka pasur thirrje të prerë: “Mesazhi im këtu sot është që vajzat të ndjekin karrierën e të largohen sa më shumë nga punët e padukshme. Mos i bëni punët e shtëpisë! Kur t’ju thonë: ‘Fshini e gatuani’, ju u thoni se jeni duke mësuar”, ka thënë ajo.  

Fokusimi direkt te burrat për t’i lexuar ata është më i rrallë. Sivjet një seri prej pesë filmash të animuar, që kanë veç këtë perspektivë, e ka sjellë “Anibari”.  “Çfarë janë burrat?” titullohet programi i veçantë i kuruar nga Luce Grosjean

Ekonomistja Dita Dobranja ka thënë se puna e papaguar mund të shihet si subvencioni më i madh i ekonomisë botërore. Sipas saj, kjo është gati komplet në krah të grave. 

“Ekonomia që e shijojmë në krejt botën qëndron në krahët gjigantë të grave. Diku rreth 33 për qind e brutoproduktit të Kosovës është puna e papaguar. Nëse do të paguhej puna e përkujdesjes, atëherë do të rritej ekonomia financiare e botës”, ka thënë ajo. Sipas saj, nëse gratë nuk e bëjnë punën e përkujdesjes, atëherë do t’u binin barrë shtetit dhe ekonomia do të ishte ndryshe. 

“Problemi i punës së papaguar e të paparë është se e marrim të mirëqenë”, ka thënë ajo. 

Kurse aktivistja Hana Bacaj, midis të tjerash, ka thënë se historikisht gjërat që kanë ndodhur brenda familjes nuk janë diskutuar për politikat publike, andaj ka mbetur puna e padukshme. 

“Kjo temë është shumë e papërmendur. Ekonomia e kujdesit është shumë temë e gjerë. Së pari është dashur të bëhej njohja e kësaj pune. Por, s’ka hulumtim nga institucionet”, ka thënë ajo.  

Burrat të pasigurt dhe të brishtë

Katërshja i ka pasur mesazhet e qarta, përderisa te disa filma gjatë ditës autorët nuk kanë qenë kaq precizë në produktet e tyre sa aktivistet në këshillimet për të rejat. 

Pikëpyetjet janë të shumta kur analizohen njerëzit, sidomos ana emocionale ose e brendshme e tyre. Në shumicën e rasteve filmat nxjerrin në pah histori, fenomene  a situata të ndryshme grupore e individuale. Por, fokusimi direkt te burrat për t’i lexuar ata është më i rrallë. Sivjet një seri prej pesë filmash të animuar, që kanë veç këtë perspektivë, e ka “Anibari”. 

“Çfarë janë burrat?”, titullohet programi i veçantë i kuruar nga Luce Grosjean. Marrë parasysh temën e këtij edicioni të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar, animatorja franceze ka bërë një përzgjedhje të filmave të cilët jo veç që merren me burrat, por edhe për autorë kanë burrat. Pasiguria e brishtësia e tyre janë në qendër të vëmendjes. Normale që në kohën kur shkon “flakë” diskutimi për seksualitetin e të drejtat e grupeve të margjinalizuara, regjisorët kthejnë kokën nga këto tema. Pos luftës për të drejta të barabarta për të gjithë, u konvenon edhe financiarisht të hyjnë në këto ujëra. 
Te filmi “Shudō”, dy samurajë sa nuk ua nxjerrin shpirtin njëri-tjetrit. Por, krejt këtë e bëjnë me njëfarë pasioni të madh ndaj njëri-tjetrit. Aty nuk dihet se a urrehen fort në fushëbetejën ku gjenden apo duhen shumë. Duket sikur regjisorët To-Anh Bach, Charles Badiller dhe Hugo Weiss qëllimshëm nuk i kanë dhënë kah të qartë rrëfimit. Bëhet fjalë për raport të ndërlikuar.  E pas shfaqjes së këtij filmi animatorja Grosjean thotë se pyetja e vërtetë në këtë rast është se “A janë burrat ‘straight’ vërtet ‘straight’". 

Producenti i njohur francez, Oliver Catherin, nuk është marrë me frymën e sivjetshme të festivalit, që ka për temë thirrjen “Shembe patriarkatin!”. Është munduar që nëpërmjet rrugëtimit të vet profesional të japë këshilla për animatorët e rinj 

Kurse te “Drijft”, në gati 15 minuta, regjisori Levi Stoops luan me pasigurinë e një burri derisa bashkë me partneren e tij lëvizin nëpër det me një varkë të improvizuar. Aty loja është interesante. Jeremy konsultohet me Auroren se nga duhet të bëhet kthimi prapa dhe përgjigjja e saj është se nuk ishte e vëmendshme gjatë rrugës. Por, ai ndjek udhëzimet e partneres për kthim. Ia huqin me të madhe edhe në det të hupur duke u dalë punë të luftojnë edhe me krijesa që e hanë njeriun. Aurora humb këmbën e dikur Jeremy vendos të marrë vendime vetë. Dalin në breg për faqe të zezë. 

“Më në fund burrat mund të marrin një vendim”, komenton selektorja e këtij programi, Luce Grosjean. Por, njësoj kontradikte është në mes. Vendimet pa konsultuar partneren në frymën e sotshme do të ishin patriarkalizëm. Në anën tjetër, përgjegjësia për rastin në fjalë i ngarkohet burrit se nga do të lëvizet për kthim prapa, edhe pse që të dy lëvizin lopatat e barkës. Ndodh që duke u fokusuar fort e duke peshuar secilin detaj të raportit midis tyre, gjinitë ia huqin objektivit kryesor të rrugëtimit të përbashkët. Edhe atij jetësor. 

“Ideja e përzgjedhjes së filmave të punuar vetëm nga burrat ishte që të shohë se si meshkujt i kanë paraqitur burrat”, ka thënë midis të tjerash Grosjean, e cila është themeluese e kompanisë për distribuimin e animacioneve “Sève Films”.

Oliver Catherin: Më lehtë të këshillosh sesa të bësh film

Kolegu i saj, po ashtu francez, Oliver Catherin, nuk është marrë me frymën e sivjetshme të festivalit, që ka për temë thirrjen “Shembe patriarkatin!”. Është munduar që nëpërmjet rrugëtimit të vet profesional të japë këshilla për animatorët e rinj. Përballë nja 15 vetave, në sallën e kinemasë së qytetit “Jusuf Gërvalla”, ai ka treguar se si i ri ka pasur dy pasione: etnologjinë dhe filmin. Do të vazhdonte për etnologji dhe ishte edukuar në këtë drejtim. Por, më vonë e mori vesh se i kishte bërë hesapet keq, pasi filmi i peshonte më rëndë.  

Do t’i bashkohej Asociacionit Francez të Filmave të Animuar e më pas do të bashkëthemelonte kompaninë e prodhimit të animacioneve “Les Trois Ours”. Do të bënin disa filma të suksesshëm, por nuk ecte. 

“Më 2014 falimentuam”, ka treguar ai. Me këtë ka bërë të ditur se nuk është e lehtë të mbahet një kompani animacioni. “Nganjëherë më duket sikur më mirë është të ndihmosh të tjerët me këshilla e t’u japësh mbështetje sesa të bësh një film”, ka thënë ai, derisa ka treguar se tash është producent i lirë dhe i është bashkuar shkollës “Pictanovo”. Si producent i lirë ka bashkëprodhuar disa animacione të suksesshme, përfshirë “Steakhouse”, që sivjet në "Anibar" jepet te kategoria e filmave ndërkombëtarë dhe ishte te programi i veçantë “Monstruosas”. 

“Anibar” deri të dielën do t’i mbajë projektorët ndezur. Do të avokohet për shumë fenomene, por pa i ikur qendrës së sivjetme, thirrjes për “Shembje të patriarkatit”. E treta ditë ka qenë se dallimet gjinore kanë një hendek në mes, që nuk kalohet as me animacion.