Kulturë

Anija “Art Explora” ankoron në Durrës për përvojën unike

“Art Explora” është anija e parë muzeale në botë. E projektuar nga arkitektët Axel de Beaufort dhe Guillaume Verdier, ajo është 47 metra e gjatë dhe 55 metra e lartë. Në Durrës do të qëndrojë për dhjetë ditë duke ofruar ekspozita e shfaqje artistike

“Art Explora” është anija e parë muzeale në botë. E projektuar nga arkitektët Axel de Beaufort dhe Guillaume Verdier, ajo është 47 metra e gjatë dhe 55 metra e lartë. Në Durrës do të qëndrojë për dhjetë ditë duke ofruar ekspozita e shfaqje artistike

Anija e “Art Explora Festival” ka ankoruar në Durrës ku për disa ditë do të ofrojë një mundësi unike të përjetimit të artit. Brenda këtij mjeti lundrues mund të vizitohen ekspozitat e kësaj varke të parë muzeale në botë. E projektuar nga arkitektët Axel de Beaufort dhe Guillaume Verdier, ajo është 47 metra e gjatë dhe 55 metra e lartë. Varka është ndërtuar në kantierin e anijeve Perini Navi në Itali. Mund të strehojë dy mijë njerëz në ditë dhe përmban një ekspozitë gjithëpërfshirëse të projektuar me bashkëpunimin e Muzeut të Louvreit, një përvojë e zhvilluar me “Ircam” dhe rezidencat e artistëve në bord.

Në bregdetin shqiptar do të qëndrojë për dhjetë ditë.

Kryebashkiakia e qytetit të Durrësit, Emiriana Sako, të enjten në inaugurimin e festivalit “Art Explora” ka thënë se Durrësi mbetet një qytet që ruan identitetin e vet historik, por përpiqet të ndërtojë të ardhmen përmes artit, kulturës dhe shkëmbimeve ndërkombëtare.

“Jemi mbledhur jo vetëm për të festuar për artin dhe krijimtarinë, por edhe për Durrësin si një qytet mikpritës. Durrësi nuk është vetëm një nga qytetet më të vjetra në Mesdhe, por edhe një portë drejt botës, ku historia dhe kultura bashkëjetojnë me energjinë e ndryshimeve të sotme”, citohet të ketë thënë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë se BE-ja  mbështet artistët dhe institucionet kulturore në Shqipëri.

Në fjalën e tij në inaugurimin e “Art Explora” ka thënë se është impresionuar nga pikturat e emigrantëve të rinj, që portretizonin një Mesdhe të kthyer në varrezë.

“Mesdheu ka qenë gjithmonë një vendtakim, një vend shkëmbimi tregtar, kulturor gjithashtu dhe gastronomik”, ka thënë ai duke shtuar se BE-ja mbështet financiarisht këtë iniciativë që përkon plotësisht me vlerat në bazë të projektit evropian. Sipas tij, lidhja kulturore ka potencial shumë të madh për ta shndërruar shoqërinë. “Kultura ka rol në ecurinë e Shqipërisë për të hyrë në BE. Kjo është arsyeja pse BE në Shqipëri ka bashkëpunuar ngushtësisht si me artistët, ashtu dhe me institucionet kulturore”, ka thënë ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar nga afër anijen “Art Explora” duke u njohur me gjithë gamën e aktiviteteve kulturore që ofron.  E ka cilësuar anijen “Art Explora” një eksperiencë unike, “që ia jep Durrësit për dhjetë ditë me radhë statusin e një porti arti”.

Ky aktivitet e kthen Durrësin në një pikëtakim midis artit klasik dhe bashkëkohor duke promovuar qytetin si një qendër kulturore mesdhetare.