Kulturë

“Anibari” numëron së prapthi për revoltë në shembje të patriarkatit

Anibar

“Anibari” tashmë ka eksperiencë. Temat i ka provokuese e njëkohësisht përmbajtjesore. Nuk është qëllimi që njerëzit veç të shohin filma të animuar, siç mund të këtë qenë në fillim. Tash tema përforcohet me programin e filmave, panelet e diskutimeve e nga ligjëratat. Në hyrje të kinemasë së qytetit, “Jusuf Gërvalla”, të dielën është vërejtur tjetër mobilizim (Foto: Tuğhan Anıt)

Kur kanë mbetur edhe pak orë deri te hapja zyrtare, secili e di punën e vet, krejt bashkë merren me detajet e fundit, e diela është e qetë, por kësisoj nuk do të jetë prej sonte (e hënë). Në edicionin e 15-të, Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar është ashpërsuar, s’ka më “Dashni” sikurse vitin e kaluar, por revoltë me thirrjen: “Shembe patriarkatin!”. “Po më duket jemi më gati se çdo herë tjetër...”, thotë Vita Kasapolli krejt në fillim të bisedës, e “dilemat” shuhen me imazhin e punës në terren

Tema që vjen si thirrje e Festivalit është shpërndarë në disa pjesë të Pejës. E zona e “Anibarit” nis në qendër të qytetit, prek kinemanë “Jusuf Gërvalla”, e shkon deri te parku “Karragaq”. Në këtë hark gjeografik të qytetit perëndimor do të marrë jetë edicioni i sivjetmë. Është i 15-ti me radhë.

Flamujt me “Smash the patriarchy!” (Shembe patriarkatin!), siç titullohet tema e sivjetme, nuk janë veç imazhe që paralajmërojnë një ngjarje, apo tregojnë nyjën e këtij edicioni. Synimi është që të kthehen në një erë që e kaplon qytetin buzë Bjeshkëve të Rugovës. Vjet “Love” që avokonte e festonte për dashurinë, kishte bërë bujë. Madje kishte shkuar deri te njëfarë provokimi kolektiv që kishte plasur me shpifje kundër festivalit. Përderisa vjet behej thirrje për dashuri pa paragjykime, sivjet cak i sulmit është patriarkati.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, tashmë ka eksperiencë. Temat i ka provokuese e njëkohësisht përmbajtjesore. Nuk është qëllimi që njerëzit veç të shohin filma të animuar, siç mund të këtë qenë në fillim. Tash tema përforcohet me programin e filmave, panelet e diskutimeve e nga ligjëratat.

Në hyrje të kinemasë së qytetit, “Jusuf Gërvalla”, të dielën është vërejtur tjetër mobilizim. Njashtu sikurse të “Kino Kubet” e “Kino Liqeni” në parkun e qytetit “Karragaq”.

Janë dhjetë kategori ku do të shfaqen 158 filma. Prej tyre gjashtë kategori garuese, katër jashtë garës e tri programe speciale. Prin kategoria e audiencave të reja me 32 filma për t’u pasuar nga ajo e filmave studentorë me gjithsej, 27, përderisa ajo e video-animacineve muzikore do të ketë 22 filma.

Puna për përgatitjen e hapësirave është në finalizim e sipër.

“Po më duket jemi më gati se çdo herë tjetër. Jemi duke i dhënë prekjet e fundit të çdo aspekti organizativ. Prej të dielës kanë filluar të vijnë mysafirët e të hënën kompletohen të gjithë. Dhe, kemi me pas rastin të takohemi me secilin në ceremoninë e hapjes që nis në orën 20:00 e mandej me fillu me anën e programit që nis prej të martës”, ka thënë të dielën koordinatorja e programit të Festivalit, Vita Kasapolli.

Gjithçka sillet rreth temës dhe Kasapolli ka treguar se si në çdo edicion tjetër tema është një aspekt shumë i rëndësishëm i Festivalit. Sipas saj, ajo e përcakton gjithë kahen që do ta marrë Festivali.

“Zakonisht ne përpiqemi me zgjedh tema universale që janë përfshirëse për gjithsecilin dhe mund të bashkëndihen prej personave që kanë role dhe pozita të ndryshme në shoqëri. Përzgjedhja e temës ndonjëherë varet edhe nga gatishmëria e ekipit të Festivalit për me mundë me kapërthy temën dhe me trajtu sa më mirë”, ka thënë Kasapolli në ambientet e “Kino Liqenit”, derisa aty punohej për të ambientuar mysafirët e natës hapëse, e mandej edhe ata që shohin filma e marrin pjesë në ndeja.

Vitin e kaluar ndejat ishin paksa më të zbehta shkaku i hatërmbetjes së vendasve për temën, por “Anibar” nuk ka për qëllim veç t’u bëjë qejfin banorëve të qytetit ku mbahet. Qëllim në vete është provokimi për të nxitur diskutime për tema që në ambientin lokal janë më të rralla e jo fort të eksploruara. Normale, synohet që derivati të jetë një shoqëri më e hapur.

“Këtë vit kemi vendosur që të marrim një qasje pak më revoltuese ndaj sistemit patriarkal. Por, jo vetëm duke e trajtu ose duke e marrë si diçka që ekziston, mirëpo duke i shikuar shkaqet dhe efektet e sistemit patriarkal e që kjo mandej elaborohet edhe më shumë në aspektin e programit, filmave, programeve të veçanta, paneleve të diskutimit dhe të gjitha ngjarjeve përcjellëse”, ka thënë Kasapolli.

Ajo është banore e lagjes ku gjendet kinemaja e qytetit dhe njeh goxha mentalitetin e qytetit ku jeton. E reflekton një zell të madh, jo veç për organizimin e Festivalit, por edhe për ndikimin që mund të ketë ky organizim.

“Anibar” ka kohë që është prej ngjarjeve më të mëdha jo veç në Ballkan sa u përket filmave të animuar. Ka nxitur të rinj që të merren me animacion, ka sjellë në Pejë alamet emrash të këtij zanati dhe e ka vënë Kosovën në hartën e botës së animacionit.

Kasapolli ka treguar se programi përveçse ndahet në atë filmik, që pastaj kategorizohet në gara të filmave – ku është janë ato ndërkombëtare, ballkanike, studentore, filmave për të drejtat e njeriut, videoanimacioneve muzikore dhe filmave për audienca të reja – përbëhet edhe prej kategorive të veçanta filmike.

“Këtu kemi kategorinë e filmave virtualë në të cilën marrin pjesë tre filma që lidhen në mënyrë direkte me temën e festivalit, një nga ata do të trajtojë sigurinë e grave në hapësira publike, që do të ketë mandej edhe panel përcjellës që ndërlidhet në veçanti me këtë aspekt. Pastaj një tjetër do ta trajtojë sigurinë e personave ‘queer’ në përgjithësi dhe se si ata nuk kanë siguri. Dhe, filmi i tretë do të merret me aspektin e lindjes dhe rritjes së fëmijës me nënat e tyre nëpër burgje”, ka shpjeguar Kasapolli.

Te kategoritë e veçanta filmike hyn edhe “Çfarë janë burrat”, i kuruar nga Luce Grosjean, themeluese e kompanisë për distribuimin e animacioneve “Sève Films”. Ajo ka vendosur që të përzgjedhë filma që merren vetëm me pasiguritë e brishtësinë e burrave në përgjithësi e që përfaqësohen në mediumin e animacionit. Program më vete është “Monstruosas” që vjen nga kompania franceze me bazë të Monpellier, “Miyu Distribution”. Ky program u kushtohet veç grave.

“Do të thotë janë të pozicionuara të dyja gjinitë përballë njëra-tjetrës për të treguar dy perspektiva të ndryshme në situata ose pozita të këtyre dy gjinive që zakonisht nuk janë aq të ekspozuara. ‘Monstruosa’ trajton vetëm aspektin e grave që janë të frustrueme ose të revoltuara ndaj padrejtësive që u shkaktohen në shoqëri”, ka sqaruar Kasapolli.

Kurse programi “On second thought” do të sjellë filma të përzgjedhur nga një grup kritikësh të animacionit që kanë krijuar mundësi të dytë për një numër filmash që Festivali nuk i kishte përzgjedhur për këtë edicion. Bëhet fjalë për program të animacionit eksperimental.

Pos kësaj, në javën e Festivalit do të jenë katër panele diskutimi që përfshijnë zhvillimin e animacionit jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion e ndërkombëtarisht. Do të ketë një numër të madh të krijuesve ndërkombëtarë që pos diskutimeve do të bëjnë edhe njëfarë shkëmbimi të përvojave të animacionit në përgjithësi.

Te prezantimet sivjet Mike Hollingsworth është kryefjala. Ai do të ndajë me audiencën e “Anibarit” rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm si krijues i serialit të parë të animuar të platformën “Netflix”, “BoJack Horseman”. Sipas asaj që ka publikuar “Anibar”, Hollingsworth do të tregojë se si aftësitë që ai mësoi duke krijuar animacione të pavarura e ndihmuan të ngrihej shpejt në industrinë e animacionit.

“Me ardhë në ‘Anibar që me ia dëshmu vetes se trajtimi i temave mund të bëhet edhe nëpërmjet mediumit të animacionit dhe mediumeve kreative dhe që gjithsecili t’i japë hapësirë vetes që të edukohet nëpërmjet mediumeve kreative”, është thirrja që Vita Jasapolli do të donte të ia bënte secilit.

Thirrjet e “Anibar” janë përmbajtjesore. Prekin botën kreative të animacionit e sivjet shkojnë deri te thirrja për të shembur patriarkatin. Krejt kjo me filma të animuar, ku edukimi e ka bazë artin si çelës të lirisë që synon edhe shembjen e patriarkatit.