Kulturë

“Anibari” me shtrirje globale, bëhet thirrje për shoqëri më të mirë

Anibar

“Anibari” ka marrë peshën e vet dhe nëpërmjet artit të filmit, të animuar në këtë rast, synon një shoqëri më të mirë. Sivjet i është rrekur shembjes së patriarkatit me thirrjen e drejtpërdrejt “Smash the Patriarchy” (Shembe patriarkatin) që tingëllon jo pak urdhërore

Datat tashmë dihen – prej 15 deri më 21 korrik – tema “Shembe patriarkatin” po ashtu, dhe edicioni i radhës i festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar” është konfirmim se një ngjarje si kjo tashmë merr edhe barrën e misionit për të bërë ndryshime në shoqëri. “Festivali gjithmonë ka qëndruar prapa ideve për ta krijuar një shoqëri më të mirë në të cilën ne jetojmë dhe veprojmë”, ka thënë Arba Hatashi të mërkurën, pesë ditë para se në Pejë të ndizen ekranet për 134 filma të përzgjedhur prej 1531 sish nga 88 shtete të ndryshme të botës dhe 5 kontinenteve. Shifrat konfirmojnë tjetër gjë: zbërthejnë interesimin në nivel global dhe shtrirjen e tij

Kur i kanë mbetur edhe pesë ditë deri në hapjen zyrtare të edicionit të sivjetmë të “Anibarit”, një armatë prapa merret me detajet e fundit, numri i filmave dihet, orari i shfaqjeve po ashtu, tema po se po. 

Por ka diçka të magjishme në një ngjarje si kjo. Tashmë, me 15 vjet mbi supe, një organizim që nisi në Pejë nga një grusht entuziastësh të filmave të animuar nuk është veç një javë argëtimi. “Anibari” ka marrë peshën e vet dhe nëpërmjet artit të filmit, të animuar në këtë rast, synon një shoqëri më të mirë. Sivjet i është rrekur shembjes së patriarkatit me thirrjen e drejtpërdrejt “Smash the Patriarchy” (Shembe patriarkatin) që tingëllon jo pak urdhërore. Sepse e tillë është shembja e tij, e domosdoshme dhe sa më parë. 

Arba Hatashi, drejtoreshë e “Anibarit”, të mërkurën ka qenë e ftuar në “Express” të Kohavisionit. Përmendja e shifrave, e temës, e ngjarjeve të shumta është e pashmangshme në bisedë, por krejt këto kanë një emërues të përbashkët: misionin. 

“Festivali gjithmonë ka qëndruar prapa ideve për ta krijuar një shoqëri më të mirë në të cilën ne jetojmë dhe veprojmë, dhe ngjashëm edhe këtë vit nëpërmjet aktiviteteve që i kemi organizuar duam të shërbejmë si pikënisje e një diskutimi më të gjerë shoqëror, se si mund të bëhemi një shoqëri më e shëndetshme për njëri-tjetrin dhe njëkohësisht për të mirën kolektive”, ka thënë Hatashi. 

Deklarata si këto mund të duken krejt të natyrshme, por në secilin edicion të “Anibarit” konfirmon e rikonfirmon se stafi organizativ e ka të qartë rolin në shoqëri. Sivjet me shembjen e patriarkatit. 
“Platforma e Festivalit ka për qëllim të shërbejë si një vend ku diskutohen problematikat dhe efektet e sistemit patriarkal në të cilin jetojmë, kështu që në të njëjtën kohë platforma të mund të shërbejë si një vend ku mund të diskutohet më shumë për këtë çështje, të shërbejë për vetëdijesimin e gjeneratave të ndryshme dhe të fuqizojë të gjitha grupet që vuajnë nga patriarkati dhe problemet që rrjedhin nga kjo”, ka thënë Hatashi. 

Vjet “Love|Dashni” kishte qenë tema e festivalit. Prej posterit zyrtar bashkë me spotin promovues të atij edicioni ishte shpjeguar se sivjet do të jetë në fokus komuniteti LGBTIQ+. Më 2022, edicionit të 13-të i ishte kundërpërgjigjur me “Besëtytni”. Ishte një zbërthim e konceptim simpatik qysh në paralajmërimin e temës me kërkesën “trokitni tri herë në dru dhe tërhiqni veshin, sepse si temë e këtij viti në festivalin e animacionit ‘Anibar’ janë besëtytnitë”. 

Hatashi ka folur me shifra precize për numrin e filmave që i janë adresuar, për vendet e botës prej të cilave vijnë. 

“I kemi pasur 1531 filma që kanë aplikuar për të qenë pjesë e garave të festivalit ku kandidojnë për çmimet kryesore. Këta filma kanë ardhur nga 88 shtete të ndryshme të botës dhe 5 kontinente. Mund të them se ‘Anibari’ e ka një shtrirje globale në të cilën profesionistët e animacionit aplikojnë nëpër kategori specifike. Nga ky numër i filmave është bërë një përzgjedhje prej 134 filmave që janë në garë, plus filmat e tjerë që janë jashtë garës, por do të shfaqen gjithsesi gjatë ditëve të Festivalit”, ka thënë ajo. 

Numrat janë njësi matëse për Festivalin. Zbërthejnë interesimin në nivel global dhe shtrirjen e tij.

“Numri shpreh interesim të madh të profesionistëve për të qenë pjesë e Festivalit dhe në të njëjtën kohë të kenë mundësi të shfaqen në kinematë e hapura dhe të mbyllura që i kemi”, ka thënë ajo. 

Disa prej regjisorëve vijnë edhe në Kosovë – “Anibari” ndër vite ka sjellë alamet animatorësh botërorë – e kjo është një mundësi rrjetëzimi me profesionistët që ekzistojnë në Kosovë. Vjet mbajti ligjëratë Eric “Butters” Stough, drejtor i animacionit të një prej serialeve të animuara më të njohura në botë, “South Park”.

“Anibari” ka pasur ndikimin e vet në nxitjen e prodhimit të filmit të animiuar. Është një prej pikave qendrore të Festivalit prej se u themelua. Emra të shquar – që dikur kanë qenë vullnetarë e më pas pjesë e stafit organizativ – kanë dalë prej aty. Për shembull: Flaka Kokolli. 

Vitin e kaluar Kokolli me “Ninulla F” dhe “Këtu – Different Dreams” në Garën e Videoanimacionit Muzikor ishte konkurrente vendore. “Ninulla F” kishte triumfuar në këtë kategori. “The Root” i Finesa Pejës garonte në kategorinë e Audiencës së Re. Por sivjet nuk ka asnjë film në garë. Veç një film vendor në program – “Flower of a thousand colors” i Ilir Gashit – është në kategorinë e Audiencës së Re, jashtë garës. Por janë dy filma të animatorëve nga Shqipëria: “The salmon coronach” i Indrit Mesitit, që është në kategorinë e Videoanimacioneve Muzikore, ndërsa Ramona Kristo e ka punuar filmin “Keep” bashkë me Andrei Campan. 

“Këtë vit nuk do të ketë prodhime nga Kosova. Momentalisht janë disa filma vendorë që janë në produksion dhe të cilët po shpresojmë se do të finalizohen për vitin tjetër, në mënyrë që të mund të jenë pjesë e garës”, ka thënë drejtoresha e “Anibarit”. 

Ka fakte edhe për atë kur thotë se mediumi i animacionit është zhvilluar nga koha kur është themeluar ky festival në vitin 2010. 

“Kemi parë ngritje shumë të madhe të prodhimeve të Kosovës dhe njëkohësisht me anë të punëtorive të ndryshme që Festivali i organizon për aftësimin e gjeneratave të reja në teknika specifike të animacionit, por në të njëjtën kohë edhe për ngritjen e kapaciteteve të tyre duke i targetuar problemet me të cilat vendi përballet në rastin e prodhimit të animacioneve”, ka thënë Hatashi. 

Sivjet janë gjashtë punëtori për grupmosha të ndryshme, duke i përfshirë edhe profesionistët e animacionit, dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet programeve të caktuara që kanë për qëllim rritjen e bashkëprodhimit me shtetet e rajonit dhe ato ndërkombëtare. 

“Gjithashtu kemi garën e ‘Pitching’ e cila mbështetet dhe organizohet bashkërisht me Qendrën Kinematografike të Kosovës, dhe ka për qëllim t’i ndihmojë animatorët e rinj edhe për fazën paraprake të përgatitjes, paraproduksionit të animacioneve. Prandaj mendoj se e ardhmja e animatorëve në vendin tonë është e ndritur, veçanërisht për faktin se ne bëjmë punë të madhe dhe me gjeneratat e reja në Prishtinë dhe Pejë për ngritjen e kapaciteteve në animacion, nëpërmjet akademive të animacionit”, ka thënë Hatashi. 

Pjesa muzikore është edhe një anë e Festivalit. 

E vetë Festivali është tashmë akademi më vete: e organizimit dhe e mbjelljes së dëshirës jo vetëm për ta parë një animacion, por edhe për ta krijuar atë.