Sivjet është përforcuar bindja se mision i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit pos vlerave artistike, është edhe roli në avokimin për shoqëri të hapur. Programin e vjetshëm nën temën “Dashni” për dashurinë e pakufishme sivjet “Anibar” e vazhdon me “Smash the Patriarchy!”, si ftesë për të thyer patriarkatin në shoqëri. Festivali edhe sivjet me edicionin e 15-të e bën qytetin e Pejës kryeqendër të animacionit për një javë. E vesh me ngjyrat e imagjinatës së botës së filmit të animuar
“Anibar” po numëron ditët deri në zbërthimin e çështjeve të shoqërisë nëpërmjet animacionit. Si eksplorim i fuqive transformuese të lidhjeve njerëzore ishte paralajmëruar vjet edicioni i Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar. I tillë kishte rezultuar.
Sivjet është përforcuar bindja se mision i Festivalit të animacionit, pos vlerave artistike, është edhe roli në avokimin për shoqëri të hapur. Programin e vjetshëm nën temën “Dashni” për dashurinë e pakufishme sivjet e vazhdon me “Smash the Patriarchy!”. Si ftesë për të thyer patriarkatin në shoqëri.
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit edhe sivjet me edicionin e 15-të e bën qytetin e Pejës kryeqendër të animacionit për një javë. Nga 15 deri më 21 korrik e vesh me ngjyrat e imagjinatës së botës së filmit. Por i flet një realiteti në vend dhe jo vetëm. Synon të zbërthejë e ta shtypë patriarkatin me “Smash the Patriarchy!”.
Tema e sivjetme është vazhdimësi e qëndrimit të Festivalit ndaj pabarazisë sistematike dhe diskriminimit gjinor. Synon të avancojë gjendjen e shoqërisë me animacion.
“Këtë edicion, ‘Anibar’ do të vazhdojë të avokojë për një shoqëri të ekuilibruar dhe të shëruar, duke krijuar hapësirë për diskutime mbi barazinë, vërtetësinë personale dhe përmbushjen, lirinë dhe mirëqenien e çdo individi. Kështu, ‘Anibar’ do të vazhdojë të përqafojë vizionin për t'u përballur me mentalitetet dogmatike, ndërsa do t'i hapë rrugë përfshirjes dhe diversitetit”, shkruhet në njoftimin e “Anibarit”, i cili fton publikun sivjet të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi të përshtatshëm nëpërmjet vetëdijes dhe bashkëjetesës.
Ky edicion konsiderohet hapësirë për të protestuar kundër efekteve të patriarkatit.
“I ftojmë të gjithë të bashkohen me ne gjatë shtatë ditëve të festivalit për të thyer Patriarkatin, duke kuptuar shkaqet dhe duke protestuar kundër efekteve të tij, nëpërmjet një programi të kuruar me kujdes të filmave, prezantimeve, paneleve të diskutimeve, aktiviteteve arsimore, muzikës, e më shumë!”, shkruhet në njoftimin e publikuar nga Festivali Ndërkombëtar i Animacionit
Bashkë me temën është publikuar edhe introja apo traileri i Festivalit, i punuar nga animatorja hungareze, Luca Toth.
Ajo ka thënë se për krijimin e animacionit 40-sekondësh është mbështetur në rëndësinë e të pasurit lidhje njerëzore për të ndërtuar sistem të përshtatshëm.
“Isha shumë e emocionuar kur ‘Anibari’ më kontaktoi për të krijuar trailerin e edicionit të këtij viti. Slogani ishte ‘Smash the Patriarchy!’… por çfarë do të thotë ‘shembja e patriarkatit’? Si t’i qasem kësaj në një animacion 40 sekondash? Mendova shumë dhe gjatë dhe kuptova se për mua pjesa më e rëndësishme e shembjes së patriarkatit në fakt nuk është një lloj demolimi, është krejtësisht e kundërta. Doja të tregoja sa e rëndësishme është të kemi besim dhe lidhje njerëzore për të rindërtuar një sistem që është i përshtatshëm për shumicën prej nesh”, është shprehur Luca Toth, siç shkruhet në komunikatën e “Anibar”.
Ajo është regjisore e animacionit, e cila ka studiuar në Universitetin e artit dhe dizajnit “Moholy-Nagy” në Budapest, ndërsa i ka vazhduar në Kolegjin Mbretëror të Artit për nivelin master. Filmi i saj i diplomimit “The age of curious” ka fituar çmimin “Jury Distinction Prize” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Animuar “Annecy”.
Në animacion shfaqet një grua tek qëndron si model për pikturën e tre burrave. Por e zhvesh atë lloj ‘objektivizimi’, duke sjellë një lloj simboli si bashkim me gjininë e kundërt në thyerjen e patriarkatit.
Autorja e këtij animacioni, Toth, pas studimeve u kthye në Budapest për ta bërë filmin e saj të parë të pavarur të shkurtër “Superbia”, i cili pati premierën në Javën e Kritikëve në Cannes më 2016. Filmi i saj i fundit i shkurtër “Mr. Mare” u shfaq premierë në “Berlinale” në vitin 2019.
Peja është prej qyteteve që kaherë arti e ka veshur me ngjyra të ndryshme. “Anibar” është një prej ngjarjeve kryesore. Jo veç në Pejë sa i përket llojit e formatit. E ka bërë qytetin perëndimor të Kosovës një prej pikave qendrore me zhanrin unik të filmit.
Festivali është në fazë selektimi të filmave që do të jenë pjesë e programit sivjet. Në prill kur ishte mbyllur afati për pjesëmarrje në edicionin e 15-të kishte njoftuar se kishte pranuar gjithsej një mijë e 531 aplikime.
Edicionin e kaluar, Anibar” e kishte ndezur ekranin në “Kino Liqeni” më 17 korrik dhe e kishte zhvilluar programin deri më datë 23. Ishin rreth 140 filma që kishin shpalosur botën e animacionit.
Edhe sivjet e shfrytëzon hapësirën e tij si strehë për imagjinatën radikale, “ku sfidohet status quo-ja dhe mbështeten ide të reja progresive”, shkruhet në komunikatë.
Vjet festivali ishte vënë në promovim të dashurisë së pakufishme midis gjinive. Me temën “Love/Dashni” edhe e kishte mbajtur edicionin e fuqive transformuese të lidhjeve njerëzore. Jo vetëm me ngjyrat e animacionit, por të dashurisë pa kufij. Thërriste për të mos pasur frikë, sepse nuk është mbretëri klishesh hidhte dritë në kompleksitetin e dashurisë duke zbuluar manifestimet e saj të shumta. Ishin 138 filma në gjithsej nëntë kategori prej të cilave shtatë garuese e dy jashtë garës.
Synimet janë që edhe sivjet “Anibar” të shkojë përtej një festivali. Të jetë një frymë. Vazhdimisht ka bërë bashkë politikanë, diplomatë, artistë e qytetarë tjerë të shumtë. Midis lokacioneve të tjera, Parkut Qendror të Pejës nuk i ofron veç gjallëri, por e shndërron atë në një prej lokacioneve më vibrante në qytete. Muzika është pjesë e “menysë”. Mbrëmjet me këngëtarë e DJ janë ato që e mbyllin çdo ditë të festivalit. Me vullnetarët që janë gjithandej e pjesën tjetër të stafit organizativ, “Anibar” është shembull se si mund të organizohet diçka në një qytet që nuk e ka namin e disa prej qendrave urbane të tjera në Kosovë.