Kulturë

“Anibar” me 210 mijë euro investim, llogaritet t’i ketë sjellë ekonomisë mbi 1.6 milion euro

“Anibar” me 210 mijë euro investim, llogaritet t’i ketë sjellë ekonomisë mbi 1.6 milion euro

Të dhënat e raportit të shpalosur tregojnë se pjesa më e madhe e vizitorëve janë ndërkombëtarë. Ky grup përfshin 47 për qind, gjë që tregon se Festivali tërheq një audiencë të gjerë nga jashtë vendit

Nëpërmjet një kompanie të angazhuar për ta kryer hulumtimin, del se “Anibar” ka bërë kthim të investimit gati 8 euro për çdo 1 euro të investuar në Festival. Duke marrë parasysh dy komponentë, 200 pjesëmarrës të anketuar dhe të dhëna shtesë të siguruara nga Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia “Idra” ka nxjerrë përfundime sa i përket ndikimit ekonomik e social të festivalit. Të dhënat tregojnë se edicioni i kaluar i Festivalit, i 15-ti me radhë i mbajtur në korrik, ka pasur 7275 vizitorë. Me temën “Shembe patriarkatin” Festivali në kinemanë e qytetit “Jusuf Gërvalla”, në “Kino Kubet” e “Kino Liqeni” kishte shfaqur 158 filma në 10 kategori

Ndikimi ekonomik i edicionit të kaluar të Festivalit të animacionit, “Anibar” në Pejë del të jetë mbi 1.6 milion euro sipas të dhënave të shpalosura nga organizatorët. Nëpërmjet një kompanie të angazhuar për ta kryer hulumtimin, del se “Anibar” ka bërë kthim të investimit gati 8 euro për çdo 1 euro të investuar në Festival. Duke marrë parasysh dy komponentë, 200 pjesëmarrës të anketuar dhe të dhëna shtesë të siguruara nga Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia “Idra” ka nxjerrë përfundime sa i përket ndikimit ekonomik e social të festivalit.

Të dhënat tregojnë se edicioni i kaluar i Festivalit, i 15-ti me radhë i mbajtur në korrik, ka pasur 7275 vizitorë. Me temën “Shembe patriarkatin”, Festivali në kinemanë e qytetit “Jusuf Gërvalla”, në “Kino Kubet” e “Kino Liqeni” kishte shfaqur 158 filma në 10 kategori.

Të dhënat e raportit të shpalosur tregojnë se pjesa më e madhe e vizitorëve janë ndërkombëtarë. Ky grup përfshin  47 për qind, gjë që tregon se Festivali tërheqë një audiencë të gjerë nga jashtë vendit. Pastaj, 33 për qind e të anketuarve janë kosovarë që jetojnë jashtë Pejës “duke treguar interes të madh edhe nga komuniteti më i gjerë kosovar”. Veç 11.5 për qind të pjesëmarrësve në këtë ngjarje dalin të jenë vendas, gjë që sipas studimit, reflekton një angazhim të rëndësishëm të komunitetit lokal në këtë ngjarje kulturore. Pjesa tjetër të huaj që jetojnë në Kosovë ose pjesë e mërgatës kosovare në botë. Sipas të dhënave të raportit, 57 për qind e pjesëmarrësve kanë marrë pjesë për herë të parë në Festival dhe kjo tregon se “Anibar” kryesisht po tërheq një audiencë të re.

“Nga ana tjetër, 43 për qind e pjesëmarrësve kanë deklaruar se kanë qenë edhe më parë në festival, duke reflektuar një përvojë pozitive dhe përmbajtje tërheqëse për vizitorët e kthyer”, shkruhet në raport.

Të dhënat nga anketimet nxjerrin në pah se motivi kryesor për pjesëmarrje në “Anibar” vjet qe interesi për filmat e animuar me 77 për qind, pasuar nga dëshira për të shijuar atmosferën me 52 për qind dhe për të mësuar më shumë rreth artit dhe kulturës me 48 për qind. Në pyetjen me shumë përgjigje festat ishin arsye për 45 për qind,  ndërsa 30.5 për qind u tërhoqën nga krijuesit e përzgjedhur. Sa i përket kënaqshmërisë, “shumë të kënaqur” dalin mbi 70 për qind. E me gati 80 për qind arrin shifra e atyre që për Festivalin kanë marrë vesh nga familjarë e miq.

Sipas sqarimeve të shpalosura në raport, llogaritja e shpenzimeve totale është bërë duke u bazuar në dy burime kryesore: Anketa me vizitorët, ku raportuan shpenzimet e tyre si akomodimi, ushqimi dhe pijet, transporti dhe argëtimi; Pjesëmarrësit e festivalit dhe të dhënat e siguruara drejtpërdrejt nga Anibari.

“Për të vlerësuar ndikimin total ekonomik, shpenzimet e përgjithshme të anketës u shumëzuan me numrin total të vizitorëve të festivalit, sipas të dhënave të pjesëmarrjes të siguruara nga Anibar. Kjo metodë supozon se mostra e të anketuarve përfaqëson edhe trendin e shpenzimeve të popullsisë”, shkruhet në raport.

Të dhënat tregojnë se Banorët e Pejës shpenzojnë mesatarisht 7.65 euro, duke përfituar nga afërsia me vendin e festivalit, kosovarët që jetojnë jashtë Pejës kanë shpenzime më të larta me një mesatare prej 16.37 eurosh, kurse diaspora që vjen për festivalin shpenzon rreth 23.33 në ditë.

“Ndërsa ata që vizitojnë të afërm gjatë festivalit shpenzojnë mesatarisht 50.67 euro. Të huajt që jetojnë në Kosovë shpenzojnë 13.72 euro,  vizitorët ndërkombëtarë që vijnë nga jashtë shpenzojnë 48.51 euro”, shkruhet në raport.

Hulumtimi tregon se shpenzimet e akomodimit përfaqësojnë një nga kategoritë më thelbësore, ku pjesëmarrësit shpenzojnë mesatarisht 66.10 euro duke çuar në një shpenzim total të vlerësuar prej 480 mijë e 877.50 eurosh “Transporti ishte kategoria më e lartë e shpenzimeve individuale, me të pranishmit që shpenzuan mesatarisht 75,80 euro, duke gjeneruar gjithsej 551 mijë e 445euro.  Blerjet, duke përfshirë suvenirët, përbënin një pjesë më të vogël të totalit, me të anketuarit që raportuan shpenzime mesatare prej 14.30 eurosh dhe një total të kombinuar prej 104 mijë e 32.50 eurosh.

“Në total, shpenzimet e vlerësuara të konsumatorëve në të gjitha kategoritë arrijnë në 1,671,067.50 euro. Kjo shifër ofron një skenar real të ndikimit ekonomik të festivalit, duke kapur mënyrat e ndryshme në të cilat pjesëmarrësit kontribuuan në ekonominë lokale gjatë pjesëmarrjes së tyre”, shkruhet në raport. Qëndrimi mesatar i vizitorëve është llogaritur të jetë  3.7 ditë.

Aty bëhet e ditur se financimi i përgjithshëm i Festivalit ishte bërë me 210 mijë e 273.37 euro, ndërsa shpenzimet e konsumit ishin  1 milion e 671 mijë e 67.50 euro.

“Rezulton se kthimi në investim ishte 7.94 euro.  Pra, për çdo 1 euro të investuar, festivali ka gjeneruar 7.94 euro  në ekonominë e përgjithshme”, shkruhet në raport.

Udhëheqësi i organizatës “Anibar”, Vullnet Snaja, ka thënë se të dhënat tregojnë për ndikimin e madh të festivalit si në aspektin social edhe atë financiar.

“Tregohet për ndikimin në ekonominë lokale. Investimi që bëhet në kulturë tregohet se kthimi është shumë më i madh. Është tregues se investimi në kulturë ka edhe ndikim të madh ekonomik”, ka thënë ai. Sipas tij, numri i pjesëmarrësve apo vizitorëve nxirret nga biletat që janë shitur e shpërndarë, përfshirë punëtorë, shfaqjet e filmave, panelet e ndejat. Ka thënë se kjo ishte era e parë që “Anibar” ka nxjerrë një hulumtim të tillë dhe se do të vazhdohet kësisoj çdo vit.

“Është mirë që niveli lokal të jetë më i kujdesshëm ndaj organizimeve kulturore e sidomos në infrastrukturë kulturore”, ka thënë Sanaja.

Në edicionin e vitit të kaluar qe filmi “Zima” me kërkim lirie e konflikt gjeneratash që mori shpërblimin kryesor  triumfon në “Anibar”.

Është rrëfim që haset në secilin vend. Por kësaj radhe vinte nga Polonia. Në shtetin që i takoi bllokut të mbyllur të Lindjes, të rinjtë janë në hall me lirinë e tyre. Konflikti midis gjeneratave është i përhershëm. Me krejt telashet e peripecitë që nuk ndalen. Nuk bëhet fjalë për betejë, por për luftë që s’i dihet fundi. Rrëfimi i animuar nën titullin “Zima” me aurorë Tomek Popakul dhe Kasumi Oz kishte bërë jurinë për vete. Juria në përbërje të Jane Lyngbye Hvid Jensen nga Danimarka, Nadja Andrasev nga Hungaria, Yiorgos Tsangaris nga Qiproja, Gerben Schermer nga Holanda e Amanda Bonaiuto nga SHBA-ja ka vendosur që ky film të jetë fituesi i Garës Ndërkombëtare.