Sivjet, Bocelli feston 30-vjetorin e karrierës me një album të ri me këngë të përmbledhura të cilin e ka titulluar “Duets”. Projekti përfshin duete të lansuara më herët dhe bashkëpunime të reja, përfshirë këtu edhe disa përpunime befasuese të muzikës bashkëkohore. Albumi i ri gjithashtu e paralajmëron lansimin e filmit koncertal, “Andrea Bocelli 30: The Celebration”, i cili lansohet nëpër kinema të premten
Është një nga zërat më të identifikueshëm në planet. Tenori Andrea Bocelli pëlqehet nga gjenerata të ndryshme. Zëri i tij i tejkalon kulturat dhe kufijtë, si dhe shquhet për faktin që ka shkaktuar lot me vetëm tri fjalë të thjeshta: “Con Te Partirò”, ose në performancën e tij në anglisht, “Time to Say Goodbye” (Koha për të thënë lamtumirë).
Sivjet, Bocelli feston 30-vjetorin e karrierës me një album të ri me këngë të përmbledhura të cilin e ka titulluar “Duets”. Projekti përfshin duete të lansuara më herët dhe bashkëpunime të reja, përfshirë këtu edhe disa përpunime befasuese të muzikës bashkëkohore. Albumi i ri gjithashtu e paralajmëron lansimin e filmit koncertal, “Andrea Bocelli 30: The Celebration”, i cili lansohet nëpër kinema të premten.
Por përse tenori italian ka vendosur të realizojë album me duete?
“Prej kur isha fëmijë më kanë pëlqyer zërat dhe më pëlqen shumë ta ndaj skenën me disa prej artistëve më të mirë. Prandaj ky album i përfshin duetet më të mira që i kam realizuar gjatë jetës sime, nga i pari, ‘The Prayer’ me divën Celine Dion e deri tek i fundit, ‘Perfect’ me kantautorin Ed Sheeran. Ka dhe shumë e shumë duete të tjera. Po ashtu, albumi është ripërpunuar, prandaj shpresoj që muzika dhe tingulli do të jetë edhe më i mirë dhe kualitativ”, ka thënë ai.
Kur u pyet nëse ka ndonjë artist që do të dëshironte ta shtonte në koleksionin e albumit “Duets”, Bocelli ka thënë se natyrisht që po.
“Ka shumë të tillë, por ata janë të gjithë këngëtarë të cilët nuk i kam njohur sepse kanë vdekur para se unë të filloja të këndoja. Si për shembull, do të më pëlqente shumë të interpretoja me Maria Callas ose Renata Tebaldi apo Magda Olivero. Shumë këngëtare e këngëtarë të jashtëzakonshëm, por fatkeqësisht ata nuk janë më në mesin tonë”, ka thënë tenori.
Gjatë tri dekadave të karrierës, Bocelli ka performuar për presidentë e papë, si dhe ka shitur bileta për koncertet e tij që kanë mbushur stadiumet në të gjithë globin. Krahas kësaj i ka shitur afër 90 milionë incizime në mbarë botën. Mënyra se si ai reflekton për të shkuarën, nuk duhet të jetë befasi për publikun.
“Më pëlqen të fokusohem në atë që kam përpara. Po ashtu më pëlqen t’i këndoj së ardhmes. Sinqerisht nuk më pëlqen ta mendoj të kaluarën me nostalgji. Nëse mendoj për herën e parë që jam ngjitur në skenë, më duket sikur të ketë ndodhur dje. Koha ka ikur aq shpejt. Prandaj tani më pëlqen të mendoj vetëm për të ardhmen, sepse ajo është më e rëndësishme”, ka thënë ai.
Në këngët e albumit “Duets”, Bocelli këndon në gjuhën italiane, angleze, franceze dhe spanjolle. Gjithashtu performon në zhanre të ndryshme të muzikës, duke punuar me pothuajse të gjithë, nga superyjet e muzikës latine si Karol G dhe Jennifer Lopez, e deri te muzikantë të zhanrit country si, Chris Stapleton dhe Shania Twain.
“E di që nuk mund ta bëj, por do të më pëlqente ta provoja veten në zhanrin e muzikës jazz. Por kjo është shumë e vështirë për mua, sepse duhet të jesh në një atmosferë të caktuar për ta mësuar atë hap pas hapi dhe ditë pas dite. Mua më pëlqen shumë muzika jazz, por është shumë larg nga përvoja e jetës sime”.
Ka pak që ai nuk ka bërë gjatë këtyre tri dekadave të fundit, por Bocelli thotë se tani synimi i tij përfundimtar lidhet me besimin.
“Kam qenë shumë me fat dhe kam arritur ta fitoj dashurinë e njerëzve. Tani duhet të përpiqem të meritoj dashurinë e Zotit. Kjo është pak më e vështirë”, ka thënë ai.
Tenori italian do të vazhdojë të performojë për ata që e duan. Më 4 dhjetor, nis turneu i Bocellit në SHBA me koncertin e parë në San Diego dhe zgjat një muaj, përpara se të vazhdojë me data të reja në shkurt dhe qershor të vitit 2025. Koncertet e fundit mbahen në Napa Valley të Kalifornisë, më 21 dhe 22 qershor.