Margaret Atwood dikur e quajti atë “ndër shkrimtaret kryesore të letërsisë artistike angleze të kohës sonë”. Salman Rushdie e lavdëroi atë si "një mjeshtre të formës”. Kritika botërore e quajti titane të rrëfimeve të shkurtra. Alice Munro, e cila mori “Nobel” për letërsi më 2013, do të shkruante edhe për virgjëreshat shqiptare dhe kishte një histori interesante se si e zbardhi këtë rrëfim
Shkrimtarja kanadeze e tregimeve të shkurtra, fituesja e çmimit “Nobel”, Alice Munro, e cila ekzaminoi jetën e përditshme nëpërmjet lenteve të trillimeve të shkurtra për më shumë se 60 vjet, ka vdekur në moshën 92-vjeçare në shtëpinë e pleqve në Ontario. Ajo kishte vuajtur nga demenca për më shumë se një dekadë.
Dikur e quajtur si “Chekhov kanadez” nga Cynthia Ozick, vepra e Munros u bazua në forma dhe tema të shpërfillura tradicionalisht nga rrjedha letrare. Ngjau që vetëm më vonë në jetën e saj, reputacioni i Munro të fillonte të ngrihej, tregimet e saj të nënvlerësuara në dukje të thjeshta, jodramatike, që për temë kryesisht kishin qytezat e Kanadasë, bënë që ajo të niste të grumbullonte një sërë çmimesh ndërkombëtare që përfshinin çmimin “Nobel” në letërsi për vitin 2013.
Margaret Atwood dikur e quajti atë “ndër shkrimtaret kryesore të letërsisë artistike angleze të kohës sonë”. Salman Rushdie e lavdëroi atë si "një mjeshtre të formës”, ndërsa Jonathan Franzen dikur shkroi: “Munro është një nga ata grusht shkrimtarësh, disa të gjallë, shumica të vdekur, të cilët i kam parasysh kur them se fiksioni është feja ime”.
E lindur në vitin 1931 në një familje fermerësh dhelprash dhe shpendësh që jetonte në Wingham, Ontario, dhe duke luftuar për të mbijetuar gjatë Depresionit të Madh, Munro shkoi në universitet me një bursë dhe studioi për dy vjet përpara se të transferohej në Vancouver me burrin e saj të parë, James Munro në vitin 1951. Duke e përshkruar veten si një “shtëpiake B-minus” gjatë kësaj kohe – asaj iu desh t’i kërkonte të shoqit para për të blerë sende ushqimore – Munro filloi të shkruante sa herë që vajzat e saj flinin, duke shkruar vetëm pjesë të shkurtra, sepse ishte shumë e vështirë për t'u përqendruar për periudha të gjata.
Tregimet e Munro filluan të botoheshin në revista të tilla si “Tamarack Review”, “Montrealer” dhe “Forumi Kanadez”, duke u grumbulluar gradualisht mjaftueshëm për një koleksion që u shfaq në vitin 1968. E veçuar nga “New York Times” si dëshmi se zhanri i tregimeve të shkurtra ishte “gjallë dhe mirë në Kanada”, “Dance of the Happy Shades” u vlerësua për “vibrimet e saj simpatike me fermerët dhe banorët e qytetit që jetojnë atje”, dhe për “strategjinë freskuese” të Munros për të ofruar më shumë pyetje sesa përgjigje.
Munro filloi të përqendrohej në shkrimin e një romani, por e gjeti veten duke u përpëlitur sepse, siç do të thoshte më vonë, “nuk kishte jetë”. “Nuk kishte atë goditjen e nevojshme. Diçka në lidhje me të ishte e dobët”, kishte thënë ajo. E ndau atë në përmbledhje tregimesh të ndërlidhura, “Lives of Girls and Women” (Jetët e vajzave dhe grave), i cili u botua në vitin 1971 dhe ofroi një portret të artistes si një vajzë e re, ndërsa rrëfimtari i tij, Del, rritet dhe fillon të shkruajë në një qytet të vogël të Ontarios. Romani shërbeu pothuajse si një manifest për veprën e vetë Munros: Del braktis romanin gotik mbi të cilin kishte punuar dhe u drejtohet jetëve “të rëndomta, të thjeshta, të mahnitshme, të padepërtueshme” duke përshkruar “çdo gjë, çdo shtresë fjale dhe mendimi, goditjet e dritës në mure, çdo aromë, dhimbje, çarje, mashtrim, e mbajtur fort pas një narrative – rrezatuese, e përjetshme”.
Vitet ‘70 ishin një dekadë transformimi për Munro: ajo u kthye në Wingham, pasi martesa e saj e parë u prish në vitin 1973. U martua përsëri në 1976-n dhe publikoi tregimin e saj të parë në New Yorker në vitin 1977 – “Royal Beatings”, një histori e bazuar në qortimet që ajo kishte marrë si fëmijë nga i ati. Ky tregim do të vazhdonte të botohej gjithashtu në “Paris Review” dhe “Atlantic Monthly”.
Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura, romani nuk doli kurrë. “Midis çdo libri”, kishte thënë, “unë mendoj, ‘epo, tani është koha për të hyrë në gjëra serioze’... Nuk funksionon."
Kërkimi i saj për autenticitetin e ktheu atë në një kronike të pakrahasueshme të politikës seksuale, duke rënë në dashuri, mashtrim dhe dëshirë. Për Margaret Atwood, “pak shkrimtarë kanë eksploruar procese të tilla më thellësisht dhe më pamëshirshëm” sesa Munro: “Duart, karriget, shikimet - të gjitha janë pjesë e një harte të brendshme të ndërlikuar të shpërndarë me tela me gjemba dhe kurthe, dhe shtigje sekrete nëpër shkurre”.
Reputacioni i Munros vazhdoi të rritej derisa tregimet e saj u rritën në shtrirje dhe kompleksitet. “Who do you think you are?” (Kush mendon se je?) u përfshi në listën e ngushtë për çmimin “Man Booker“ në vitin 1980 dhe çmimi “Giller” pasoi dy herë, një herë në vitin 1998 për “The Love of a Good Woman” (Dashuria e një gruaje të mirë) dhe përsëri në vitin 2004 për “Runaway”. Ajo fitoi çmimin “Man Booker International” në vitin 2009 dhe çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 2013.
Intervenimi kirurgjikal në zemër më 2001 solli në shkrimet e saj perceptim të ri mbi vdekshmërinë. Shkrimet qarkullonin gjithnjë e më shumë rreth sëmundjes dhe kujtesës. Një histori për një personazh të diagnostikuar me kancer të botuar në “New Yorker” në vitin 2008, “Free Radicals”, u pasua një vit më vonë nga lajmi se ajo vetë ishte diagnostikuar me kancer. Një koleksion i fundit tregimesh, “Dear Life” i 2012-s, përfshinte katër pjesë autobiografike të cilat autorja i quajti “gjërat e para dhe të fundit – dhe më të afërta - që kam për të thënë për jetën time”.
Duke folur për “The Guardian” në vitin 2013, Munro shpjegoi se ajo kishte “shkruar histori personale gjatë gjithë jetës”.
“Shpresoj që ato të jenë një lexim i mirë”, kishte thënë ajo. “Shpresoj që ato të emocionojnë njerëzit. Kur më pëlqen një histori është sepse bën diçka … një goditje në gjoks”.
Në një deklaratë nga Kristin Cochrane, themeluese e kompanisë botuese kanadeze “McClelland & Stewart”, thuhej: “Shkrimi i Alice frymëzoi shkrimtarë të panumërt... dhe vepra e saj lë një gjurmë të pashlyeshme në peizazhin tonë letrar”.
Homazhet erdhën nga e gjithë industria, duke përfshirë autorin e komedisë romantike, Curtis Sittenfeld. “Shkrimtarja ime e preferuar qëkur lexova për herë të parë veprën e saj kur isha 16 vjeç”, ka thënë.
Autori i “Leave the World Behind”, Rumaan Alam postoi: “E vërteta është se Alice Munro është e pavdekshme, çfarë gjeniale absolute”. Romancierja kanadeze Heather O'Neill shkroi: “E dëshpëruar për vdekjen e Alice Munro. Muajin e kaluar rilexova të gjithë librat e Alice Munro. Ndjeva nevojën për të qenë pranë saj. Sa herë që e lexoj është një përvojë e re. Çdo herë më ndryshon. Ajo do të jetojë përgjithmonë.”
Ministri kanadez i trashëgimisë, Pascale St-Onge shkroi: “Alice Munro ishte një ikonë letrare kanadeze. Për gjashtë dekada, tregimet e saj të shkurtra mahnitën zemrat anembanë Kanadasë dhe botës”
Kur e mori çmim “Nobel” më 2013, vepra Alice Munros nuk ishte fort e njohur për lexuesit shqiptarë. Por shqiptarët nuk ishin të panjohur për këtë shkrimtare. Asokohe “Koha Ditore” do të shkruante se atëkohë Munro, e cila sapo ishte zgjedhur laureate e çmimit “Nobel” kishte lidhje edhe me shqiptarët. Në vitin 1994, ajo do të botonte një tregim të shkurtër për virgjëreshat shqiptare që ndryshe njihen si burrneshat. Tregimi do të botohej në librin me tregime “Open Secrets”, (“Sekretet e hapura”). Tregimi i përkthyer në shqip ishte botuar si një libër 104 faqesh në vitin 2005. Në “Sekretet e hapura”, Munro eksploron karakterin, rrethanat dhe peizazhin e fateve të ndryshme njerëzore. Tregimi “Virgjëreshat shqiptare” ishte botuar edhe në “The New Yorker” në vitin 1994. Gazeta amerikane kishte të drejtën e botimit të tregimeve të shkrimtares për rreth 17 vjet. Në këtë tregim, i cili në kritikën botërore është cilësuar si një përrallë, flitet për një grua të re që udhëton nëpër botë dhe që rrëmbehet nga banditët shqiptarë në vitin 1920. Tregimi është bazuar në një sekuencë të vërtetë të një bibliotekari në Clinton, Miss Rudd, i cili ishte ndarë nga grupi që po udhëtonte në Shqipëri. Munro, me ta dëgjuar këtë histori nga burri i saj, siç shkruhej në “New Yorker”, ishte futur në kërkim të verifikimit të disa detajeve në gazetat lokale në Shqipëri dhe Kanada të cilat kishin shkruar për rastin. “Nuk mundja të mos i bashkoja këto dy elemente: bibliotekarin nga Clinton dhe Shqipërinë. Kësisoj, vazhdova të lexoja gjithçka që kishte të bënte me Shqipërinë. Erdha në një pikë në të cilën njerëzit më nuk donin që të humbja kohë duke kërkuar diçka në Shqipëri. Por më pas, u thashë se kam diçka interesante për t’u treguar nga ky vend”, kishte thënë Munro në një intervistë të vitit 1995, një vit pas botimit të librit. “Sigurisht, Munro si një shkrimtare e veçantë nuk do të zhytej vetëm në tregimin e një historie romantike në malet e larta të Shqipërisë”, shkruante “New Yorker” në atë kohë. Çfarë më të vërtetë ka tërhequr vëmendjen e Munros ishte seksi. Ajo, siç shkruante gazeta asokohe, do të intrigohej në atë se si disa gra shqiptare e përcaktonin statusin e tyre seksual në një kulturë fisnore të asaj kohe. “Për mua ishte jashtëzakonisht shokuese se si gratë të cilat bëheshin burra në Shqipëri kishin krejt të drejtat e tyre. Dhe më interesantja ishte se këto të drejta i fitonin duke hequr dorë nga marrëdhëniet seksuale me burra”, kishte thënë Munro.
Bazuar në shkrimin e “The Guardian”. Përgatiti: Enis Bytyqi