Kulturë

Albumi më i rrallë në botë do të ekspozohet në Australi

Album

Kutia e argjendtë ku ruhet albumi i grupit ikonik të hip-hopit “Wu-Tang Clan”, “Once Upon a Time in Shaolin”. Muzeu “Mona” në Tasmani do të organizojë ndeja dëgjimi, në mënyrë që publiku të mund ta dëgjojë albumin për herë të parë

“Once Upon a Time in Shaolin”, albumi më i rrallë në botë’ i cili iu shit dikur për 2 milionë dollarë biznesmenit famëkeq me prejardhje shqiptare Martin Shkrelit, i është dhënë hua Muzeut të Artit të Vjetër dhe të Ri të Tasmanisë

(The Guardian) – Një album aq i rrallë dhe i vlefshëm, sa që vetëm pak veshë e kanë dëgjuar ndonjëherë, do të ekspozohet në një galeri arti në Australi. Kjo ia mundëson publikut t’i shijojë këngët ekskluzive të albumit.

I ruajtur në një kuti të bukur prej argjendi, albumi “Once Upon a Time in Shaolin”, i incizuar në fshehtësi nga grupi muzikor “Wu-Tang Clan” për një periudhë gjashtëvjeçare, ishte projektuar për të qenë një pjesë e bukur e artit. Vetëm një kopje e CD-së ekziston në botë.

Incizimi i grupit pionier të hip-hopit është më i shtrenjti i shitur ndonjëherë. Aktualisht është huazuar nga Muzeu i Artit të Vjetër dhe të Ri të Tasmanisë “Mona”.

Brenda dhjetë ditëve në muajin qershor, “Mona” do të organizojë ndeja të vogla ku publiku dhe të gjithë adhuruesit e muzikës mund ta dëgjojnë një model të kuruar 30-minutësh të albumit.

“Kohë pas kohe, ndonjë objekt i caktuar në këtë planet zotëron veti mistike që i tejkalojnë rrethanat materiale”, ka thënë drejtori i Departamentit Kuratorial të muzeut “Mona”, Jarrod Rawlins. “’Once Upon a Time in Shaolin’ është më shumë se sa një album, kështu që e dija se duhej ta përfshija në këtë ekspozitë”.

I themeluar në Staten Island në fillim të viteve ‘90, grupi “Wu-Tang Clan” thuhet se ka revolucionarizuar përgjithmonë hip-hopin. Mirëpo pjesëtaret e tij gjithashtu shquhen për tekstet e këngëve me përmbajtje eksplicite seksuale dhe të dhunshme.

Albumi unik i incizuar në New York City dhe prodhuar në Marrakesh gjatë viteve 2006-2013, i përfshin nëntë anëtarët e mbijetuar të grupit. Ata mendonin se vlera e muzikës kishte rënë si pasojë e transmetimeve në internet dhe piraterisë, dhe donin të praktikonin një qasje të stilit të Rilindjes ndaj muzikës, duke e ofruar atë si një produkt të porositur. Krahas kutisë së gdhendur prej argjendi, albumit ia kanë bashkëngjitur një dorëshkrim që përmban tekste këngësh dhe një certifikatë autenticiteti si dhe një kusht ligjor që pronari i albumit të mos ketë mundësi t’i lansojë 31 këngët e albumit për plot 88 vjet.

Producenti i njohur amerikan, njëherësh bashkëthemelues dhe lider i “Wu-Tang Clan”, RZA, e krahasoi albumin me një vepër arti të Picassos ose një artefakt të lashtë egjiptian.

“Është një vepër unike origjinale dhe jo një kopje e albumit”, kishte thënë RZA, kur një kopje e vetme e “Once Upon a Time in Shaolin” doli në shitje në vitin 2015.

Dosjet digjitale të këtij incizimi ishin fshirë menjëherë. Prandaj vetëm një numër i vogël i njerëzve në planet kanë pasur rastin të dëgjojnë fragmente të 31 këngëve të përfshira në album.

Disa vjet më vonë, “Once Upon a Time in Shaolin” u ble në një ankand nga biznesmeni famëkeq me prejardhje shqiptare – i dënuar për krime financiare –  Martin Shkreli. Ky i fundit kishte premtuar që do ta publikonte albumin nëse Donald Trumpi i fiton zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe kur kjo gjë ndodhi, Shkreli i transmetoi disa fragmente të albumit online.

Në vitin 2018 pasi Shkreli u dënua për mashtrim të investitorëve, u detyrua ta dorëzojë albumin si pjesë aseteve në vlerë prej 7.4 milionë dollarësh që u sekuestruan nga gjykata federale. Aty përfshihej gjithashtu një pikturë e Picassos dhe albumi i papublikuar i reperit Lil Wayne, “Tha Carter V”.

“Once Upon a Time in Shaolin” më pas iu shit kolektivit të artit digjital, “Pleasr”.

Në një komunikatë të fundit për media, kolektivi artistik deklaroi se ndejat për dëgjimin e albumit të organizuara nga muzeu “Mona” –  të cilat do të zhvillohen gjatë datave 15 dhe 24 qershor – ndihmojnë në realizimin e “vizionit të guximshëm të grupit” për të bërë një album të vetëm si një vepër të bukur arti.

“Mona” shquhet për ekspozitat provokuese. E fundit e titulluar “Ladies Lounge”, mori vëmendje ndërkombëtarisht, pasi u bë pjesë qendrore e një çështjeje të profilit të lartë kundër diskriminimit.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku