Kulturë

Aktorët “reprizojnë” grevën, Ministria e Kulturës heshtjen

Aktorët në grevë

Shpëtim Kastrati (nga e majta), Maylinda Kosumoviq, Shkëlzen Veseli, Sheqerie Buçaj, Adrian Morina dhe Shëngyl Ismaili gjatë konferencës për medie nëpërmjet së cilës kanë shpallur grevën e përgjithshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës (Foto: Driton Paçarada)

Ora 13:00 e së dielës e ka gjetur skenën e teatrit kombëtar të Kosovës në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit me 6 aktorë përballë gazetarëve. Si Këshill Grevist kanë bërë të ditur vendimin për grevë të përgjithshme, arsyet e ndërmarrjes së këtij hapi dhe kërkesat e tyre. Përgatitja për këtë “inskenim” ka nisur qysh në shtator. Mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës, sipas aktorëve, e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Përderisa Ministria e Kulturës ka heshtur, aktorët janë treguar të vendosur se pa marrëveshje me punëdhënësin s’ka ndërprerje të grevës. Ky hap sindikal kthehet si “reprizë” në TKK pas grevës së vitit 2018

“Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë” me autor filozofin amerikan, Thomas Jefferson, është thënia që qëndron në një baner të madh midis sallës ku jepen shfaqjet e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nuk bën pjesë te skenografia e programit të rregullt. Por i takon një “shfaqjeje” që tash ka nisur të jetë në “repertor” të rregullt të institucionit më të lartë teatror në vend. Është slogani me të cilin stafi artistik i TKK-së ka hyrë në grevë nëpërmjet një vendimi të shpallur pak pas mesditës së të dielës. Përderisa Ministria e Kulturës ka heshtur, aktorët janë treguar të vendosur se pa marrëveshje me punëdhënësin, s’ka ndërprerje të grevës. Ky hap sindikal kthehet si “reprizë” në TKK pas grevës së vitit 2018.

Ora 13:00 e së dielës e ka gjetur skenën e teatrit kombëtar të Kosovës në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit me 6 aktorë përballë gazetarëve. Si Këshill Grevist kanë bërë të ditur vendimin për grevë të përgjithshme, arsyet e ndërmarrjes së këtij hapi dhe kërkesat e tyre. Përgatitja për këtë “inskenim” ka nisur qysh në shtator. Mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës, sipas aktorëve, e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij Ligji para 19 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11.

“Pas shterjes së të gjitha afateve dhe mundësive, pas mosrealizimit të kërkesës sonë edhe përmes ndërmjetësuesit, atëherë ne pa vullnetin tonë, konsiderojmë se mbajtja e një greve të përgjithshme është e vetmja formë që tërheq vëmendjen e punëdhënësit që ai të nisë t’i realizojë kërkesat tona”, ka thënë aktorja Sheqerie Buçaj, në cilësinë e kryetares së Shoqatës sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës derisa ka lexuar vendimin që kanë marrë. Ka përmendur disa herë se krejt kjo po bëhet pa vullnetin e tyre njëjtë siç ka përsëritur se në çdo moment janë të hapur për bisedime. Por njëkohësisht ka bërë të ditur se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe përdorimi i mjeteve sindikale për realizimin e tyre.

“Si Këshill Grevist do të demonstrojmë unitetin dhe vendosmërinë tonë në avokimin për trajtim të drejtë dhe përmirësim të kërkesave tona”, ka thënë Buçaj.

Aktori Adrian Morina në cilësinë e anëtarit të Këshillit Grevist ka shpjeguar kronologjinë e arritjes deri në grevë. KOHA ka raportuar qysh të shtunën se greva ka nisur me anulimin e provave për shfaqjen “Emira” që po përgatitej si bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar në Maqedoni. Shfaqja në kushte normale do ta kishte premierën më 20 nëntor kur edhe planifikoi të niste edicioni i tretë i Festivalit, pas një edicioni në Shkup e një tjetri në Tiranë. Morina ka përmendur Rregulloren për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore të miratuar më 2011 e më pas edhe versionin e vitit  2018. Ka thënë se me Ligjin për pagat në sektorin publik janë degraduar aktorët e TKK-së. Me versionin e Rregullores së vitit 2018 të kualifikuarit si “Të parët e teatrit” kishin pagë 800 euro, kurse udhëheqësi artistik i këtij institucioni kishte pagë prej 868 euro. Me Ligjin e pagave aktorët kanë koeficient 8, kurse udhëheqësi artistik 13. Aktorët të dielën s’kanë përmendur shifra pagash, kanë thënë se duhet të rregullohet degradimi. Sa i përket grevës, Morina ka sqaruar krejt hapat e deritashëm. Ka thënë se prej 1 nëntorit – datë kjo që ishte paralajmëruar për grevë – kanë ofruar kohë shtesë për MKRS-në. Siç e kërkon legjislacioni në fuqi, kanë angazhuar ndërmjetësuesin. Por Morina ka thënë të jenë zhgënjyer. 

“Në ditën e fundit të afatit kalimtar përmes ndërmjetësuesit kemi marrë një letër e cila na ka irrituar pa masë, për shkak se aty flitet për sukseset e jashtëzakonshme që janë bërë gjatë kësaj qeverisjeje nga ana e ministrit të kulturës, dhe duket gati-gati ofenduese”, ka thënë ai. Ka shtuar se në atë letër gjendet hapësirë të flitet për gjithçka tjetër, vetëm jo për çështjen për të cilën adresohet. Morina ka thënë se aktivitetet e TKK-së për një vit janë më të shumta në numër se të krejt institucioneve të kulturës së bashku. Të pyetur se për çfarë arsye kanë hyrë në grevë në këtë kohë kur rrezikohet të dështojë festivali “Moisiu”, aktorët kanë thënë se greva nuk korrespondon me asnjë aktivitet të veçantë. Madje kanë shprehur edhe njëfarë irritimi. Në takimin që kanë pasur me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë thënë të mos kenë arritur që të marrin një zotim me shkrim për mënyrën dhe kohën rregullimit të çështjes së koeficienteve. KOHA ka marrë vesh se ministri i Kulturës, Hajrulla  Çeku, ka tentuar të ndikojë që aktorët të mos hyjnë në grevë duke dërguar ndërmjetësues një figurë të njohur të komunitetit artistik e njëkohësisht person në marrëdhënie bashkëshortore me një prej anëtarëve të kryesisë së Shoqatës Sindikale. Se greva s’lidhet me kurrfarë aktiviteti direkt të TKK-së kanë thënë që të gjithë.

“Nuk ka asnjë ndërlidhje as me festivalin e as me premierën. Ne na vjen keq që kjo narrativë po përdoret sikur ne jemi kundër festivalit, ose kundër vetë produkteve tona. Nuk është e vërtetë. Nuk mundet askush tjetër me i dashtë festivalin edhe shfaqjet që i prodhon Teatri Kombëtar më shumë se ne aktorët”, ka thënë aktori Shkëlzen Veseli.

Në këtë rast ka reaguar edhe aktorja Shëngyl Ismaili. Ka thënë se s’ka mundësi që aktorët të jenë kundër një shfaqjeje që luajnë vetë. Ajo është pjesë e shfaqjes “Emira”.

“Është idiotike me përdorë këtë si fakt të kryengritjes sonë sepse nuk ka të bëjë me festival, as me premierën tonë që kemi pasur ta prezantojmë, që sigurisht kur të realizohen kërkesat tona ajo premierë ka për tu mbajtur. Ka të bëj me të drejtat tona të cilat jemi duke i kërkuar ndër vite”, ka thënë ajo.

Të dielën Ministria e Kulturës nuk i është përgjigjur sa i përket shpalljes së grevës. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shpërndarë edhe publikimet e ministrave të tjerë në rrjete sociale por grevën e ka injoruar të paktën publikisht. Të mërkurën e kaluar gjatë një konference për medie pas mbledhjes së Qeverisë, KOHA e kishte pyetur ministrin Çeku për paralajmërimet për grevë. Ai kishte folur për investimet e Qeverisë e kishte bërë thirrje për reflektim pozitiv.

“I ftoj edhe njëherë (aktorët v.j.) që të reflektojnë pozitivisht dhe të mos ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për të parë shfaqje të mira në Teatër”, kishte thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.

Asokohe sqaronin se kërkesën për rritje të pagave e bazojnë në përgatitjen profesionale të trupës, shkallën e përgjegjësisë, specifikat e vendit të punës, volumin e madh të punës, punën pa orar, e cila arrin edhe deri në 16 orë punë në ditë, e punën gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të  punës.  Më pas si arsye kishin renditur “kalendarin e ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrin e reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrin e shikuesve që është trefishuar duke qenë institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së, duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend”.

Kishte qenë pikërisht Shoqata Sindikale e Teatrit që në vazhdimësi kishte bërë thirrje për rangim tjetër në paga. Më 2018 kishin hyrë edhe në grevë në kohën kur ministër i Kulturës ishte Kujtim Gashi.

Pas negociatave, ministri i Kulturës në atë kohë, Kujtim Gashi, ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind. Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues, pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore.

Më 1 nëntor të atij viti, 228 punonjës kishin marrë pagat me rritje. Dy konferenca për media e një ndejë në një hotel luksoz në periferi të Prishtinës ishin organizuar për këtë vendim. Pavarësisht kësaj, rritja në shumë raste nuk është bërë për 50 për qind, ashtu siç kishte premtuar ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi.