Kulturë

Aktorët grevistë “ia nxjerrin” fytyrat Ministrisë

Greva e aktoreve

“Forca qëndron në ata që kanë guximin të kërkojnë drejtësi”, është thënia e dramaturgut e disidentit, dramaturgut e politikanit të njohur polak, Vaclav Havel, të cilin aktorët grevistë e kanë ngjitur në ballë të institucionit. Nëpërmjet portreteve në shkallë, midis të tjerash, simbolikisht kanë treguar se po shkelen në dinjitetin prej artisti nëpërmjet vlerësimit që u bëhet me paga

Me portretet e tyre të shpërndara nëpër shkallët e Ministrisë, si një thirrje për t’i shkelur ashtu siç konsiderojnë se janë në realitet, aktorët grevistë të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë protestuar simbolikisht. “Sot, përmes këtij veprimi simbolik para Ministrisë së Kulturës, ne, artistët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, bëjmë thirrje publike ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës për të reflektuar mbi gjendjen e rëndë, diskriminuese dhe të papranueshme të artistëve”, ka thënë pas aksionit aktori Shkëlzen Veseli në emër të Këshillit Grevist

Ata që ia kanë mësyrë të hyjnë a të dalin nga porta e Ministrisë së Kulturës pas orës 10:00 të së martës, i kanë pasur dy mundësi: të bëjnë leqe për t’i shmangur ose të shkelin në portretet e fytyrave të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Aktorët e këtij institucioni në ditën e 12-të të grevës, që e ka paralizuar punën në TKK, kanë bërë një aksion simbolik para punëdhënësit: Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

“Forca qëndron në ata që kanë guximin të kërkojnë drejtësi”, është thënia e dramaturgut e disidentit, dramaturgut e politikanit të njohur polak, Vaclav Havel, të cilin e kanë ngjitur në ballë të institucionit. Nëpërmjet portreteve në shkallë, midis të tjerash, simbolikisht kanë treguar se po shkelen në dinjitetin prej artisti nëpërmjet vlerësimit që u bëhet me paga. Kërkesa e tyre për koeficientë, siç thonë, të dinjitetshëm, është e vjetër 19 muaj, sa vetë koha e hyrjes në fuqi e Ligjit për pagat në sektorin publik. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8. Kërkesat qenë për 11. 

“Sot, përmes këtij veprimi simbolik para Ministrisë së Kulturës, ne, artistët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, bëjmë thirrje publike ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës për të reflektuar mbi gjendjen e rëndë, diskriminuese dhe të papranueshme të artistëve”, ka thënë pas aksionit aktori Shkëlzen Veseli në emër të Këshillit Grevist.

“Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë së Kosovës ua kujtojmë se puna dhe përkushtimi ynë për Teatrin Kombëtar nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret e të jemi më të degraduarit në rajon, të mos lasim për Evropë”, ka thënë aktori Shkëlzen Veseli

Sipas tij, artistët janë pasuria e një shoqërie dhe ndikimi i tyre shkon përtej skenës apo ekranit duke dokumentuar ngjarjet e rëndësishme historike dhe sociale, e përmes krijimtarisë ruajnë dhe përcjellin identitetin kombëtar dhe kulturor te brezat e ardhshëm. 

“Ministrisë se Kulturës dhe Qeverisë së Kosovës ua kujtojmë se puna dhe përkushtimi ynë për Teatrin Kombëtar nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret e të jemi më të degraduarit në rajon, të mos flasim për Evropë. Ne kemi dhënë dhe do te japim gjithçka për Teatrin, shtëpinë tonë, duke punuar pa orar, në vikende dhe në festa zyrtare. Shpesh pa u respektuar as standardet minimale të trajtimit dinjitoz që meriton një artist”, ka thënë Veseli. 

Ka konsideruar se diskriminimi ligjor që u është bërë sfidon dinjitetin e profesionit të aktorit dhe është një gabim që do të mbahet në mend si ofendimi më i  rëndë që i është bërë artistit të Teatrit Kombëtar. 

“Ky gabim ligjor buron nga ky institucion i cili do duhej që të kujdesej për artistin dhe kulturën si vlera themelore e identitetit tonë kombëtar. Ne qëndrojmë këtu sot si dëshmi e bashkimit tonë. Nuk do të ndalemi derisa t’i arrijmë të drejtat tona legjitime, dinjitetin tonë profesional dhe respektin që çdo artist meriton. Turpi është i atyre që na kanë detyruar që pa vullnetin tonë të dalim këtu për të kërkuar ato që duhej te na takojnë me ligj e me të drejtë”, ka thënë ai. Duke iu përshtatur mënyrës së të folurit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, Veseli ka përsëritur thënien e filozofit amerikan, Thomas Jefferson: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”. 

Ministria e Kulturës nuk ka reaguar gjatë ditës. 

Pos bllokimit të punës së institucionit më të lartë teatror në vend, greva ka bërë që edicioni i tretë i festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu” të anulohet. Do të niste në ditën e 20-të të këtij muaji. 

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. 

Aktori Adrian Morina në cilësinë e anëtarit të Këshillit Grevist kishte shpjeguar kronologjinë e arritjes deri në grevë. Kishte përmendur Rregulloren për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore të miratuar më 2011, e më pas edhe versionin e vitit  2018. Kishte thënë se me Ligjin për pagat në sektorin publik janë degraduar aktorët e TKK-së. Me versionin e Rregullores së vitit 2018 të kualifikuarit si “Të parët e teatrit” kishin pagë 800 euro, kurse udhëheqësi artistik i këtij institucioni kishte pagë prej 868 eurosh. Me Ligjin e pagave aktorët kanë koeficient 8, kurse udhëheqësi artistik 13. 

Në takimin që kanë pasur me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë thënë të mos kenë arritur që të marrin një zotim me shkrim për mënyrën dhe kohën e rregullimit të çështjes së koeficienteve. KOHA kishte marrë vesh se ministri i Kulturës, Hajrulla  Çeku, ka tentuar të ndikojë që aktorët të mos hyjnë në grevë duke dërguar ndërmjetësues një figurë të njohur të komunitetit artistik, e njëkohësisht person në marrëdhënie bashkëshortore me një prej anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës Sindikale. 

Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur sa i përket shpalljes së grevës. Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë para dy javësh, KOHA e kishte pyetur ministrin Çeku për paralajmërimet për grevë. Ai kishte folur për investimet e Qeverisë e kishte bërë thirrje për reflektim pozitiv. 

“I ftoj edhe një herë (aktorët v.j.) që të reflektojnë pozitivisht dhe të mos ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për të parë shfaqje të mira në Teatër”, kishte thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.