Kulturë

Aktorët e Teatrit Kombëtar në “aksion” për rritje pagash me vonesë në prova

Greva e paralajmeruar  nga aktoret e Teatrit

Fiks 18 muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, ata kanë shfrytëzuar mundësinë legale që ua ofron legjislacioni për veprime sindikale. Të njohur dikur për greva, tash kanë marrë një veprim më të vogël. Kanë nisur provat me vonesë. Këtë e kanë bërë të ditur nëpërmjet një komunikate për medie. E Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka bëzajtur të paktën të hënën. Konfliktet e aktorëve të TKK-së me shtetin, sa u përket pagave, janë të vjetra. Por ky muhabet është i njohur edhe për formacionet e tjera artistike brenda institucioneve qendrore të kulturës

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës i janë rikthyer “trokitjeve” në dyert e Ministrisë së Kulturës sa u përket pagave. Fiks 18 muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, ata kanë shfrytëzuar mundësinë legale që ua ofron legjislacioni për veprime sindikale. Të njohur dikur për greva, tash kanë marrë një veprim më të vogël. Kanë nisur provat me vonesë. Këtë e kanë bërë të ditur nëpërmjet një komunikate për medie. E Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka bëzajtur të paktën të hënën. 

Konfliktet e aktorëve të TKK-së me shtetin, sa u përket pagave, janë të vjetra. Por ky muhabet është i njohur edhe për formacionet e tjera artistike brenda institucioneve qendrore të kulturës. 

Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar se në përputhje me të gjitha rregulloret dhe ligjet përkatëse, ka marrë vendim që të hënën të fillojë zyrtarisht zbatimin e hapave sindikalë me “fillimin e provave me 10 minuta vonesë”. 

“Ky hap është vetëm fillimi i hapave që do të ndërmarrim, ashtu siç kemi paralajmëruar në letrën e dërguar ministrit të Kulturës të datës 09.09.2024. Hapat sindikalë do të përshkallëzohen javë pas jave deri në realizimin e kërkesës sonë: Përmirësimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës”, shkruhet në njoftim. 

Aty sqarohet se kërkesën e bazojnë në përgatitjen profesionale të trupës, shkallën e përgjegjësisë, specifikat e vendit të punës, volumin e madh të punës, punën pa orar, e cila arrin edhe deri në 16 orë punë në ditë, e punën gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të  punës.  Më pas si arsye kanë renditur “kalendarin e ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrin e reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrin e shikuesve që është trefishuar duke qenë institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së, duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend”. Më pas te arsyetimet shkruhet se sot aktori i TKK-së, pavarësisht kualifikimit superior, ka pagë të barabartë edhe me punëtorët teknikë të teatrove të qyteteve.

“Aktorët e TKK- së janë e vetmja kategori jo që nuk kanë përfituar, por janë diskriminuar me Ligjin për Paga dhe kanë të ardhurat më të vogla në rajon. Nëse e marrim vetëm Shqipërinë, aktorët e të cilit shtet na kishin lakmi dje, sot të njëjtit në Teatrin Kombëtar të Tiranës gëzojnë dyfishin duke arritur pagë deri në 1500 euro. Pagë kjo në nivel universitar, ashtu siç e kanë edhe teatrot kombëtare në vendet e tjera të rajonit dhe njashtu siç kemi kërkuar edhe ne që prej themelimit”, shkruhet në njoftim. 

Në njoftimin e nënshkruar nga kryetarja e Shoqatës Sindikale, Sheqerie Buçaj, po ashtu njoftohet se në të ardhmen, SHSATKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së, duke luajtur rol aktiv në përmirësimin e kushteve për performuesit e artit deri në hartimin e ligjit të veçantë për performuesit e artit në Republikën e Kosovës.
Pakënaqësitë e aktorëve zunë fill qysh në shkurtin e vitit të kaluar kur hyri në fuqi Ligji mbi Pagat dhe u caktua vlera e koeficientëve. Asokohe MKRS-ja proklamonte se aktorët prej 720 do të marrin pagë në 840 euro. 

Por këto paga të proklamuara janë veç për kategoritë e para të punonjësve, pasi profesionistët e artit dhe të kulturës ndahen në disa kategori. 

Pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Shoqata Sindikale e këtij institucioni kishte kërkuar që kategoria e “Aktorëve të parë” të ketë koeficient 11. Vjet vlera e koeficientit ishte 105 euro. Sivjet është 110 euro. Për kategorinë e dytë të aktorëve është kërkuar koeficient 9 e për të tretën koeficienti 8.5. Por aktualisht “Të parët e teatrit” kanë koeficient 8. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji renditen edhe koeficientët e propozuar për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë. 

“Kjo vjen edhe në vazhdën e lënies së institucionit pa drejtor gjeneral për tre vjet, pa udhëheqës artistik që nga viti 2019, mbylljes së objektit pa asnjë plan, ku edhe sot s’ka filluar asnjë hap për renovim, duke improvizuar objekte që nuk i plotësojnë as kushtet minimale për punë, shkurtime buxhetore... Pra, është një luftë e pastër ndaj TKK-së”, kishte thënë në shkurtin e vjetëm aktori Shkëlzen Veseli, asokohe kryetar i Shoqatës Sindikale. 

Kërkesat për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës. 

Asokohe, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientët do të rishqyrtohen. Të hënën, MKRS-ja nuk e ka komentuar situatën. 

Paraprakisht, para 2023-s, pagat e krijuesve, performuesve dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore ishin rritur në nëntor të vitit 2019. Në shtatorin e atij viti fillimisht kishin hyrë në grevë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës e më pas atyre u ishin bashkuar edhe punonjësit e institucioneve të tjera. Pas negociatave, ministri i Kulturës në atë kohë, Kujtim Gashi, ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind. Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues, pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore. 

Më 1 nëntor të atij viti 228 punonjës kishin marrë pagat me rritje. Dy konferenca për media e një ndejë në një hotel luksoz në periferi të Prishtinës ishin organizuar për këtë vendim. Pavarësisht kësaj, rritja në shumë raste nuk është bërë për 50 për qind, ashtu siç kishte premtuar ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi. E shumë punonjës të Kulturës kishin bërë fushatë në rrjete sociale duke e quajtur Gashin “ministër që mban fjalën”.