Aktorët e institucionit më të lartë teatror në vend kanë zgjedhur që ultimatumin ta bëjnë nga Shkupi. Në krah u ka dalë edhe Festivali ndërkombëtar i teatrove “Skupi Festival”. Ngjarja që ka nisur të hënën pikërisht me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “1984”, është solidarizuar me aktorët. Në shenjë përkrahjeje termini i dhënies së shfaqjes është shtyrë për një orë. Kësisoj do të ndodhë me secilën shfaqje të Festivalit që do të zgjasë deri në ditën e 19-të të këtij muaji. Aktorët kërkojë rritje pagash ose prej 1 nëntorit do të ketë grevë të plotë. Ministria e Kulturës larg syve të publikut ka negociuar me aktorët.
Teatri Kombëtar i Kosovës është në prag të pezullimit të mosfunksionimit. Aktorët e këtij institucioni kanë dalë me ultimatum ndaj Ministrisë së Kulturës. Kërkojnë rritje pagash ose prej 1 nëntorit do të ketë grevë të plotë. Ministria e Kulturës larg syve të publikut ka negociuar me aktorët. Nuk janë marrë vesh ende. Dhe, aktualisht nuk kanë komunikim.
Aktorët e institucionit më të lartë teatror në vend kanë zgjedhur që ultimatumin ta bëjnë nga Shkupi. Në krah u ka dalë edhe Festivali ndërkombëtar i teatrove “Skupi Festival”. Ngjarja që ka nisur të hënën pikërisht me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “1984”, është solidarizuar me aktorët. Në shenjë përkrahjeje, termini i dhënies së shfaqjes është shtyrë për një orë. Kësisoj do të ndodhë me secilën shfaqje të Festivalit që do të zgjasë deri në ditën e 19-të të këtij muaji.
“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit. Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, ka njoftuar Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar që drejtohet nga aktorja Sheqerie Buçaj.
Në të njëjtin njoftim, sindikalistët kanë bërë të ditur se hapat e tyre do të jenë më radikalë.
“Sindikata do të vazhdojë me veprime të tjera sipas orarit të paralajmëruar deri më datën 1 nëntor kur, nëse deri atëherë s’do të ketë reflektim nga institucionet vendimmarrëse ne do të kalojmë në grevë të plotë kur do të anulohen të gjitha shfaqjet e parapara në programin e Teatrit Kombëtar të Kosovës”, shkruhet në njoftim.
Ky hap vjen pas atij të 16 shtatorit kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.
Aktorët 18 muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, e kanë shfrytëzuar mundësinë legale që ua ofron legjislacioni për veprime sindikale. Paraprakisht më 9 shtator e kishin lajmëruar Ministrinë e Kulturës për veprimet që do të merrnin.
Aty sqaronin se kërkesën për rritje të pagave e bazojnë në përgatitjen profesionale të trupës, shkallën e përgjegjësisë, specifikat e vendit të punës, volumin e madh të punës, punën pa orar, e cila arrin edhe deri në 16 orë punë në ditë, e punën gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të punës. Më pas si arsye kishin renditur “kalendarin e ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrin e reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrin e shikuesve që është trefishuar duke qenë institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së, duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend”. Më pas tek arsyetimet shkruhej se sot aktori i TKK-së, pavarësisht kualifikimit superior, ka pagë të barabartë edhe me punëtorët teknikë të teatrove të qyteteve.
“Aktorët e TKK-së janë e vetmja kategori jo që nuk kanë përfituar, por janë diskriminuar me Ligjin për Paga dhe kanë të ardhurat më të vogla në rajon. Nëse e marrim vetëm Shqipërinë, aktorët e të cilit shtet na kishin lakmi dje, sot të njëjtit në Teatrin Kombëtar të Tiranës gëzojnë dyfishin duke arritur pagë deri në 1500 euro. Pagë kjo në nivel universitar, ashtu siç e kanë edhe teatrot kombëtare në vendet e tjera të rajonit dhe njashtu siç kemi kërkuar edhe ne që prej themelimit”, shkruhej në njoftim.
Në njoftimin e nënshkruar nga kryetarja e Shoqatës Sindikale, Sheqerie Buçaj, po ashtu njoftohej se në të ardhmen, SHSATKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së, duke luajtur rol aktiv në përmirësimin e kushteve për performuesit e artit deri në hartimin e ligjit të veçantë për performuesit e artit në Republikën e Kosovës.
Pakënaqësitë e aktorëve zunë fill qysh në shkurtin e vitit të kaluar kur hyri në fuqi Ligji mbi Pagat dhe u caktua vlera e koeficienteve. Asokohe MKRS-ja proklamonte se aktorët prej 720 do të marrin pagë në 840 euro.
Por këto paga të proklamuara janë veç për kategoritë e para të punonjësve, pasi profesionistët e artit dhe të kulturës ndahen në disa kategori.
Ministria e Kulturës, nuk është përgjigjur asnjëherë sa i përket kësaj çështjeje. KOHA ka mësuar se larg syve të publikut, Ministria e Kulturës ka komunikuar me Shoqatën Sindikale të Teatrit. MKRS-ja ka kërkuar që të ketë takim me të gjithë ansamblin e aktorëve, por kryesia e sindikalistëve për një takim të tillë i kanë thënë ministrit Çeku t’i drejtohet menaxhmentit të TKK-së. Aktualisht palët s’kanë komunikim.
Para 19 muajsh kur ishin ngritur pagat, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Shoqata Sindikale e këtij institucioni kishte kërkuar që kategoria e “Aktorëve të parë” të ketë koeficient 11. Vjet vlera e koeficientit ishte 105 euro. Sivjet është 110 euro. Për kategorinë e dytë të aktorëve është kërkuar koeficient 9 e për të tretën koeficienti 8.5. Por aktualisht “Të parët e teatrit” kanë koeficient 8. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.
Kërkesat për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës.
Asokohe, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtohen.
Paraprakisht, para 2023-s, pagat e krijuesve, performuesve dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore ishin rritur në nëntor të vitit 2019. Në shtatorin e atij viti fillimisht kishin hyrë në grevë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, e më pas atyre u ishin bashkuar edhe punonjësit e institucioneve të tjera. Pas negociatave, ministri i Kulturës në atë kohë, Kujtim Gashi, ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind. Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues, pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore.
Më 1 nëntor të atij viti 228 punonjës kishin marrë pagat me rritje. Dy konferenca për media e një ndejë në një hotel luksoz në periferi të Prishtinës ishin organizuar për këtë vendim. Pavarësisht kësaj, rritja në shumë raste nuk është bërë për 50 për qind, ashtu siç kishte premtuar ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi.