Të rinjtë kreativë në animacion ose aso që janë kureshtarë për të ndërtuar ndonjë tregim me personazhe të vizatuara, kanë mundësi që ta testojnë veten. Organizata “Anibar” që organizon Festivalin e filmit të animuar me të njëjtin emër, bashkë me Ambasadën e Francës në Kosovë kanë hapur thirrjen për angazhimin e 65 të rinjve që do të kenë mundësi që për tetë muaj falas të marrin mësime për animacionin. Përtej kësaj, projekti ofron një lloj inkubatori edhe për nisjen e bizneseve të reja në këtë industri.
Projekti titullohet “Genesis” dhe sipas thirrjes, është një program i inkubimit i krijuar për të mbështetur individët e rinj krijues në zhvillimin e ideve të tyre dhe lidhjen me profesionistët e industrisë. Programi është i hapur për artistë me përvojë dhe fillestarë në industritë kreative.
“Gjatë 8 muajve, deri në 65 pjesëmarrës do të kenë mundësinë të marrin pjesë në një program gjithëpërfshirës deri në 16 orë në javë falas në Prishtinë dhe Pejë”, shkruhet në thirrjes e cila qëndron e hapur deri më 15 shtator përderisa programi fillon më 1 tetor.
Të rinjtë që do të pranohen do të kenë mundësi që të ndjekin kurse përgatitore për animacion narrativ 2D, animacion 3D, shkrim të skenarit, regji të animacionit, dizajn karakteresh, dizajn skene, post-produksion, dizajn të zërit, animacion eksperimental, teknikën “stop motion” e animacion tradicional. Po ashtu, ofrohen edhe kurse të gjuhës frënge për fillestarët e trajnim dhe mentorim nga profesionistë të industrisë. Programi po ashtu ofron edhe përzgjedhjeje ku studentë të caktuar do të kenë mundësinë të përfitojnë vizita studimore në Francë, e po ashtu financim fillestar për të filluar projekte.
Gjatë edicionit të sivjetmë të Festivalit të filmit të animuar, “Anibar”, organizata dhe Ambasada e Francës në Kosovë kishin nënshkruar Marrëveshjen që sjell në Kosovë 480 mijë euro. Bëhet fjalë për një projekt 18-mujor që ka për qëllim trajnimin, përshpejtimin e pavarësimin e animatorëve të rinj dhe organizimin e një panairi të sipërmarrjeve të reja franko-kosovare.
Drejtori ekzekutiv i “Anibarit”, Vullnet Sanaja, kishte nënshkruar Marrëveshjen me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, nëpërmjet së cilës Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës financon projektin “Génesis” që do të implementohet nga “Anibari” dhe Instituti i Francës në Kosovë, i themeluar në mars të këtij viti në kuadër të edicionit të 24-t të Javës së Frankofonisë.
Pak para se të nënshkruhet Marrëveshja, drejtori ekzekutiv i “Anibar” Vullent Sanaja, kishte thënë se organizata që ai udhëheq ofron një platformë që bashkon njerëzit përreth filmit të animuar.
“Me Akademinë e Animacionit ne kemi krijuar gjeneratë të re të animatorëve. Tash po nis një rrugëtim i ri bashkë me partnerët tanë. Qëllimi është që të fuqizohen animatorët e rinj dhe që ata të shkëmbejnë përvoja me kolegët e tyre francezë. Bashkë po ndërtojmë ura për të rinjtë e vendeve tona”, kishte thënë ai.
Kurse ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, kishte thënë se industria audiovizive në Francë luan një rol shumë të rëndësishëm në identitet, kulturë dhe ekonomi. Ka treguar se më shumë se 250 mijë veta janë të punësuar në rreth 13 mijë kompani në të gjithë Francën.
Kishte treguar se projekti është rezultat i partneritetit afatgjatë dhe i njohjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare të industrisë kulturore dhe krijuese. Kishte përmendur festivalet prestigjioze, përfshirë atë të Cannes, ku filmat nga Kosova kanë marrë pjesë. Po ashtu, kishte përmendur edhe Marrëveshjen midis Francës e Kosovës për bashkëprodhim filmash. Ka thënë se do të rrisin mbështetjen për tri festivale: “Anibar”, “DokuFest” dhe “PriFilmFest”.
“Objektivi kryesor i këtij projekti është të ndihmojë profesionistët e rinj kosovarë në animacion të krijojnë mikro-kompanitë e tyre në përpjekje për të rritur ndërmarrësinë në vend dhe me efekte që arrijnë shumë përtej vetë Kosovës”, kishte thënë Guérot. Kishte sqaruar se projekti i përbashkët përfshin tre sekuenca.
“Së pari, trajnimi e inkubacioni. Kjo do të jetë sekuenca më e gjatë. Gjatë kësaj faze do të kemi rreth 65 studentë premtues dhe të parakualifikuar nga ‘Anibar’ dhe Instituti Francez në Animacion dhe në gjuhën frënge. Ky formim do t’u ndihmojë gjithashtu studentëve të përcaktojnë një rrugë më të qartë karriere. Në fund të trajnimit, disa studentë do të kenë mundësinë të bëjnë udhëtime studimore në Francë me profesionistë të fushës”, kishte thënë ai. Sipas tij, sekuenca e dytë është ajo e përshpejtimit ku studentët duhet të përgatisin prezantimin e një projekti që do ta paraqesin para një grupi ekspertësh të zgjedhur nga partnerët ku studentët e përzgjedhur më pas do të punojnë në krijimin e mikro-ndërmarrjeve të tyre me ndihmën e një mentori.
“Projekti i mikro-ndërmarrjes mund të fokusohet në një nga tre sektorët e mëposhtëm: prodhim filmash, videolojëra ose prodhimi i videove të tjera. Një numër i caktuar i këtyre projekteve do të përfitojë nga financimi për të krijuar dosjet e tyre të prezantimit në katër gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht dhe serbisht. Së fundi, një komitet tjetër ekspertësh do të përzgjedhë projektet përfundimtare të cilat do të marrin fonde për t’i ndihmuar ata të krijojnë mikro-ndërmarrjet e tyre”, ka thënë ai.