Kulturë

“Ajo që ia thotë këngës…” nëpërmjet tepsisë që sfidon kohën

“Ajo që ia thotë këngës…” nëpërmjet tepsisë që sfidon kohën

Ajo që e ilustron më së miri frymëzimin e ekspozitës, është vepra e artistes boshnjake Lala Rashçiq së cilës Galeria i referohet si “skulpturë kinetike” e punuar nga bakri, druri dhe materiali elektronik që mundëson rrotullimin e saj. Tingulli i këtij rrotullimi të tepsisë është edhe “kolona zanore” e ekspozitës

Koncepti i ekspozitës ndërkombëtare e fotografisë dhe imazhit lëvizës “Gjon Mili”, kuruar nga Valentine Umansky nga “Tate Modern” e Londrës, në bashkëpunim me kuratoren e Galerisë Kombëtare të Kosovës Hana Halilaj, ka frymëzim tepsinë si praktikë muzikore tradicionale. Me të e thellon publikun në historitë e paraardhësve, por rrëfen edhe përpjekjet e pandalshme të grave për të gjetur forma për të shoqëruar këndimin e tyre me instrumentet në të cilat qasje dikur kishin vetëm burrat. Janë veprat e njëzetetre artistëve që bashkohen në zbërthimin e këtij koncepti në ekspozitën “Ajo që ia thotë këngës…”

Me “Ajo që ia thotë këngës…” tradicionalja lundron në art. Bëhet një me bashkëkohoren duke zbërthyer narrativa botërore, por që kthehen në traditën ballkanike muzikore. Veprat e njëzetetre artistëve në Galerinë Kombëtare të Kosovës lehtësisht komunikojnë me gjuhë artistike në ekspozitën ndërkombëtare “Gjon Mili” që sivjet vjen e riformatuar – pos si ngjarje që i dedikohet fotografisë – edhe imazhit lëvizës.

Veprat janë të pafundme në krejt hapësirat e objektit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Me to vjen rrëfimi i artistëve në ngjarjen me të cilën institucioni e hap programin për këtë vit.

Koncepti i ekspozitës së kuruar nga Valentine Umansky nga “Tate Modern” e Londrës – në bashkëpunim me kuratoren e GKK-së, Hana Halilaj – ka frymëzim tepsinë si praktikë muzikore tradicionale. Me të e thellon publikun në historitë e paraardhësve, por rrëfen edhe përpjekjet e pandalshme të grave për të gjetur forma për të shoqëruar këndimin e tyre me instrumentet në të cilat qasje dikur kishin vetëm burrat.

Kështu konsideron artistja boshnjake Lala Rashçiq nga puna e së cilës është frymëzuar titulli i ekspozitës.

Ajo çfarë e ilustron më së miri frymëzimin e ekspozitës, është vepra e saj së cilës Galeria i referohet si “skulpturë kinetike” e punuar nga bakri, druri dhe materiali elektronik që mundëson rrotullimin e saj. Tingulli i këtij rrotullimi të tepsisë është edhe “kolona zanore” e ekspozitës.

“Kjo praktikë vjen si rrjedhojë e nevojës së shprehjes së gruas, sepse në kohën ku patriarkati ishte i shprehur, ato ishin si sensorë për performancat publike muzikore, por gjithashtu është fakt midis brezash që gratë nuk kishin qasje në instrumente të tjera si sharkia e të tjera sepse ato ishin të shtrenjta. Ato u kthyen në shtëpi duke kërkuar të gjenin objekte për të krijuar muzikë, për të kënduar. Kjo është diçka që unë e interpretoj si ‘gjest protofeminist’”, ka thënë artistja Lala Rashçiq në një bisedë për KOHËN.

Vepra “Letrat” e artistes uzbeke Saodat Ismailova të punuara në periudhën kohore prej vitit 2014 deri më 2019 shfaq portretet familjare me dorëshkrimet e tyre mbi fotografi

Tërësia e veprave të saj quhet “Poçimalja”, fjalë me të cilën emërtohet nismëtarja e këngës. Aty është edhe piktura në material të tejdukshëm si një lloj karikature e gruas tek luan me tepsi si dhe piktura në dimensione më të vogla që kanë të njëjtin rrëfim.

Rashçiq, që jeton e vepron midis Zagrebit, Sarajevës e New Orleansit, ka thënë se tepsia ka tinguj meditativ.

“Kjo është diçka që i ka shpëtuar kohës pasi është e lehtë për t’u bërë, por që vizualisht është shumë e fuqishme”, ka thënë ajo.

Vepra “Letrat” e artistes uzbeke Saodat Ismailova të punuara në periudhën kohore prej vitit 2014 deri më 2019 shfaq portretet familjare me dorëshkrimet e tyre mbi fotografi. Aty janë shënimet e stërgjyshërve të artistes me alfabet arab dhe gjuhë të ndryshme.

“Kohëve të fundit kam qenë duke punuar me rrëfimet personale të familjeve, kryesisht duke u frymëzuar nga gjyshja ime. Shumë narrativa që shpërfaqen dhe bëhen pjesë e historisë jo gjithmonë i referohen historisë dhe se cili është rrëfimi”, ka thënë artistja Ismailova.

Ajo është shprehur se ekspozita eksploron pasionin e kujtimeve dhe se shpërfaq transformimin e brezave në vendin e saj sa i përket edukimit e njohurive.

“Kjo ekspozitë eksploron pasionin e kujtimeve. Është koncentrim i bukur në instrumentin tradicional të tepsisë në këtë regjion, praktikë me të cilin lidhet gruaja. Gjithashtu është një lidhje e bukur dhe kuratoret kanë ndarë një tekst të Trinh T. Minh-ha që është kuratore dhe artiste. Është një tekst që ka të bëjë me historinë gojore dhe sesi është një tekst që transmetohet nga një gjyshe”, ka thënë ajo.

Arti i Astrit Ismailit vjen nëpërmjet videos. Vepra “Flutura” e porositur nga Galeria Kombëtare e Kosovës ka anën artistike vizuale dhe në audio. Kënga me të njëjtin titull si vepra vjen si shoqërim i lojës së tij të pandalshme me tepsi. Ajo është e përzier me ritme e vargje tradicionale dhe bashkëkohore.

Autori i veprës, Astrit Ismaili ka bërë të ditur se prej vitit 2016 e praktikon lojën e tepsisë. Ka thënë se tingulli i saj është në shumë prej performancave të tij.

“Kur e kam parë për herë të parë jam fascinuar me mënyrën se si kur këndon me tepsi, zëri procesohet. Tepsia është një lloj procesori i zërit dhe më është dukur shumë interesante, kësisoj e kam integruar nëpër performancat e mia, edhe në të fundit – ‘Lynx’ që ka qenë pjesë e ‘Manifestës’. Kur më ka kontaktuar kuratorja për të qenë pjesë e ekspozitës dhe ma ka treguar temën, më është dukur mundësi shumë e mirë që më në fund të bëjë një video për të arkivuar mënyrën se si lidhem me lojën  e tepsisë dhe të sjellë diçka në këtë ekspozitë të mrekullueshme”, ka thënë Ismaili.

Kënga në anën tjetër është dedikim për gjyshen e tij. Ka thënë se teksti prezanton midis tjerash edhe ankthin. E ai “shërohet” me art.

“Përmes kësaj performance që ka tekstin e disa fluturave që tentojnë të dalin prej trupit tonë, çfarë ndodhë nëse ato dalin? A jemi të njëjtë dhe si duhet të ballafaqohemi me ankthin, si të gjejmë një balancë për të jetuar me të? Këto janë ndër temat që shtjellon kënga. Për këtë film kam realizuar një kostum që e konsideroj si zgjatje e trupit. Janë krahët dhe kollarja që janë inspiruar nga veshjet tradicionale shqiptare. Më intereson se si disa objekte, kostume e zgjasin trupin njerëzor dhe tejkalojnë natyralen, njerëzoren”, ka thënë artisti Ismaili.

Pos Ismailit, artistë të tjerë shqiptarë që kanë marrë pjesë janë edhe Majlinda Hoxha, Simon Shiroka, Klodiana Millona e Endi Tupja.

Artistë të tjerë që kanë shpalosur artin e tyre janë edhe Ivana Basiq, Kristina Benjocki, Semâ Bekiroviq, Angela Blazhanoviq, Zheljka Blakshiq, Vera Haxhiyska, Shejla Kameriq, Lebohang Kganye, Ana Likar, Glorija Lizde, Maria Mavropoulou, Joanna Piotroëska, Stanislava Pinchuk, Iva Radivojeviq, Huda Takriti dhe Clarissa Tossin.

Nga këta artistë, vetëm njëri do të jetë laureat i çmimit “Gjon Mili” për të cilin organizatorët kanë bërë të ditur se fituesi shpallet të hënën. Juria vlerësuese është e përbërë nga filozofja e artistja sllovene, Marina Grzhiniq, historiani i artit e kuratori grek Stamatis Schizakis dhe profesori i historisë së artit dhe i pikturës, Zef Paci, nga Shqipëria.

Arti i Astrit Ismailit vjen nëpërmjet videos. Vepra “Flutura” e porositur nga Galeria Kombëtare e Kosovës ka anën artistike vizuale dhe në audio. Kënga me të njëjtin titull si vepra vjen si shoqërim i lojës së tij të pandalshme me tepsi

Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, ka thënë se ngjarja sivjet vjen si përfshirje e fotografisë dhe e imazhit lëvizës.

“Vjen këtë herë në Galeri me një qasje ndryshe, të re sa i përket strukturës dhe rolit e rëndësisë që Bienalja ka pasur ndër vite pas një pauze të shkurtër me rastin e pandemisë. Pas rikthimit e kemi menduar rëndësinë e zgjerimit dhe të përfshirjes të idesë dhe konceptit të fotografisë, pasi që edhe vetë Gjon Mili në veprat e tij ka punuar dhe ka qenë i interesuar në imazhin lëvizës, ani pse ka punuar me fotografi në mënyrën tradicionale”, ka thënë Halilaj.

Ndryshim tjetër sivjet ka qenë edhe ndërkombëtarizimi i ngjarjes.

“Gjithë këto ndryshime, duke përfshirë edhe atë se sivjet thirrja e hapur nuk ka qenë vetëm për artistë lokalë, por për gjithë rajonin, kemi pasur një numër të madh aplikimesh dhe kemi përzgjedhur 19 artistë nga thirrja e hapur ndërsa pesë kanë qenë të ftuar nga kuratorja. Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të naviguar me kujdes”, ka thënë Halilaj për KOHËN.

Sipas saj, veprat janë në harmoni rreth narrativave të kuratores Umansky dhe se ato e plotësojnë njëra-tjetrën. Ka bërë të ditur se përzgjedhja e veprave ka qenë proces i vështirë, për shkak të numrit të madh të aplikimeve.

Vjet në kuadër të programit të Galerisë është rikthyer ekspozita tradicionale e fotografisë “Gjon Mili”, e cila prezanton artistë ndërkombëtarë e vendorë që nga viti 2002. Ekspozita vjet është kuruar nga italiani Leonardo Bigazzi. Në institucionin shtetëror të artit në vend qe shfaqur jeta e puna shumëvjeçare e artistit dhe arkitektit Agush Beqiri që është edhe arkitekt i objektit aktual të GKK-së. Aty ishte shfaqur një numër i materialeve arkivore që prezantojnë punën e Beqirit.