Kulturë

AJO me “Gërshetat” në rrëfime jazzi vallëzon me perlat shqipe

AJO - Vjollca Robelli-Mripa

Këngëtarja, kompozitorja e muzikantja, AJO, me Oliver Dover në klarinetë dhe kavall, Nikos Ziarkas në kitarë kryesore, Gizem Altinordu në perkusione dhe Jamie Benzies me kitarë, bashkë me efektet vizuale në skenë nga Laurent Azemi, kanë qenë armata që e kanë bërë të mahnitshëm koncertin dhe unik përjetimin e vargjeve të repertorit të këngës shqipe (Foto: Esad Duraki)

“Me këtë performancë duam ta ruajmë këngën shqipe dhe ta sjellim në një frymë të re”, ka thënë Vjollca Robelli-Mripa, e njohur me emrin skenik AJO dhe një qëllimi të tillë nuk i duhet fort kohë që të konfirmohet. Është koncerti në “FemArt” që e ka dëshmuar këtë. Ka marrë emrin “Gërshetat” si ai i albumit në ardhje, por në fakt zbërthen edhe qasjen e saj në muzikë. AJO gërsheton perlat e muzikës shqipe të cilave ua vesh petkun e jazzit dhe koncerti i ngjan një lloj vallëzimi tingujsh ku thesaret muzikore marrin tjetër jetë

Kantautorja e njohur për stilin e saj unik dhe mesazhet frymëzuese, Vjollca Robelli-Mripa, ka sjellë xhevahire të këngës shqipe në ritme jazzi. Këtë shkrirje stilesh e ka bërë me aranzhimet e saj për këtë zhanër, por edhe për ritme moderne. Me koncertin e saj në “Kino Armata”, të hënën mbrëma, edhe është mbyllur edicioni i 12-të i festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt”. 

Instrumentali me ato që ngjajnë në ritme orientale e popullore ka qenë pjesa hyrëse e koncertit. Pak çaste më pas këngëtarja me emrin skenik AJO iu bashkua bendit katëranëtarësh në skenën e rrethuar me perde të errëta, ku reflektohen dritat shumëngjyrëshe. “Gërshetat” është titulluar koncerti e ky në fakt është titulli i albumit të saj në ardhje. 

Këngëtarja, kompozitorja e muzikantja, AJO, me Oliver Dover në klarinetë dhe kavall, Nikos Ziarkas në kitarë kryesore, Gizem Altinordu në perkusione dhe Jamie Benzies me kitarë, bashkë me efektet vizuale në skenë nga Laurent Azemi, kanë qenë armata që e kanë bërë të mahnitshëm koncertin dhe unik përjetimin e vargjeve të repertorit të këngës shqipe e edhe të këngëve origjinale. Janë akorduar të gjithë për meloditë e jazzit. 

Në fillim ka kënduar “Këngën e Qamiles”. Ritmin popullor ia jep veç klarineta dhe ky ka qenë një lloj kontrasti i veçantë me pjesën tjetër të bendit që komunikon me këtë instrument me gjuhë të jazzit. 

“Janë këngë të aranzhuara në jazz dhe me tinguj modernë. Me këtë performancë duam ta ruajmë këngën shqipe dhe ta sjellim në një frymë të re. Janë edhe përvoja personale që na prekin të gjithëve”, ka qenë komunikimi i parë i Robelli-Mripës me publikun. 

Më pas ka kënduar këngën labe “Balluket e ballit”, “Kur më del në derë” e “Zare”. Kjo e fundit e përpunuar në version unik, të atillë që shuhet e më pas shpërthen në vokal, por paraprakisht paraprin një melodi tejet atraktive, ka qenë pjesa me të cilën AJO e ka ndezur publikun. Ndonëse jo shpesh publiku në Prishtinë ka mundësi të shijojë koncertet e saj, secili prej tyre është një lloj spektakli më vete. 

“Në Prishtinë nuk kam performuar prej vitit 2019 dhe ka qenë hera e fundit këtu, në ‘Armatë’. Ishte shumë mirë por do të doja të ishte publiku më këmbë për shkak të natyrës së këngëve. Kanë qenë këngë pak më ritmike, mirëpo në fund e menaxhuam që ata të ngrihen të gjithë dhe të vallëzojnë. Jam shumë e kënaqur, ishte një këngë e mrekullueshme”, ka thënë jazz-këngëtarja. 

Në prezantimin e saj nga festivali “FemArt”, shkruhet se Vjollca Robelli-Mripa është shembull i përkushtimit të saj të palëkundur ndaj rrënjëve të saj (Foto: Esad Duraki)  

Tupani ka kumbuar në këngën e saj origjinale “Nëna”. AJO ka thënë se kënga është reflektim i përvojës së saj si nënë dhe gërsheton dhimbjen e gëzimin. Në skenë ka treguar se është dedikim për të gjitha nënat dhe për gjithë sakrificat e padukshme. 

Ka interpretuar më pas edhe këngët “Kur më del në derë”, “25 gërsheta”, “Mora përpjetë kalanë” dhe “Jarnana”. Ripërpunimet e këtyre këngëve ka thënë se i bën me qëllim të promovimit të këngës shqipe në skenën ndërkombëtare. 

“Kam filluar nga viti 2018 të punoj me këngët tona të vjetra folklorike, këngë qytetare si dhe disa pak më ndryshe. Kemi punuar, i kemi riaranzhuar me ritme jazz si dhe tinguj modernë. Qëllimi është të promovojmë muzikën tonë ndërkombëtarisht dhe kam marrë pjesë në disa festivale atje që janë të nivelit ndërkombëtar”, ka thënë ajo duke i konsideruar të veçanta këto ritme për audiencën e huaj. “Ritmet e meloditë tona janë goxha të veçanta për një audiencë perëndimore, kështu që është kënaqësi të sillen këto këngë me një frymë të re në një nivel ndërkombëtar. Qëllimi im është të vazhdoj dhe ta promovoj muzikën tonë në vende të ndryshme të botës”. 

Paraqitja e saj skenike që përfshin vallëzim e këndim ka qenë unike. 

Kënga e saj origjinale “90’s” sjell rrëfime të trishta. AJO e ka shkruar për shokun e saj të klasës, një fëmijë 13-vjeçar që ishte vrarë në një ditë të rëndomtë nga policia serbe. Derisa e ka shpjeguar në skenë tematikën e këngës, ka bërë një lloj paraleleje të atyre kohërave të errëta me ato që po vijojnë edhe sot. 

Ka bërë të ditur se albumi i ri i saj me titull “Gërshetat” pritet të lansohet në fund të këtij viti ose në fillim të atij të ardhshëm. 

Këngëtarja e hitit “Ajo” të vitit 2002, e cila tash e dy dekada jeton në Londër, do të debutonte me emrin skenik AJO kur në majin e 2017-s, si paralajmërim për rikthim pati dy këngët, “Zare” e Tefta Tashkos, e aranzhuar dhe e përpunuar nga AJO dhe “Burrnesha” e saj, u bënë kryefjalë e një koncerti të shkurtër në Prishtinë.

Ajo këndon këngët e shkruara dhe të kompozuara nga vetë ajo. Në vitin 2022 u ftua të hapte festivalin prestigjioz të jazzit “EFG London Jazz Festival”. Talenti i saj e ka çuar në shumë skena të njohura, duke përfshirë sallën prestigjioze “Royal Albert Hall”, me rastin e 150-vjetorit të kësaj ndërtese ikonike të kryeqytetit britanik. 

EP-ja e saj, që përfshin këngë të fuqishme si “Burrnesha” dhe “Besa”, u bë e njohur përmes përfshirjes së tyre në filmin-dokumentar “Unë jam Burrnesha”. EP-në e saj të parë në vitin 2018 e miksoi Andrew Phillips, fitues i çmimit “Emmy” për arritje jetësore në muzikë. 

Në prezantimin e saj nga festivali “FemArt”, shkruhet se Vjollca Robelli-Mripa është shembull i përkushtimit të saj të palëkundur ndaj rrënjëve të saj. Këtë vit ajo ishte folëse në “TEDx” me temën “Harmonizimi i Trashëgimisë: Trashëgimia Muzikore Shqiptare” 

Me koncertin e saj magjepsës është mbyllur edicioni i 12-të i festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt”, që sivjet është mbajtur nga 25 deri më 30 shtator nën temën “Motërzimi: N’kohë lufte dhe paqe”. 

Drejtoresha e këtij festivali, Zana Hoxha, e ka vlerësuar të suksesshëm këtë edicion për nga zbatimi i programit e pjesëmarrja e publikut. 

“Jashtëzakonisht shumë e kënaqur me ekipin, normalisht se jemi të rraskapitur në fund, por jashtëzakonisht të kënaqur me vlerat artistike dhe temat që u ndërthurën dhe u trajtuan. Në veçanti tema e sivjetme gjeti një lloj empatie shumë të madhe te publiku dhe jam e lumtur që gjithçka ka shkuar siç e kemi pritur, në disa raste edhe më mirë sesa pritëm. Jam e lumtur që e mbyllëm sonte festivalin, gjashtë net me 30 aktivitete. Asnjë s’na ka dështuar, të gjitha janë realizuar dhe një gjë e tillë ndodhi me qindra mijëra njerëz prezentë”, ka thënë Hoxha. 

Duke u ndërlidhur me temën e edicionit, ka thënë se gjatë gjashtë ditëve të festivalit ka ndodhur një lloj motërzimi i natyrshëm. 

“E vërejtëm në këtë edicion që ka motërzim, që njerëzit zgjedhin motrat. Ideja ka qenë sesi jo gjithmonë jemi të kënaqur me familjet të cilave u takojmë, por ti e zgjedh familjen tënde. Kështu ka qenë një lloj motërzimi që ndodhi natyrshëm këto ditë”, ka thënë Hoxha më tej. 

Me shfaqje, performanca, shfaqje filmash, panele diskutimi, punëtori dhe jo vetëm, për gjashtë ditë ka ftuar publikun të bashkohet “në solidaritet me mendje e zemra të hapura”.