Filmat e realizuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale (AI) do të jenë në gjendje t’i fitojnë çmimet kryesore në “Oscar”, thotë Academy Awards, raporton "BBC".
Akademia ka lëshuar rregulla të reja të hënën që thonë se përdorimi i AI-së dhe mjeteve tjera digjitale “nuk do të ndihmojë apo dëmtojë shanset për të arritur një nominim” për çmimin kryesor.
Inteligjenca Artificiale gjeneruese – që mund të krijojë tekst, foto, audio dhe video në përgjigje të kërkesave të thjeshta – ndihmoi në prodhimin e disa prej filmave të vlerësuar me çmimet kryesore në mars.
Por, Akademia tha se do të merrte ende në konsideratë përfshirjen njerëzore gjatë përzgjedhjes së fituesve të saj.
Akademia tha se interpretimi i saj i ri sa i përket përshtatshmërisë së filmave të realizuar duke përdorur AI-në u rekomandua nga Këshilli i saj i Shkencës dhe Teknologjisë.
Sipas rregullave të reja, që u bën publike të hënën, anëtarët e Akademisë duhet t’i shikojnë të gjithë filmat e nominuar në secilën kategori në mënyrë që të mund të marrin pjesë në rundin përfundimtar të votimit, që vendos për fituesit.
Përdorimi i AI-së është bërë temë e nxehtë pasi Adrian Brody fitoi çmimin e aktorit më të mirë për rolin e tij në “The Brutalist” në ceremoninë “Oscar” në mars këtë vit.
Filmi përdori AI gjeneruese për të përmirësuar theksin e aktorit kur ai fliste hungarisht.
Më pas u kumtua se teknologjia e ngjashme e klonimit të zërit u përdor për të përmirësuar zërin e këndimit në muzikalin fitues të “Oscarit”, Emilia Perez.
Aftësia e teknologjisë për të ndryshuar apo përputhur me shpejtësi tonin dhe stilin e një artisti apo për të kryer modifikime të tilla si ndryshimin e pamjes së dikujt, e ka ndihmuar atë të bëhet më e popullarizuar në prodhimin e muzikës dhe filmit.
Por, përdorimi i AI-së mbetet i diskutueshëm dhe këngëtarët e aktorët kanë shprehur shqetësime për materialin e përdorur për të trajnuar pajisje të tilla dhe ndikimin e kësaj teknologjie në jetesën e tyre.
Aktorët dhe skenaristët më parë theksuan frikën për humbjen e punës shkaku i AI-së, gjatë grevave të vitit 2023 në Hollywood.
Masat mbrojtëse rreth përdorimit të AI-së u vendosën si pjesë e marrëveshjeve të arritura mes sindikatave dhe studiove të filmit, kur edhe u shënua fundi i grevës.