Kulturë

25 mijë euro për 22 zyrtarët institucionalë që shkuan për Bienale

Ministria e Kulturës e ka vazhduar traditën që në ngjarje kulturore të cilat mbahen jashtë vendit të dërgojë dhjetëra zyrtarë.

Për ta hapur Pavijonin e Kosovës në të enjten e javës së kaluar, prezentë ishin 20 zyrtarë, përfshirë këshilltarë, asistentë e koordinatorë, raporton KTV.

Bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe një këshilltar të tij, numri i zyrtarëve shtetërorë arrin në 22 dhe kostoja e shpenzimeve të tyre është 25 mijë euro.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, drejt qytetit italian udhëtoi me bashkëshorten dhe delegacioni i institucionit që udhëheq ai përbëhet nga:

Samir Hoxha, Shef i Kabinetit

Frederika Morina, Këshilltare e Ministrit

Saranda Xhuraj, Zyrtare e lartë e Protokollit

Edona Spahiu, Asistente ekzekutive e Ministrit

Granit Shosha, Zyrtar medial

Gëzim Gashi, Asistent i Ministrit

Ylber Kryeziu, Zyrtar sigurimi i Ministrit

Feim Hoxha, Ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Kulturës

Brikena Mulliqi, Drejtoreshë e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave

Genta Kryeziu, Zyrtare e personelit

Dhurata Ramosaj, Koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës dhe

Drilona Belallari, Zyrtare ligjore në Qendrën Kinematografike të Kosovës

Përveç zyrtarëve të Ministrisë, në Venecie, prezent ishte edhe delegacioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës, që përbëhej nga:

Arjeta Miftari, Anëtare e Këshillit Drejtues në Galerinë Kombëtare

Lorik Sylejmani, Anëtar i Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare

Malbore Krajku, Anëtare e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare

Taulant Balaj, Sekretar i Këshillit Drejtues të Galerisë

Naim Spahiu, Koordinator i ekspozitave

Lirije Bulliqi, Zyrtare e lartë adiministrative

Mexhide Maxhuni, Zyrtare e Financave

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë thënë se sa u përket bashkëshortëve të zyrtarëve të gjithë kanë udhëtuar me shpenzime vetanake.

“Shuma totale e pagesave të realizuara deri më tani nga MKRS për pjesëmarrje në Bienale është rreth 220 mijë euro, përfshirë këtu edhe pagesën e qirasë së Pavijonit të Republikës së Kosovës në Bienalen e Venecias. Ndërsa, mëditjet dhe shpenzimet tjera janë paguar konform rregulloreve në fuqi”, ka thënë Arlinda Hajrullahu nga MKRS-ja.

Sipas Kuvendit të Kosovës, nga ky institucion, në Bienale ka marrë pjesë vetëm kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar nga këshilltari për Protokoll. Në hapje të Pavijonit, Veseli u shoqërua nga bashkëshortja e tij.

Kosova, për të katërtën herë, u bë pjesë e Bienales së Artit në Venecie me veprën “Family Album”, e cila bazohet në imazhe të shkrepura gjatë luftës.