Kulturë

“15 vjet Pavarësi” për sfidat e shtetndërtimit

“Çlirimi i Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në masë të madhe, e kanë ridimensionuar perceptimin për datat e rëndësishme të kombit shqiptar”, ka theksuar Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, në hapje të simpoziumit shkencor “15 vjet Pavarësisë – sfidat dhe shtetndërtimit”. Por ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shprehur drojën se nëse elita politike e ndarë e Kosovës nuk unifikohet kundrejt detyrimeve nga dialogu me Serbinë, mund të ketë “gjymtim” të vendit. “Kjo vlen edhe për zhvillimet e fundit politike ku kërkohet nga ne gjymtimi i pavarësisë e kushtetutshmërisë sonë”, ka paralajmëruar ajo

Historianë e akademikë të fushave të ndryshme kanë spikatur sfidat e shumta me të cilat po përballet Kosova në vigjilje të 15-vjetorit të Pavarësisë. Duke u bërë rëntgen zhvillimeve historike dhe sprovave aktuale, kanë ngritur nevojën e domosdoshme për krijimin e një vizioni më të qartë të elitave politike shqiptare në shtetet e rajonit për të konsoliduar ndërkombëtarisht shtetësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.

“Çlirimi i Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë së saj, në masë të madhe, e kanë ridimensionuar perceptimin për datat e rëndësishme të kombit shqiptar”, ka theksuar Hysen Matoshi, drejtor i Instituti Albanologjik të Prishtinës në hapje të simpoziumit shkencor, “15 vjet Pavarësisë – sfidat dhe shtetndërtimit”, organizuar nga Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë i Prishtinës “Ali Hadri”, Instituti i Historisë i Tiranës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve i Shkupit dhe Departamenti i Historisë i Fakultetit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Liria e shqiptarëve merr më shumë jetë me lirinë e Kosovës, ndërsa pavarësia e Shqipërisë bëhet më kuptimplote e më jetëdhënëse me pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar Matoshi, duke vlerësuar se faktori shqiptar në Ballkan u fuqizua pas mëvetësisë së Kosovës.

“Fitimi i Pavarësisë nuk është vetëm një proces i vështirë dhe kompleks, por është gjithashtu edhe shpërblyes, si një shans për një shtet që të krijojë fatin e tij dhe të qëndrojë në këmbët e veta e për të krijuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj dhe për të kontribuar në komunitetin global”, ka deklaruar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, para të pranishmëve, kryesisht historianë, në sallën e Instituti Albanologjik.

“Presioni me të cilin po përballet Qeveria e Kosovës nga aleatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka reflektuar në fjalimin e saj. Kryeministri Albin Kurti po refuzon themelimin e Asociacionit për shkak se do të përfshinte vetëm komunat serbe në Kosovën kushtetutshmërisht multietnike. Pozita e opozita po flasin me gjuhë krejtësisht të ndryshme për dialogun. Kjo po reflekton me polarizim të debatit në Kuvend, media e shoqëri.

“Përderisa nuk kemi platformë të përbashkët të vlerave qytetare mbi të cilat do të mund të zhvillonim bisedime për normalizimin e raporteve ndërshtetërore, jemi të vetëdijshëm që në ballafaqimin për të drejtën tonë të pamohueshme për pavarësi duhet të jemi të vendosur e të palëkundur”, ka thënë Nagavci. “Kjo vlen edhe për zhvillimet e fundit politike ku kërkohet nga ne gjymtimi i Pavarësisë e kushtetutshmërisë sonë”, ka shtuar ajo në fjalimin që një hise të madhe e kishte përqendruar në të dhënat e Ministrisë së saj për investimet e ndryshimet, që, sipas saj, kanë nisur në arsim pas ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në krye të vendit. Kjo pjesë shkaktoi pëshpëritje në mesin e studiuesve pjesëmarrës.

Ata shtjelluan në mënyrë kronologjike rrugëtimin e shqiptarëve në tërësi, sidomos gjatë shekullit të kaluar, për avancimin e të drejtave të tyre, duke nxjerrë përfundime të lidhura me rolin e rezistencës së armatosur të UÇK-së dhe mbështetjes diplomatike e ushtarake të Perëndimit për Kosovën deri në procesin e shtetndërtimit.

“Kur bëhet fjalë për Pavarësinë e Kosovës, duhet të jemi unanimë në një konstatim se kjo ngjarje paraqet një projekt madhor jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për mbarë kombin shqiptar”, ka thënë Skënder Hasani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “Shteti i Kosovës është projekt shekullor që erdhi natyrshëm si produkt që ndau në dysh aspiratat shekullore kombëtare të shqiptarëve”.

Ai ka bërë thirrje që të ketë intensifikim më të madh të bashkëpunimit ndërshqiptar në të gjitha fushat e jetës publike për të ngritur pastaj peshën si faktor i rëndësishëm edhe në rajon.

“Por, për t’i arritur këto objektiva na duhet shumë punë dhe bashkëpunim institucional, kulturor e shkencor ndërmjet vete”, ka thënë Hasani.