Analisti politik, Agim Sopi, ka thënë se klasa politike e pasluftës në Kosovë, Qeveria Thaçi, Mustafa dhe Kurti, kanë arritur qëllimin e Vaso Qubrilloviqit e Slobodan Millosheviqit, t’i bëjnë shqiptarët që të shpërngulen nga vendi.
Sipas tij, gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, janë shpërngulur rreth 600 mijë shqiptarë nga Kosova, por nuk ka kaluar më shumë se 15 vjet kohë që pushtetarët në Kosovë, t’i bëjnë edhe 500 mijë të tjerë ta lënë vendin.
“Fatkeqësisht populli shqiptar, të paktën i Kosovës dhe i vendeve të ngelura jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, ka kaluar me një kalvar 150 vjetët e fundit dhe ai kalvar mund të quhet 150 vjet, ka ndodhur një spastrim sistematik etnik nga koha e Qubrilloviqit e koha e Titos, Rankoviqit deri te koha e Millosheviqit, ku shteti i ish-Jugosllavisë dhe Serbisë me dhunë sistematike policore ushtarake, me vrasje masive madje, ka arritur t’i shpërngulë 600 mijë shqiptarë nga Kosova. Ndërsa, periudha e dytë, tri qeveritë e famshme, Qeveria Thaçi, Mustafa dhe Kurti, kanë arritur t’i shpërngulin edhe 500 mijë të tjerë. Përafërsisht për 15 vjet në Kosovën e lirë, klasa politike e Kosovës ka arritur ta mbërrijë përafërsisht qëllimin e Qubrilloviqit dhe Millosheviqit. Thaçi e Mustafa i kanë shpërngulur rreth 300 mijë, ndërsa Kurti rreth 200 mijë. Ky është turpi i madh historik që do të rëndojë përjetësisht mbi këta njerëz”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se klasa politike e sheh mërgatën si injorantë ideologjikë që mund të përdoren vetëm si vota kur të nevojitet.