Kronikë

Zjarri në Prizren: Një i lënduar rëndë e dëme në lokale, banesa dhe automjete

Zjarri ne PRizren

Një person është duke u trajtuar në Intensivë në Qendrën Klinikën Universitare të Kosovës, pas lëndimeve të rënda që ka pësuar si pasojë e një zjarri që shpërtheu nga ndezja e fishekzjarrëve në një pikë shitjeje në trotuar në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, në mbrëmjen e 31 dhjetorit.

 VIDEO: 

 

Pasditen e së mërkurës, në QKUK kanë konfirmuar për KOHËN se i lënduari është dërguar në Intensivë, disa orë pasi shefi i Emergjencës në QKUK, Agron Çitaku, u tha mediave se gjendja e të lënduarit është shumë e rëndë.

“Gjendje shumë e rëndë dhe është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka. Ai fatkeqësisht është gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh, megjithatë sipas informatave që kemi janë shtatë-tetë raste që janë ndalur në Prizren. Lëndimet kanë qenë të mëdha praktikisht të krejt trupit, shumë të rënda, sidomos të ekstremiteteve, të kokës dhe fytyrës”, ka thënë ai pas mesnatës.

Ndërkaq, sipas njoftimit në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer janë shkaktuar dëme materiale në banesa, lokale dhe automjete. Edhe një tjetër person ka pësuar lëndime, por jo të rënda sa personi që po trajtohet në QKUK.

Ndërsa një qytetar ka publikuar pamje nga kamerat në pronën e tij. Arsim Gjinovci ka thënë se i janë dëmtuar gati të gjitha dritaret e shtëpisë. Ai është ankuar në mosreagimin e autoriteteve.