Kronikë

Objekti i ish-“Kino Rinisë” në zjarr

Të premten pasdite, objekti i ish-“Kino Rinisë” i mbrojtur si monument i trashëgimisë kulturore, është përfshirë nga zjarri. Në vendngjarje kanë dalë ekipet e Policisë dhe të zjarrfikësve që kanë qenë duke e lokalizuar zjarrin përderisa kanë paralajmëruar nisjen e hetimeve. Prej vitesh objekti të cilin e ka marrë nën menaxhim Komuna e Prishtinës ishte lënë pas dore.

Objekti i ish-“Kino Rinisë”, i mbrojtur si monument në qendër të Prishtinës, është kapluar nga zjarri pasditen e së premtes.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e Policisë dhe të zjarrfikësve që kanë qenë duke e lokalizuar zjarrin.  

Tash më shumë se tre vjet objekti është në Listën e monumenteve nën mbrojtje të përkohshme përderisa ka vite që është lënë pas dore.

Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, ka thënë se hetimet në lidhje me rastin nisin sapo të lokalizohet zjarri dhe ende po punohet.  

“Për momentin jemi duke intervenuar të lokalizojmë zjarrin për shkaqe që shumë herë flitet se ka pasur shumë mbeturina. Është objekt që është nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe nën mbrojtje të Institutit. Jemi duke i bërë të gjitha që sa më shpejt ta sanojmë zjarrin, ndërsa sa i përket hetimeve dhe asaj se çfarë ka ndodhur, ekipet e hetuesve, edhe të Policisë, edhe të zjarrsikësve janë në vendngjarje që ta lokalizojmë zjarrin dhe të fillojmë me hetim”, ka thënë Fushtica.

Ai ka bërë të ditur se nuk rrezikohen ndërtesat përreth, porse gjendja e objektit e vështirëson intervenimin e zjarrfikësve.

“Për shkak të kompleksitetit të hapësirës, pasi ka qenë e pamirëmbajtur dhe zjarrfikësit rrezikohen gjatë intervenimit, për këtë arsye duhet të shkohet me kujdes”, ka thënë ai.

Për shkak të shpërthimit të materialeve gjatë djegies, perimetri i sigurisë ka qenë i gjerë, ndërsa është mbyllur përkohësisht për qarkullim rruga “Migjeni”.

Objekti, që nga viti 1953 shërbente si “Kino Rinia”, është në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme prej tetorit të 2021-tës. Një vit më pas, në korrik të vitit 2022, Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim.

Gjatë viteve ’60 ishte djegur e rregulluar sërish. Kinemaja, dikur me 850 ulëse, do të funksiononte edhe gjatë viteve ’90, e menaxhuar nga serbët.

Pas luftës, të kota qenë tentativat për ta rikthyer si kinema nën emrin “Kinema ABC 2” menaxhuar prej kompanisë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”, e cila në majin e vitit 2000 riktheu edhe kinemanë e dikurshme “Vllaznimi” me emrin “Kinemaja ABC”, në rrugën “Rexhep Luci”.

Prej vitit 2005, objekti i ish-“Kino Rinisë” nisi të jepej me qira. Për një kohë qe gjykatë, më pas diskotekë e vend i lojërave të fatit. Më 2020 pati tentativa që objekti të kthehej në market.

Përkohësisht funksionin e dikurshëm të “Kino Rinisë” e ngjalli bienalja “Manifesta” me edicionin e saj në Prishtinë në verën e vitit 2022, që kishte për koncept rikthimin e hapësirave të braktisura.  Ka vite që Komuna e Prishtinës paralajmëron se do ta restaurojë e rigjenerojë këtë objekt.