Kronikë

Lokalizohet zjarri në qendrën tregtare në Suharekë, pronari thotë se dëmet janë mbi 3 mln euro

Zjarri ne ETC Suharek

Përditësuar , 12:03 - Është lokalizuar zjarri që kishte nisur të dielën në mëngjes në një qendër tregtare në Suharekë. Komandanti i shërbimit të zjarrfikësve të Suharekës, Vehbi Krasniqi, ka falënderuar ekipet e zjarrfikësve të komunave fqinje që u kanë dalë në ndihmë. Ai ka thënë se është arritur të lokalizohet zjarri, e të ndalohet përhapja në objektet përreth. 

“Zjarri është nën kontroll. Ekipet u angazhuan ta lokalizojnë që të mos përhapet në objektet përreth. Kemi koordinuar aq mirë punët nuk e kemi lënë të përhapet. Ka qenë shumë e mundur të përhapet, por e lokalizuam me kohë”, tha Krasniqi për “KOHËN”. 

Ai ka thënë se zjarri ka shpërthyer në depon e Elkosit në qendrën tregtare në Suharekë. 
Është raportuar për dëme të konsiderueshme materiale, por nuk raportohet për të lënduar. 

Pronari i Elkosit, Ramiz Kelmendi, ka thënë se dëmet materiale nga zjarri që përfshiu objektin e ETC-së në Suharekë janë mbi tre milionë euro. 

Kelmendi në një postim në Facebook ka thënë se si herëve tjera, edhe kësaj radhe zjarri nisi në depo. 

“Të nderuar kolegë; sot, e Diel 19.01.2025 në orët e hershme të mëngjesit (sikurse edhe herëve tjera), filloi zjarri në ETC Suharekë dhe atë duke filluar nga Depo (sikur në të tri rastet). Fatmirësisht, nga kjo e keqe e madhe, dëme në njerëz nuk ka, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme (mbi 3 milionë), ku sipërfaqja e objektit është rreth 10 mijë metra katror”, ka shkruar Kelmendi në Facebook. 

Ai ka thënë se mbetet me shpresë që “organet e rendit dhe të sigurisë të merren me këto raste, sepse duhet larguar dyshimet e qëllimta dhe ato të paqëllimta”. 

“Është për të ardhur keq papërgjegjësia, në të tri rastet, e monitorimit vizual qendror me mbikëqyrje 24-orëshe, 2 persona në vazhdimësi (ku shihte qartë në kamera, zanafilla dhe mundësia për intervenim)”, shkroi Kelmendi. 



 


Muharremaj për zjarrin në Suharekë: Po vazhdohet me kujdestari deri në evitim të plotë të rrezikut 

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka treguar se është lokalizuar zjarri në qendrën tregtare në qytet dhe se situata është nën kontroll. 

Muharremaj ka thënë se do të vazhdohet me kujdestari deri në evitimin e plotë të rrezikut. 

“Nga orët e para të mëngjesit zjarrfikësit nga komuna jonë, Prizreni, Rahoveci, Mamusha e lokacione tjera, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme, në shuarjen e zjarrit. Shprehim keqardhje për dëmet e mëdha materiale që ka pësuar ETC.  Situata është nën kontroll dhe njëkohësisht po vazhdohet me kujdestari deri në evitimin e plotë të rrezikut”, ka shkruar Muharremaj në Facebook. 
 


Zjarr në një qendër tregtare në Suharekë

Një zjarr ka përfshirë qendrën tregtare ETC në Suharekë. 

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se është raportuar për përfshirjen e qendrës tregtare nga zjarri të dielën rreth orës 6:17.  Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit, policia dhe KEDS-i. 

Ai ka thënë se është arritur të eliminohet për momentin rreziku që zjarri të përhapet dhe se nuk ka të lënduar të raportuar. Dëmet materiale janë të mëdha, është thënë nga Policia. 

“Sot më datën 20.01.2025, rreth orës 06:17 është raportuar se ka shpërthyer një zjarr në qendrën tregtare ETC në Suharekë. Zjarrfikësit, policia dhe KEDS kanë dalë në vendngjarje.  Zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Zjarrfikësit po punojnë në shuarjen e tij. Për momentin është arritur të eliminohet rreziku që zjarri të përhapet më tutje. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, por të lënduar nuk ka të raportuar deri më tani. Policia do ta hetojë rastin si incident zjarri”, ka njoftuar Bytyqi për KOHËN. 

Për rastin ka shkruar edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. I cili ka postuar edhe video. 

“Disa biznese janë përfshirë në rrezik nga zjarri.  Po mundohemi ta lokalizojmë me kapacitetet që i kemi”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.