Ndërtesa e Institutit të Mjekësisë Ligjore është përfshirë nga një zjarr në orët e para të së dielës.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, ka thënë se zjarrfikësit kanë arritur të ndërhyjnë me kohë në atë zonë dhe e kanë fikur zjarrin.
Sipas tij, rasti është raportuar rreth orës 02:00.
Edhe vetë IML-ja ka konfirmuar shuarjen e zjarrit dhe ka sqaruar se pse ndodhi ky incident.
“Sipas vlerësimeve preliminare, shkaku i zjarrit ka qenë defekti elektrik në njërën nga pajisjet elektrike në korridor, mirëpo mendimi përfundimtar do të jepet pas ekspertizës finale e cila do t’i dorëzohet Prokurorisë. Dëmi material është i vogël”, theksohet në njoftim.
Vitin e kaluar, në IML kishin shpërthyer dy zjarre, në mars dhe në nëntor, por që demet dhe shkaqet ende nuk janë bërë të ditura.
Në njoftimin IML-së po ashtu theksohet se ndërtesa e institutit do t’i nënshtrohet rinovimit, sapo të përfundojnë procedurat e prokurimit, në fillim të muajit korrik.
Projekti për renovim, në vlerë prej 900.000 eurosh, sipas IML-së, do të përfshijë “instalimin e sistemit kundër zjarrit, zëvendësimin dhe riparimin e instalimit elektrik, ventilimin dhe klimatizimin e ri, si dhe ridizajnimin e hapësirave të punës”.