Dogana e Kosovës ka njoftuar se në një operacion të kontrollit doganor, ka ndaluar një kilogram ari të padeklaruar me pastërti prej 14 karatësh.
Në njoftimin e Doganës thuhet se gjatë kontrollit të udhëtarëve, imazhet e skanerëve treguan indikacione për mallra të padeklaruara brenda një çante.
“Pas hapjes së çantës, u zbuluan mallrat e fshehura së bashku me dokumentacionin përkatës që shoqëronte mallrat. Pas një vlerësimi të hollësishëm nga Dogana e Kosovës, u konstatua se vlera reale e arit të ndaluar është 59,294.12 euro”, thuhet në njoftim.
Rasti thuhet se është duke u trajtuar në bashkëpunim të ngushtë me sektorin e hetimeve të Doganës së Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit, për të analizuar të gjitha detajet dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore ndaj individëve përgjegjës.