Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar, një burrë dhe një grua, pasi që janë zënë duke vjedhur në objektin e antenës së Telekomit të Kosovës në fshatin Godanc i Epërm, në komunën e Shtimes.
Ata dyshohen për vepërn penale vjedhje e rendë.
“Me datën 07.05.2024 rreth orës 19:38 policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informacion se në fshatin Godanc i Epërm të Shtimes, në objektin e antenës së Telekomit të Kosovës është duke u kryer një vjedhje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Patrullat e policisë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe me të arritur në vendin e ngjarjes kanë hasur në një veturë të tipit Ford Focus me targa vendore dhe dy persona të dyshuar.
“Gjatë legjitimimit dhe kontrollimit të tyre dhe veturës, në bagazhin e veturës janë gjetur 4 bateri akumuluese elektrike, të cilat dyshohet se ishin vjedhur nga antena e Telekomit të Kosovës, ndërsa kishin dëmtuar alarmin dhe (kapakun e baterive ) të antenës. Të dy personat janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Të arrestuarit janë: M.M. ( M/K), i moshës 44-vjeçar dhe M.P. (F/K), e moshës 43-vjeçare.
Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, thuhet se janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.