Kronikë

Gjendet e vdekur 22-vjeçarja shqiptare në Itali

Ilaria Sula

(E përditësuar 11:15) - Është gjetur e vdekur Ilaria Sula, 22-vjeçarja shqiptare e cila u zhduk në Romë një javë më parë. Në orët e para të së mërkurës, trupi i saj u gjet brenda një valixhe në një zonë të pyllëzuar në fund të një përroske në rrugën provinciale midis Capranica dhe Guadagnolo, pranë komunës së Polit.

Vajza, e cila prej vitesh jetonte në Terni me familjen e saj përpara se të shpërngulej në kryeqytetin italian për arsye studimi, dyshohet se u godit me thikë për vdekje.

I arrestuar është një 23-vjeçar filipinas, që ishte i dashuri i saj. I riu akuzohet për vrasje me dashje dhe fshehje të kufomës.

Policia arritën në përfundimin se 23-vjeçari ka gisht me zhdukjen e vajzës shqiptare pasi analizuan telefonin e të dyshuarit.


Zhduket 22-vjeçarja shqiptare në Romë, familjarët kërkojnë ndihmë

Ilaria Sula, 22-vjeçarja shqiptarja është zhdukur që nga 25 marsi në Romë. Vajza ka fikur telefonin dhe nuk u përgjigjet më mesazheve të familjarëve dhe miqve, shkruan “Corriere”.

Shoqet e dhomës të Ilarias kanë bërë të ditur se ajo është larguar nga apartamenti më 25 mars dhe nuk është kthyer më. Fillimisht, ajo iu përgjigj mesazheve të shoqeve në Whatsapp, por më pas gjithçka kaloi në heshtje. Që nga e mërkura, ajo nuk ka hyrë në aplikacionin e mesazheve.

Miqtë dhe familjarët e saj e kërkojnë kudo, së bashku me Policinë që ka përqendruar kërkimet në zonën lindore të Romës, në Quarticciolo, Prenestinë dhe Napoli. Pavarësisht thirrjeve dhe fotove të shpërndara të vajzës në rrjetet sociale, ende nuk dihet asgjë për të. Telefoni i saj është i fikur.

Pse ajo u largua mbetet mister. Shoqet e dhomës raportuan se mbrëmjen e 25 marsit ajo ishte larguar pa i përshëndetur, por nuk u shqetësuan. Madje, kishte ndodhur edhe herë të tjera që e reja ishte larguar nga banesa pa thënë asgjë, por ishte kthyer gjithmonë dhe asnjë nga vajzat e tjera nuk kishte pasur arsye të mendonte se mund të mos e bënte këtë. Kur ajo nuk u kthye të martën, u shqetësuan. I kanë shkruar, ajo fillimisht është përgjigjur, më pas nuk e bëri më. Telefoni nuk ka qenë aktiv që atëherë. Është e paqartë nëse ajo është vetëm apo në shoqërinë e njerëzve të tjerë.

Një hipotezë e zhdukjes së saj është se ajo u largua pas ndarjes nga i dashuri.

Ilaria Sula është 1.65 metra e gjatë, ka sy jeshil/blu dhe flokë gështenjë të prerë deri tek supet. Në momentin e zhdukjes kishte veshur tuta të zeza dhe një xhaketë xhins dhe mbante një çantë shpine. Kushdo që ka informacion për të mund të kontaktojë në 112.