Kronikë

Zbulohet laborator droge në Prizren, tre të arrestuar

ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë kanë zhvilluar aksion në Prizren pas një hetimi disamujor, e ku kanë zbuluar një laborator droge. Tre persona janë arrestuar si të dyshuar. 

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë kultivuar narkotikë për t’i përgatitur për shitje.  

“Të pandehurit, nga data e pa vërtetuar dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2025, në Prizren, pa autorizim dhe në bashkëkryerje, kultivojnë bimën ‘Kanabis Sativa’ (Mariuhanë), me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, në atë mënyrë që në një objekt të mbyllur krijojnë një laborator të brendshëm ‘In door’, ku kanë kultivuar dhe kanë rritur rreth 200 bimë ‘Kanabis Sativa’, kanë bërë tharjen e tyre, dhe i kanë përgatitur për shitje në treg. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ nga neni 272 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK- së”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet tutje se pas kultivimit, narkotikët i kanë shitur nëpër Kosovë, për çka ngarkohen edhe me veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Po ashtu është sekuestruar edhe objekti banesor që ka shërbyer për kultivimin e narkotikëve.

Tre të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Departamenti i Krimeve të Rënda, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.