Kronikë

Zbardhet vdekja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, i dashuri e hodhi nga tarraca

Vendi tragjik ku ra 13-vjeçarja shqiptare

Vendi tragjik ku ra 13-vjeçarja shqiptare

Vdekja e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila më 25 tetor të vitit 2024 në Itali është zbardhur në detaje, pasi fillimisht u mendua se kishte rënë nga tarraca e një ndërtese.

Mjekët e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Universitetit në Pavia kanë zbuluar se e mitura nuk është hedhur vetë, por është shtyrë nga dikush, duke rënë mbrapsht, e për pasojë, duke dëmtuar pjesën e pasme të kokës, raporton Ansa.

Ky skenar i paraqitur nga mjekët përputhet me atë të përshkruar në urdhrin e paraburgimit të Gjykatës për të Mitur të Bolognas kundër të dashurit 15-vjeçar të shqiptares, i cili është i arrestuar nën akuzën e vrasjes me dashje.

Sipas autopsisë, 13-vjeçarja shqiptare kishte fraktura të shumta, të gjitha të lidhura me rënien nga lartësia, por ato fatale ishin dëmtimet në kokë, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Një tjetër pikë kyçe e ekzaminimit është përqendruar në dëmtimet e konstatuara në duart e vajzës, veçanërisht në kyçet e gishtave. Karabinierët kanë mbledhur dëshmitë e tre personave që pretendojnë se kanë parë ose dëgjuar atë që ndodhi mes Aurorës dhe të dashurit të saj në tarracë.

Dy prej tyre pretendojnë se kanë qenë dëshmitarë të skenës, edhe pse nga një distancë e largët. Një i tretë thotë se ka dëgjuar britmat e dëshpëruara të vajzës. Sipas rrëfimeve të tyre, Aurora ka qenë duke u mbajtur në parmakun e tarracës, ndërsa djali godiste me grushte mbi duart e saj në mënyrë që të binte në tokë.