Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë rreth orës 00:55 të enjten në Loznicë të Serbisë, ka konfirmuar ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq. Daçiqi ka thënë se në vendngjarje u gjet pasaporta e një kosovari, i cili sipas tij, është i dyshuari kryesor për vrasjen.

Përveç pasaportës, në vendngjarje, sipas Daçiqit, është gjetur edhe një dokument gjerman i identifikimit. I dyshuari është Artan Hajrizi, viti i lindjes 1991. Ai ka qenë në taksi, shoferi i të cilit është arrestuar. Por ka dyshime se mund të jetë edhe vëllai i tij, Faton Hajrizi, i cili u arratis nga burgi i Smrekonicës më 6 korrik. 

Ministria e Brendshme e Serbisë e ka publikuar foton e të dyshuarit Artan Hajrizi

Shoferi i taksit është ndaluar për 48 orë, ka njoftuar Zyra e Prokurorit Publik të Serbisë. 

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një veturë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Më pas, njëri prej personave, sipas Ministrisë, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Iliq Vjekosllav në shpatull, dhe më pas ka ikur. Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Lozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.

Policia serbe ka ngritur dronë e helikopterë në kërkim të të dyshuarit.

Loznica është afër kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. 


Vrasja e policit, reagon Vuçiqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes dhe kolegëve të policit të vrarë Nikolla Kërsmanoviq të enjten në Loznicë.

“Isha jashtëzakonisht i tronditur nga lajmi për vdekjen e policit Nikolla Kërsmanoviq, i cili u vra në një sulm tinëzar duke kryer me nder detyrën e tij të vështirë. Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të djalit dhe vëllait tuaj, policit trim Nikolla Kërsmanoviq. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit kontribuoi pa masë në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Humbja e tij është e pariparueshme, jo vetëm për ju, familjen e tij, por për mbarë vendin tonë. Nikolla ishte hero i vërtetë, i cili ia kushtoi jetën mbrojtjes së të tjerëve dhe guximi dhe profesionalizmi i tij e udhëhoqën në të gjitha sfidat dhe rreziqet që kishte shërbimi i tij. Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ju ngushëlloftë forca dhe guximi që tregoi Nikolla në jetën e tij në këto kohë të vështira. Serbia nuk do ta harrojë kurrë sakrificën dhe përkushtimin e tij vetëmohues ndaj detyrës”, thuhet në telegram.

Dalin detaje nga rasti në Lloznicë, polici thotë se shtiu në drejtim të sulmuesit

9 muaj më parë / 18 kor 2024 20:28
Lloznica

Vjekosllav Iliq, polici që u plagos nga të shtënat afër Lloznicës në Serbi, orët e para të së enjtes, është në gjendje stabile dhe ka u ka treguar krerëve të Policisë se si ka ndodhur rasti në të cilin u vra një polic, e i dyshuar është Faton Hajrizi që para dy javësh iku nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri.

Zëvendësdrejtori i Policisë, Dragan Vasiljeviq, ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë se Iliq kishte arritur të gjuante në drejtim të sulmuesit, por se nuk ka informata nëse ai është plagosur. 
Në rastin në Lloznicë u vra polici Nikola Kërsmanoviq. 

Ministria e Brendshme e Serbisë lëshoi një njoftim, sipas të cilit në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi. Për pasojë, fillimisht u dyshua ta ketë kryer veprën ai. Por gjatë paraqitjes në disa media këtë e ka mohuar Artan Hajrizi dhe ka dëshmuar se ndodhet në Gjermani. Sipas versionit të tij, pas arratisë Faton Hajrizi, të cilin e ka vëlla, ka shkuar në banesë tek ai dhe ia ka vjedhur dokumentet, disa nga të cilat janë gjetur në vendin ku ka ndodhur vrasja.

Vasiljeviq duke folur për rastin ka treguar se çka i ka thënë polici Iliq.

“Ata kishin parë një ‘Mercedes’ me targa të Tutinit. Ishte veturë e dyshimtë. E kanë përcjellë dhe e kanë ndezë sinjalizimin. Vetura u ndal një kilometër e gjysmë pas ndjekjes. Policët dolën nga vetura dhe u kërkuan dokumentet. Ishte kontroll rutinë”, ka thënë Vasiljeviq. 

Siç ka thënë ai, nuk ka pasur të shtëna menjëherë, dhe se shoferi dhe pasagjeri u kishin dhënë dokumentet policëve. Më pas, zyrtarët policorë i kishin kërkuar pasagjerit të dilte nga vetura.
“Pasagjeri kishte dalë, me gjeste normale e duke qeshur. Polici Iliq ishte në anën e majtë, kah ana e shoferit. Menjëherë pas nisjes së kontrollit të personit, ishin dëgjuar të shtëna, nga ana tjetër e veturës”, ka thënë Vasiljeviq.

Ai ka thënë se të shtënat ishin drejtuar edhe ndaj Iliqit, që u qëllua në krahun e djathtë.

“Siç ka thënë Iliq ishte shumë e vështirë, por ai arriti të gjuante në drejtim të atij personit”, ka shtuar zëvendësdrejtori i Policisë, transmeton N1.

Nuk ka informata nëse sulmuesi është plagosur.

Sipas policit, sulmuesi as nuk ka ditur e as nuk ka folur serbisht.

Në deklaratat e sotme, zyrtarë të Serbisë kanë thënë se bëhet fjalë për sulm të planifikuar nga Kosova. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar rastin incident. Ka bërë thirrje që të mos politizohet.

Daçiq: Dy të arrestuar në Bijelinë, dyshohet se ndihmuan të arratisej i dyshuari për vrasjen e policit serb

9 muaj më parë / 18 kor 2024 15:43
Daçiq

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka konfirmuar arrestimin edhe të dy personave të tjerë në Bijelinë të Republikës Srpska, të cilët dyshohen se e kanë ndihmuar të arratisej të dyshuarin për vrasjen e policit serb.

“Në Bijelinë, pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Srpska, është arrestuar R.Z. (1985), i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Loznicë. Gruaja e tij R.I u arrestua gjithashtu si bashkëpunëtore”, ka thënë Daçiq.

Daçiq: Po punojmë për ta identifikuar nëse personi që vrau policin është Artan Hajrizi apo vëllai i tij

9 muaj më parë / 18 kor 2024 12:55
Ivica Daçiq

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se janë duke punuar intensivisht për ta identifikuar nëse vrasësi i policit në Loznicë është personi të cilit iu gjetën dokumentet, Artan Hajrizi apo vëllai i tij Fatoni, i cili u arratis nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë më 6 korrik, derisa ka pretenduar se vrasja e policit serb mund të jetë sulm terrorist i përgatitur “nga strukturat e Kosovës”.  

“Po përcaktojmë nëse vrasësi është personi të cilit i kemi gjetur dokumentet apo është vëllai i tij. Ka mundësi që të jetë një identitet i rremë ... Ky nuk mund të jetë aksident dhe me të do të merret prokuroria për krim të organizuar, sepse policët janë sulmuar në krye të detyrës”, ka thënë Daçiq për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS).

Të enjten rreth orës 00:55 një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë në Loznicë të Serbisë dhe i dyshuari kryesor është një kosovar, sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë. I dyshuari për vrasjen kishte qenë në një taksi në momentin kur u ndalua për kontroll rutinor. Më pas, sipas mediave në Serbi, ai ka shtënë drejt policëve. Shoferi i taksit është ndaluar për 48 orë, ndërsa për të dyshuarin vijojnë ende kërkimet.

Ministri i Brendshëm i Serbisë ka thënë se i dyshuari është i pajisur me armë dhe për kapjen e tij janë angazhuar mbi 150 pjesëtarë të policisë.

Ministria e Brendshme e Serbisë më herët publikoi foton e Artan Hajrizit, të cilit iu gjet pasaporta dhe një dokument identifikimi gjerman në vendngjarje.  

Ministria e Brendshme e Serbisë e ka publikuar foton e të dyshuarit Artan Hajrizi

 

Ministria e Jashtme bën thirrje të shmangen lëvizjet përmes Serbisë

9 muaj më parë / 18 kor 2024 12:45
MPJD

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje mërgimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës që të shmangin lëvizjen përmes territorit të Serbisë. 

Thirrja është bërë pasi në orët e para të së enjtes në Lozicë të Serbisë është vrarë një polic dhe i dyshuar për këtë rast sipas autoriteteve serbe është një kosovar. 

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në reagim.

Në reagim tutje thuhet se Ministria e Jashtme, po ndjek nga afër zhvillimet”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i  vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës", thuhet në reagim.
 

Xhandarmëria në rrugë, Serbia shton forcat për gjetjen e të dyshuarit për vrasjen e policit

9 muaj më parë / 18 kor 2024 11:49
Veturat e xhandarmërisë serbe

Veturat e xhandarmërisë serbe

Forca të shumta policie të Serbisë janë parë nëpër rrugët e Loznicës dhe në një perimetër më të gjerë në kërkim të të dyshuarit A.H. për vrasjen e policit serb. Janë mobilizuar edhe xhandarmëria.

Siç raporton “N1”, janë vendosur postblloqe nëpër rrugë të ndryshme që të bëhet i mundur lokalizimi i të dyshuarit.

Për të dyshuarin, të cilit iu gjet pasaporta kosovare në vendngjarje sipas autoriteteve të Serbisë, janë njoftuar edhe autoritetet boshnjake, pasi mund ta ketë kaluar kufirin.

Kurti për vrasjen e policit në Serbi: Të mos politizohet, të trajtohet profesionalisht

9 muaj më parë / 18 kor 2024 10:47
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se organet e sigurisë janë duke grumbulluar informacionet për rastin ku u vra një polic në Lozicë të Serbisë e ku i dyshuar është një kosovar.

Kurti ka bërë thirrje që të përcillen komunikatat e Policisë dhe institucioneve në lidhje me këtë rast.

“Nuk kam diçka shtesë, mirëpo organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që të përcillni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë ai në konferencë për shtyp.