Një person është vrarë të mërkurën në Skenderaj, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë vrasja ka ndodhur në një kafiteri.
Rastin për KOHËN e ka konfirmuar shefi i hetimeve regjionale në Mitrovicë, Abdylaziz Hoxha.
Policia ka njoftuar se njërin nga dy të dyshuarit për përfshirje në këtë ngjarje e ka arrestuar fillimisht, e tjetrin më vonë pasi kishte arritur të arratisej nga vendngjarja.
I arrestuari i parë është një 62-vjeçar me inicialet H.I., të cilit i janë konfiskuar tri armë.
“Nga veprimet e deritanishme hetimore është realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë, një karikator me 30 fishekë e gjithashtu edhe 15 fishekë të një kalibri tjetër. Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari i dytë B.I., 33 vjeç, është arrestuar në Prishtinë dhe tek ai janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat ndërlidhen me rastin.