Kronikë

Vrasja e Ivanoviqit, dëshmon ish-ministri serb, Jablanoviq, thotë se është “armik” i Serbisë

Ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksander Jablanoviq, i cili vite më parë i quajti “egërsira” protestuesit në Gjakovë, për shkak të moslejimit të vizitës së pelegrinëve serbë në këtë komunë, për çka edhe ishte shkarkuar.

Por këtë të hënë ish-ministri, në seancën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ku dëshmoi për raportet e tij me të ndjerin e për situatën në veri, veten e ka quajtur “armik” të Serbisë.

“Përgjigja është e thjeshtë, në momentin kur seriozisht kemi kundërshtuar Listën Serbe më 2017, babai im e nëna ime, jemi vendosur në stop listën e sigurimit shtetëror të Serbisë, në këtë listë gjenden armiqtë e shtetit, ne nuk kemi marrë kurrfarë funksioni, por neve na është vënë kjo tiketë dhe çdo herë kur kalojmë në Serbinë qendrore jemi përcjellë e ndaluar”, tha Jabanoviq.

Edhe në këtë seancë, nuk u la pa u përmend emri i Milan Radojçiqit, e që Jablanoviq, tha se ishte kërcënuar gjatë vitit 2015, dhe se ai së bashku me bashkëpartiakët e tij kanë qenë nën presion të Listës Serbe edhe gjatë fushatës për zgjedhje në vitin 2017.

Ai ka treguar se ishte kërcënuar me armë, nga Milan Radojçiq, gjatë një takimi që kishin pasur në vitin 2015, derisa shtoi se me të ishte takuar edhe njëherë pas vrasjes së Ivanoviqit.

“Ai mua më ka thënë se s’ka asgjë me vrasjen e Oliverit, po ashtu më tha se atë politikisht e kanë mundur në vitin 2017, më tha “në tetor, këtë dikush po ma paketon”, këto kanë qenë fjalët e tij. Pastaj më ka thënë se e shtuna e parë pas vrasjes, në vendin ku është vrarë Oliveri duhet të vijë Aleksandër Vuçiq të ndezë qirinj dhe më ka thirrur edhe mua për shkak të ardhjes së Vuçiqit... Dhe se kinse dikush nga Mitrovica e ka përhapur një informatë që unë e planifikoj t’i dërgoj disa djem që ta gjuajnë Vuçiqin me ve, unë kam thënë se kjo nuk është në nivelin tim politik edhe ashtu jemi ndarë qetësisht, por mua më është dukur mjaft i frikësuar dhe më nuk jemi takuar kurrë”, tha Jablanoviq.

Javën e kaluar ka dëshmuar babai i Aleksandër Jablanoviqit, i cili edhe kishte qenë kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jablanoviq, e cili kishte treguar për të gjithë presionin që kanë përjetuar nga Lista Serbe.

Derisa, avokatët e të akuzuarve në këtë rast, thanë se edhe ky dëshmitar është i frikësuar dhe se dëshmia e tij ka qenë tërësisht politike.


“Ky dëshmitar ka treguar vetëm për konotacionin politik dhe për tensionet që kanë qenë në kohën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, edhe para këtij rasti, por edhe në periudhën kohore para Oliverit, mendoj se po hymë në fazën përfundimtare të këtij rasti”, deklaroi Tomë Gashi avokat i Rade Basaras.

“Na ka njoftuar lidhur me vështirësitë substanciale të funksionimit të pluralizmit në veri të Kosovës, po ashtu dëshmitari ka theksuar gjatë kampanjës së tij ai ka qenë i detyruar të bartë edhe jelek antiplumb për sigurinë e tij, pra të gjitha këto shfaqin një klimë jashtëzakonisht të tendosur dhe një klimë jodemokratike”, tha Musa Damati, avokat i Silvana Arsoviqit.

Gjatë së hënës, ka dëshmuar edhe Nebojsha Roshoiq, babi i të akuzuarit Marko Roshiq, i cili ka thënë se për vrasjen e Ivanoviqit, është njoftuar përmes telefonit, dhe se fillimisht kishte menduar se vdekja ka ndodhur nga sulmi në zemër.