Kronikë

Vrasja e 19-vjeçarit në Vushtrri, dorasi pranon fajësinë

Vrasje - plagosje - Shiriti i policise - forenzika - Policia

FOTO: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Mbrëmjen e së dielës një 19-vjeçar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri në qytetin e Vushtrrisë. Dorasi dyshohet të jetë një bashkëmoshatar i tij, i cili, sipas njoftimit të Policisë, është në arrest dhe e ka pranuar fajësinë. Në familjen e viktimës thanë se nuk e njohin të dyshuarin. E, sipas psikologëve, të rinjtë nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që sjellin këto akte

Një 19-vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri në qytetin e Vushtrrisë, të dielën mbrëma. Sipas njoftimit të Policisë, dorasi i dyshuar është bashkëmoshatar i tij.
Sipas informatave të Policisë, mbrëmjen e së dielës viktima është plagosur në rrugën ‘Galip Badivuku’, e i cili më pas është transferuar në Spitalin e Vushtrrisë. Mirëpo, si pasojë e plagëve të marra ai ka ndërruar jetë. Në polici nuk kanë dhënë detaje për arsyet që dërguan deri te kjo vrasje.

E gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit u gjet një armë zjarri, me të cilën dyshohet ta ketë kryer vrasjen, thuhet në raportin e Policisë.

Teksa në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës thanë se ai e ka pranuar fajësinë.

“Është arrestuar një i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe i njëjti, me vendim të prokurorit, gjendet në ndalim 48 orësh. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje dhe prokuroria e policia janë duke mbledhur prova relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i dyshuari e ka pranuar fajësinë për vrasjen”, tha Prokuroria. 

Nysret Zymeri, axha i viktimës, u shpreh se nuk ishin në dijeni për ndonjë problem që nipi kishte me dikë.

“Nuk kemi pasur asgjë me njeri të gjallë, asnjë fjalë të keqe. Ju po e dini edhe si familje kush jemi, familja Zymberi, ne nuk e kemi pritur. E kemi ditur që e kemi një armik andej, por këndej nuk kemi pritur asgjë. Absolut nuk e kemi njohur e as nuk e kemi ditur kush është e as tani nuk e njohim”, tha Zymeri.
E profesionistët vlerësojnë se raste të tilla janë përhapur viteve të fundit në Kosovë.

Psikologu Ylber Sahitaj tha se dukuritë negative tek të rinjtë, përfshirë edhe vrasjet, mund të jenë rezultat i akterëve socialë, si familja, shoqëria e teknologjia.

“Normalisht ajo çka do të ndikojë më së shumti është mungesa e empatisë, si shkak i modelimit social që është duke e pasur vazhdimisht prej ekspozimit të gjërave e që ka mundësi që të dërgojnë deri tek kjo që po diskutojmë. Si përfundim mund të vijë edhe si shkak i mosofrimit të anës profesionale, duke përfshirë këtu edhe psikologë”, tha Sahitaj. 

Sipas Sahitajt, në shumicën e herëve të rinjtë nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që sjellin akte të tilla.

Për vrasjen e së dielës prokuroria ka kërkuar që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit.

Lexo përditësimet tjera
Policia e Kosovës

I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri e pranon fajësinë

I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit A.Z., në Vushtrri e ka pranuar fajësinë për këtë vepër...