Shërbimi Korrektues i Kosovës të martën ka njoftuar për vdekjen e dy të burgosurve, M.R. që vdiq pas një sëmundje të gjatë dhe A.G. që dyshohet se ka kryer vetëvrasje.
M.R. ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 23 tetor, në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e një sulmi ishemik në tru një vit më parë dhe po trajtohej në Njësinë Shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.
“Më 26.10.2024, me rekomandimin e mjekut të Njësisë Shëndetësore, ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku, pas trajtimit, ishte liruar me përmirësim të gjendjes shëndetësore. Gjatë transportit për në Stacionarin e Dubravës, gjendja e tij u përkeqësua, dhe ekipi mjekësor u detyrua ta dërgojë në Spitalin e Istogut. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë rreth orës 19:50; vdekja u konstatua nga mjekët e Spitalit të Istogut”, thuhet në njoftim.
E në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij i burgosuri me inicialet A.G.
“Menjëherë pas zbulimit të rastit, oficerët korrektues dhe stafi shëndetësor i Qendrës ndërmorën të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke e nisur me shenja jete në Emergjencën e SHSKUK-së, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme”, vijon njoftimi.
SHKK-ja ka themeluar një Komision Hetues për të hetuar rrethanat e ngjarjes.