Të dielën ka humbur jetën në një aksident trafiku në veri të Italisë, një DJ 40-vjeçar nga Kosova, raporton gazeta zvicerane “Blick”.
Sipas mediumeve italiane ai ishte duke drejtuar Ferrarin e tij GT C4 me shpejtësi 200 kilometra në orë kur e humbi kontrollin në rrugën mes Ivreas dhe Santhias dhe u përplas në rrethoja.
Vetura shpërtheu në zjarr.
Gazeta “Blick” ka thënë se bëhet fjalë për një DJ që jetonte në Villeneuve VD të Zvicrës. Ai të shtunën mbrëma kishte performuar në një klub në Kantonin Wallis të Zvicrës e më pas me Ferrari u nis drejt Italisë.
“Ishte e tmerrshme!” – ka shkruar një dëshmitar në “Facebook”.
Për gazetën “Blick” ka konfirmuar rastin vëllai i viktimës.
“Është shumë e rëndë, që ta përshkruaj me fjalë atë njeri të mrekullueshëm e pozitiv. Por nëse më duhet, atëherë do të thosha se ishte njeriu më i dashur që kam njohur”, tha 41-vjeçari.
Se si erdhi deri te aksidenti, kush qëndronte në timon dhe kush është viktima tjetër – sipas mediumeve italiane bëhet fjalë për një grua – do të mësohet pas testeve të ADN-së.
“Momentalisht nuk kemi marrë shumë informata nga policia. Vëllai im tjetër, që jeton në Itali, po merret me të gjitha tash”, tha 41-vjeçari.
Sipas mediumeve italiane identifikimi është i vështirë pasi trupat janë djegur keq. Policia nga Settimo Torinese e ka kontaktuar një familjar të viktimës dhe e ka lutur që ajo të ndihmojë me test të ADN-së për identifikimin e viktimës.
Vëllai i DJ vetëm sa ishte kthyer në Suedi, por ai ka vendosur të bëjë rrugën prapa për në Zvicër.
“Ne duam t’i qëndrojmë pranë gruas dhe fëmijëve të vëllait. Ata gjenden në shtëpi në Zvicër”, ka thënë 41-vjeçari.