Një 3-vjeçar ka vdekur të dielën në Rahovec pasi dyshohet se është goditur aksidentalisht nga një derë e hekurt e mbështetur nga muri.
Policia ka njoftuar të hënën se gjatë mbrëmjes viktima është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjakovë nga prindi i tij. Ai kishte pësuar lëndime të rënda trupore, të cilave nuk ka arritur t’u bëjë ballë.
“Në emergjencën e Spitalit Rajonal Gjakovë nga prindi është sjellë një fëmijë - viktimë mashkull kosovar i moshës tre vjeçar me lëndime të rënda trupore, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e viktimës. Dyshohet se aksidentalisht një derë e hekurt e mbështetur nga muri është rrëzuar dhe ka goditur viktimën”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.