Kronikë

Tre të arrestuar nën dyshimin për shpëlarje parash, bllokohen 180 mijë euro e gati 40 banesa

pare ilsutrim

Foto ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e tre personave nën dyshimin për veprat penale “mashtrim”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërlarje parash”. Për rastin në fjalë janë bllokuar rreth 180 mijë euro në llogari bankare, 39 banesa, 30 garazha dhe 17 parcela tokësore.

Sipas njoftimit të përbashkët me Policinë e Kosovës, për rastin janë kryer bastisje në pesë lokacione, katër në rajonin e Prishtinës dhe një në të Gjilanit.

“Bastisja është kryer me qëllim të gjetjes së dëshmive materiale dhe arrestimit të të dyshuarve të cilët dyshohet që në periudhën kohore 2020/2024 kanë kryer veprat penale ‘mashtrim’, ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë, me të cilat veprime të dyshuarit dyshohet të kenë përfituar mjete materiale në vlera të mëdha të cilat më pas, me qëllim të futjes në sistemin financiar të RKS-së kanë kryer veprime të shumta me të cilat dyshohet të kenë konsumuar veprën penale ‘shpëlarja e parasë’”, thuhet në njoftim të autoriteteve.

Siç bëhet e ditur, pos tre të arrestuarve, një i dyshuar nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

Gjatë bastisjes si dëshmi janë sekuestruar dokumente, armë, vetura, telefona e laptop.


Lista e sekuestrimeve:

•    tre folderë/dosje me dokumentacion të ndryshëm si kontrata, autorizime, certifikata të pronave të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara 
•    një revole e tipit VIZOR 50 cal 7.65, një karikator me 7 fishekë, dy karikatorë të zbrazur të armës AK-47, 58 copë municion të kalibrave të ndryshëm, 09/copë municion 12/A të armës së gjuetisë 
•    një veturë BMW ngjyrë e zezë me targa vendore, viti prodhimit 2022, pronë e të dyshuarit (V.C.)
•    një veturë Volkswagen-VW Tiguan ngjyrë zezë me targa vendore, viti i prodhimit 2017 pronë e të dyshuarit (V.C.) 
•    një telefon HUAWEI 
•    tre telefon IPHONE
•    një laptop


Ndërsa me vendim të prokurorit është lëshuar urdhërndalues i përkohshëm për::
•    39 - banesa të ndryshme, shprehur në (m2) 3,929.52 m2
•    30 - garazhe 
•    dy lokale afariste 
•    17- parcela tokësore të lokalizuar në lokacione të ndryshme të shprehura në (m2) 29,903.00m2
•    janë bllokuar 5 - xhirollogari të personave të dyshuar ku janë ngrirë 179,560.25 €. 


Ndaj tre të të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.