Kronikë

Tetë raste të dhunës në familje të raportuara në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës

Foto: Ilustrim

Tetë raste të dhunës në familje janë raportor në 24 orët e fundit në Kosovë. Në të gjitha këto raste viktima kanë qenë gratë. 

Në 6 prej këtyre rasteve të dyshuarit burra janë dërguar në mbajtje, një është liruar në procedurë të rregullt dhe një është në kërkim nga Policia. 

Dy raste janë raportuar në Lipjan.

“Është arrestuar i dyshuar kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë. 

Edhe në rastin tjetër në Lipjan i dyshuari është dërguar në mbajtje. 

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër shtetase e Shqipërisë. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Një tjetër rast është raportuar në Graçanicë, ku i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. “Viktima femër kosovare ka raportuar se ishte takuar me të dyshuarin mashkull kosovar i cili e kishte ngacmuar  dhe i kishte bërë presion. Pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë. 

Dy raste janë raportuar në Pejë. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësorë. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

I dyshuari për rastin tjetër që ka ndodhur në Pejë është në kërkim nga Policia. 

“Viktima shtetase e Shqipërisë ka raportuar se i dyshuari shtetas i Shqipërisë ka ushtruar dhunë  psikike ndaj saj. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor”, thuhet në raport.

Një rast është raportuar se ka ndodhur në Gjakovë. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte ushtuar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima me dëshirën e saj ka shkuar te familja e saj, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Edhe i dyshuari për dhunë në familje për rastin që ka ndodhur në Rahovec, thuhet se është dërguar nga mbajtje. 

“Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare të cilës i ka shkaktuar lëndime. Viktima pas tretmanit mjekësor dhe intervistimit është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Një rast është raportuar në Fushë-Kosovë. “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte shkelur urdhrin mbrojtës emergjent, duke e kanosur viktimën femër përmes telefonit. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë