Përditësuar (17:28) - Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka suspenduar zyrtarin korrektues i cili është arrestuar bashkë me katër presona të tjerë nën dyshimin se kanë vënë në lajthitje palë të dëmtuar, duke i mashtruar se do t’u shesin “bitcoina” dhe kanë fituar shumta të konsiderueshme parash.
Në njoftimin e SHKK-së thuhet se ai është suspenduar për shkak të dyshimeve mbi sjellje të papërshtatshme, të cilat bien ndesh me Kodin e Etikës dhe rregullat e brendshme të institucionit.
SHKK-ja ka njoftuar se vendimi është marrë pasi i njëjti dyshohet se në bashkëkryerje me disa persona tjerë, janë përfshirë në mashtrim me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar për të siguruar integritetin dhe profesionalizmin e stafit të tij, dhe nuk do të tolerojë asnjë formë të sjelljes së papranueshme. Lidhur me këtë, ne jemi të angazhuar të bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet përkatëse dhe të sigurojmë transparencë të plotë në këtë çështje”, thuhet në njoftimin e SHKK.
Arrestohen 5 persona, dyshohen se mashtruan me “bitcoina”
Janë arrestuar pesë persona, pas aksionit të përbashkët mes Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe Policisë të zhvilluar të mërkurën.
Gjatë aksionit janë kryer bastisje në pesë lokacione, në prishtinë, Kamenicë dhe Viti, ndërsa janë arrestuar pesë persona, prej tyre një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
B.Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B. dyshohen se nga janari deri në prill të vitit 2024, në bashkëkryerje, kanë vënë në lajthitje palë të dëmtuar, duke i mashtruar se do t’u shesin “bitcoina” dhe kanë fituar shumta të konsiderueshme parash.
Ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se janë të dyshuar edhe dy persona tjerë, që nuk janë gjetur në lokacionet e bastisura.
“Nga bastisjet e realizuara janë sekuestruar fatura e prova të tjera, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale. Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet nga Prokuroria.
Aksion nën udhëheqjen e Themelores në Prishtinë, bastisje në disa lokacione
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës, po realizon një aksion, ku janë kryer bastisje në disa lokacione mbi dyshimin për mashtrim.
Prokuroria nuk ka njoftuar për lokacionet se ku po kryhen bastisjet.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, si dhe pas aprovimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, është duke realizuar një aksion, me ç’ rast janë duke u bërë bastisje në disa lokacione, mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. Për zhvillimet rreth këtij aksioni do të njoftoheni me kohë”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.